Edhe një ish doganier bindet të kandidojë për partinë e re të Ramës

Bindja Demokratike e drejtuar nga Astrit Patozi, është regjistruar si subjekt për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa KQZ pranoi kërkesën me 4 votat e anëtarëve socialistë të komisionit.

Patozi ka deklaruar publikisht se forca politike që drejton do të ketë kandidatët e saj në 61 bashkitë e vendit, me përjashtim të rasteve të kandidatëve opozitarë të pavarur, të cilët duket se do t’i mbështesë përballë atyre të PS-së, që kanë suportin e koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

E ndërsa opozita, PD dhe koalicioni që ajo drejton ku përfshihen LSI, PR, PDK, PBDNJ, LZHK, PAA, PDIU dhe disa subjekte të tjera më të vogla, ka deklaruar se nuk bëhet pjesë e farsave zgjedhore, duke kushtëzuar procesin me largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore, duket se Bindja Demokratike po mbush vakuumin dhe po i jep mundësinë Ramës, që bashkë me disa parti satelite, të cilësojë si një garë elektorale atë të 30 qershorit.

Por kush mund të jetë një nga kandidatët e Bindjes? Për Bashkinë e Gjirokastrës emri më i mundshëm është Niko Zhulla, ish-drejtor i spitalit “Omer Nishani” dhe ish-drejtori i Tatimeve në Gjirokastër gjatë kohës kur në pushtet ishte Partia Demokratike, raporton argjirolajm.

Zhulla ka një përvojë të gjatë në administratën publike, duke nisur nga puna në Doganë deri tek drejtimi i institucioneve të rëndësishme në Gjirokastër. Megjithatë, thonë burimet, Zhulla heziton për momentin të shfaqet si kandidat pasi pret çfarë do të ndodhë me palën kundërshtare, PS-në.

Në rast se socialistët do të shkojnë në zgjedhje me Flamur Golemin, Zhulla nuk hyn në garë sepse në llogaritë e tij ka pak gjasa që të fitojë, thanë më tej burime të afërta me ish-drejtorin.

Nëse PS vendos Artemis Malon ose Armand Hilajn, Zhulla pritet të jetë kandidati i Bindjes Demokratike. Mentori i tij politik në këtë lëvizje është edhe ish-deputeti Vangjel Tavo, me të cilin Zhulla ka një miqësi të hershme.

Bindja Demokratike ka për të qenë thjesht një ‘çengel’ ku Zhulla do të ‘varë’ kandidimin formalisht në KQZ, ndërsa pas tij janë patjetër Vangjel Tavo dhe sigurisht njerëz të tjerë nga radhët e PD-së me të cilët ai ka bashkëpunuar gjatë kohës kur drejtonte Spitalin apo Tatimet në Gjirokastër, shkruan argjirolajm.

Lëvizjen e Niko Zhullës do ta mësojmë sapo PS të vendosë mes Artemis Malos, Flamur Golemit apo Armand Hilajt. Megjithatë edhe nëse Zhulla nuk hyn në garë, do të gjendet një person tjetër përballë kandidatit të socialistëve.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakNoka: Bindja i bindet padronit Rama që e krijoi
Artikulli tjetërKush janë 8 petritat e Partisë që kontrollojnë vettingun politik