Ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin qershor 2017 është 3,7%. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” me 8,8%, pasuar nga grupet “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8%, “argëtim dhe kulturë” me 1,6 %, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 2,4 %, pasuar nga grupi “mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,4%. Në qershor 2017, ndryshimi mujor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është -0,3%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike”. Inflacioni në Shqipëri, sipas metodologjisë së Eurostat, ka shënuar rritjen më të madhe në rang europian edhe në muajin maj 2017. INSTAT publikoi dje se, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në maj 2017 është 3,4%. Deri në muajin prill, Shqipëria ishte vendi i parë në rang europian për ritmin më të lartë të rritjes së çmimeve, por në maj u rendit në vendin e dytë pas Estonisë. Sipas INSTAT, ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,4%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Argëtim dhe kulturë” me 2,4%, “Transport” me 2,3%, etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,0%, pasuar nga grupi “Mobilie shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2%. Në maj 2017, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -1,6%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije”. Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat II, janë ndërmarrë hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995. Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.