Shtatë ditët e fundit drejt një fitoreje historike të opozitës së bashkuar në siglën e PD me 25 Qershor. Shtatë ditët e kurorëzimit të një beteje të gjatë opozitare për zgjedhje të lira që kulmoi me ngritjen e çadrës së lirisë dhe betejën epike të një proteste pa ndalim për 90 ditë rresht.
Sot shqiptarët janë më pranë se kurrë ëndrrës për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës mbi arbitraritetin e pushtetit. Për të rikthyer zhvillimin përmes një ekonomie të fortë me ulje taksash dhe thithje të investimeve të huaja, duke rrëzuar përgjithmonë perandorinë e drogës së ngritur në pushtet gjatë këtyre katër viteve.
Shqipëria do të duhet të jetë e bashkuar mbi vlerat e paketës së ofruar nga Basha që sjell më shumë mirëqenie për të gjithë, por dhe garanton më shumë siguri. Eshtë koha për të qenë të bashkuar përtej çdo hatërmbetjeje të vogël, e cila nuk do të mund të mbajë peng të ardhmen e vendit.
Kjo ka qenë një fushatë e ndryshme në stil dhe përqasje tek qytetarët. Basha ka zgjedhur real politikën. Duke shtrënguar duart me qytetarët. Duke trokitur në dyert e shtëpive të tyre plot halle, në dyert e bizneseve të rrënuara nga politikat e taksave mbi taksa gjatë këtyre katër viteve dhe duke bashkëbiseduar me ta.
Një bashkëbisedim i gjatë që ka nisur plot katër muaj më parë me vendosjen e çadrës së lirisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një kohë e mjaftueshme për të krijuar urat e reja të besimit mes qytetarëve dhe themeleve të Republikës së Re që do të lindë nga vota e lirë e së dielës të ardhshme.
Nuk ka më kohë për të humbur, duke u marrë me llulmin dhe zollumet e së djeshmes të një pushteti kriminal. Duhet hapur një epokë e re. Një epokë e lirisë dhe prosperitetit. Duhet hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet me afrimin në anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara, elementi kryesor i së cilës është projekti i ri i investimeve që ka ofruar Basha gjatë vizitës së fundit dhe takimit me Presidentin amerikan, Donald Trump.
Të gjithë biem dakord se kurrë më nuk duhet lejuar të kthemei tek e djeshmja 4-vjeçare më e errët në historinë e këtyre 27 viteve, ku shteti u bë një me bandat dhe ekonomia ishte vetëm në shërbim të klientelës të kryeministrit. Dhe këtë e kemi vetë në dorë. Duhet të trakosim tek dyert e njëri-tjetrit për të hapur mendjet e njëri-tjetrit se me 25 Qershor duhet të varrosim të keqen dhe t’i hapim rrugën shpresës.
Për këtë duhet bashkim dhe ndërgjegjësim. Vlerat duhet të fitojnë mbi antivlerat. Shoqëria e traumatizuar shqiptare në këto katër vite tashmë e ka vrarë frikën e narko-republikës, tani është koha e votës si armë për ta ekzekutuar dhe varrosur përgjithmonë Republikën e Vjetër.