Ish-Presidenti Bamir Topi i kthyer vite më parë në aleatin kryesor të Ramës ka dalë sonte për të parën herë kundër Ramës. Bamir Topi ka bërë një analizë të shkurtër të asaj që përfaqëson Rama duke deklaruar se ai “është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar” dhe se “vendi është peng i arrogancës së një individi”.
Topi ka surprizuar me qëndrimin e tij politik duke kritikuar Ramën dhe duke i kujtuar atij se sot i ka të gjithë kundër.
I ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin Open të drejtuar nga Eni Vasili, ish-Presidenti i vendit, Bamir Topi foli për precedentin e krijuar nga Ilir Meta për mosdekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, duke thënë se Meta mund të ketë arsye që veproi në këtë mënyrë, por duhet t’i bëjë publike ato.
“Nëse kandidatura i plotëson detyrimet kushtetuese, atëherë unë do ta dekretoja. Në këtë rast Meta mund të ketë arsye, por ai duhet të bëjë transparencë”, tha Bamir Topi.
Por ndër të tjera, ai u shpreh se nuk ka pasur precedentë të tillë të mëparshëm, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një rast.