Protesta e maturantëve po shtrihet në të gjithë vendin. Sot në protestë janë ngritur edhe maturantët e Durrësit dhe të Fierit. Maturantët e këtyre rretheve pasi kanë marshuar në qytetin, janë mbledhur përpara Drejtorive Arsimore.
Maturantët kanë kërkuar të plotësohen kërkesat e tyre afatshkurtra, pasi në të kundërt do të bojkotojnë provimet e radhës të Maturës Shtetërore.
“Të vlerësohet nota mesatare e notës së Gjuhë Letërsisë në shkollë dhe 40% e provimit. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona të qarta dhe afatshkurtra, do të ketë bojkot të provimeve. Nëse arrijmë konsensus, do të vazhdojmë provimin”, tha një maturant.
Ndërsa një studente i drejtoi një mesazh të prerë ministres së Arsimit, Besa Shahini, duke i thënë se: “Është e pamundur të shpërbëhet gjithë ajo që kemi lexuar. Ne vërtet jemi të vegjël, por kur mblidhemi bashkë, ne shkatërrojmë botën”.