Edhe policia me konçesion, shërbime kundrejt tarifave

Edhe policia po jepet me konçesion. Një projektligj i ri parashikon që ajo të kryejë shërbime kundrejt pagesave. Policia e Shtetit ka gjetur një mënyrë për të krijuar të ardhura financiare, me të cilat do të mund të paguhen 100 për qind orët e punës jashtë orarit për çdo punonjës policie.
Policia pritet të ofrojë shërbime shtesë për persona apo institucione, publikë apo privatë, kundrejt pagesës.Ky është thelbi i një projektvendimi të Këshillit të Ministrave, i cili është në fazën e konsultimit mes institucioneve. Së fundmi, Ministria e Brendshme e ka përcjellë atë për mendim në Ministrinë e Drejtësisë. Projektvendimi “Për miratimin e llojeve të shërbimeve shtesë që ofron Policia e Shtetit, për personat juridikë e për ata fizikë, publikë ose privatë, dhe tarifave të pagesës për këto shërbime”, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, radhit një listë me shërbimet shtesë që do të kryejë Policia e Shtetit mbi kohën normale të punës.
Mes këtyre shërbimeve janë edhe sigurimi i aktiviteteve kulturore e sportive, kombëtare e ndërkombëtare, apo edhe sigurimi i transportit të vlerave monetare të bankave të nivelit të dytë në vend.
Shërbimet shtesë me pagesë nga strukturat e Policisë së Shtetit do të ofrohen bazuar në kërkesën e personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë dhe do të mbulohen me punonjës policie jashtë kohës normale të punës/shërbimit.
Sipas draftit, angazhimi i Policisë në shërbime shtesë nuk do të cenojë shërbimet e planifikuara për përmbushjen e misionit dhe përgjegjësive institucionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.

TARIFAT DHE FITIMET
Në projektvendim është përllogaritur edhe tarifa financiare për punonjësit e policisë, sipas gradës, për çdo orë pune në shërbimet shtesë.
Sipas tabelës që shoqëron projektaktin, grada “Inspektor” do të paguhet 597,24 lekë për orë, grada “Nënkomisar” 766.31 lekë për orë, grada “Komisar” 834.32 lekë për orë dhe grada “Kryekomisar” 1060 lekë për orë.
Të ardhurat që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90 për qind nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit, me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar pagesat e mbikohës së punës për punonjësit, që do të angazhohen në detyra mbështetëse, sipas akt-marrëveshjes dhe 10 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Kjo mund të jetë edhe dora e fundit e rrënimit të funksionimit të policisë së shtetit. Ajo çfarë pritet të ndodhë është që qytetarët do të duhet të blejnë dyfish shërbimin e policisë, një herë si taksapagues dhe një herë tjetër përmes pagesës ekstra që Rama kërkon ta venosë me ligj.
Nuk do të kemi më një polici shteti, por një polici private. Drafti do të sjellë më shumë korrupsion dhe më shumë abuzime. Ky ligj është vetëm legalizim i korrupsionit në polici. Të presim dhe të shohim se kush do të jetë njeriu që më do të përfitojë edhe policinë me konçesion. Natyrisht konçesione të tilla jepen më shumë se 15 vite.

Enton DACI

Exit mobile version