Edhe pse Zurich këmbëngul se Armando Sadiku do të mbetet pjesë e skuadrës edhe në kategorinë e dytë zvicerane, interesi për sulmuesin shqiptar vazhdon. Së fundmi, listës së klubeve të interesuar i është shtuar edhe Borussia Munchengladbach. Skuadra e Bundesligës po studion situatën e 25-vjeçarit, për të cilin Zurich pretendon plot 9 milionë euro.
Drejtuesit e klubit gjerman kishin mundësi të ndiqnin nga afër paraqitjen e sulmuesit kuqezi, në miqësoren që skuadra zvicerane fitoi 2-1 përballë ekipit të drejtuar nga trajneri Andre Schubert. Sadiku u aktivizua si titullar në duelin e vlefshëm për UrhenCup, ku qëndroi në fushë për 73 minuta pa arritur të gjente rrugën e rrjetës.
Borussia Munchengladbach i shtohet listës së pretendentëve për Armando Sadikun, për të cilin në javët e kaluara interes kanë shfaqur Rizespor nga Superliga turke dhe Sampdoria nga Seria A italiane. Sulmuesi ka qenë në radarët e skuadrës gjermane edhe përpara katër sezoneve, kur militonte me Locarnon në ligën e dytë zvicerane.
Në atë periudhë ai cilësohej një lojtar me potencial, por që më parë duhej të afirmohej dhe për këtë arsye gjithçka u shty. Për të bindur skuadrën gjermane për kualitetin e Sadikut shërbyen tre ndeshjet e luajtura si titullar në Kampionatin Europian dhe një gol të shënuar: rrjetën historike të Shqipërisë në fitoren 1-0 me Rumaninë. Por, mbi të gjitha, sulmuesi krijoi shumë volum loje, përshkoi kilometra pa fund me vrap dhe ishte një rrezik konstant për disa prej mbrojtësve më të fortë në Europë. Paraqitjet në turneun në Francë konfirmuan se Armando Sadiku është gati për një skuadër të rëndësishme, në një prej kampionateve më të mëdhenj në kontinent. Lojtari ëndërron Serinë A italiane, por edhe Bundesliga gjermane do të ishte një destinacion i shkëlqyer.