Besnik ALIAJ
Edhe pse vetë gjithmonë preferoj një diskutim tekniko-ligjor dhe analizë social-ekonomike të nismave e projekteve qeverisëse, mendoj që në rastin specifik të ligjit të mbetjeve dhe debatit të plehrave që ai gjeneroi, tashmë nuk mund të flitet ndryshe përveçse me argumenta morale e politike.
Kjo sepse argumentat e shumtë teknike, shumë prej të cilëve janë edhe të drejtë, në këtë rast s’kanë më asnjë vlerë dhe kanë shteruar tërësisht përpara faktit se vetëm pak vite më parë opozita e atëhershme (mazhoranca sot) erdhi në pushtet ndër të tjera me moralin e ekzekutimit të çdo ideje importi, madje anulimit përfundimtar të një ideje të tillë për shkak të reagimit të gjerë publik, dhe pavarësisht argumentave të ngjashme të qeverisë së atëhershme me atë sot në mbrojtje të dy nismave që në fakt janë simotra.
Por ajo që e bën thellësisht e tërësisht morale dhe politike këtë diskutim është fakti që opozita e atëhershme (mazhoranca sot) mbështeti agresivisht kërkesën për një Referendum të Shoqërisë Civile, nismë që si rrallë ndonjëherë në historinë postkomuniste të Shqipërisë kur diskutohet për një çështje me interes publik, ju hap drita jeshile për votim.
Mirëpo fitorja e opozitës së atëhershme dhe mazhorancës së sotme në 2013, si dhe një qëndrim i saj i prerë politik në Parlament kundër mbetjeve dhe plehrave bashkë, ditën që erdhi në pushtet, e bëri praktikisht të panevojshme këtë referendum. Ndaj sot mazhoranca aktuale (PS dhe LSI bashkë), shteti, politika dhe institucionet shqiptare janë zhytur në një baltë morale sepse janë futur në një hall dhe detyrim të madh jo thjesht politik, por mbi të gjitha legjimiteti Moral, që është domosdoshmëria e realizimit në një kohë sa më të shpejtë të një Referendumi mbarëpopullor në lidhje me këtë çështje.
Kjo sepse legjimiteti i PS, LSI dhe PD për të vendosur rreth kësaj çështje tashmë ka rënë. Dhe kjo është fakt! Pikë! Këtu mbyllet çdo diskutim dhe nuk ka më vend për asnjë argument tjetër teknik, juridik dhe ekonomik, apo qofshin këto taktika PR e hile politiko-mediatike. Kësaj i thonë çtë mbjellësh do korrësh!
Ky është një pësim i merituar për këtë mazhorancë premtimesh jorealiste, por edhe një mësim i madh për gjithë politikën, e sidomos për opozitën që aspiron qeverisjen e së nesërmes! Viktima e vetme në këtë mes është si gjithmonë publiku i pafajshëm dhe sipërmarrja e ndershme! Sa për qeverinë aktuale edhe sikur tja hedhi kësaj çështje me dredhi sot, ta ketë të qartë mirë se do të paguajë shumë shpejt shtrenjtë për këtë akt ekstremisht të pamoralshëm politik korruptiv!