Nga Sidi Hasanaj
Në legjendat e vjetra shqiptare, Kuçedra ishte përbindëshi që thithte ujin e fshatit, duke lënë banorët të etur e të pafuqishëm. Për ta mposhtur, duhej një hero që ta sfidonte. Sot, në Shqipërinë e vitit 2025, duket se Kuçedra ka marrë një formë moderne: ajo nuk jeton më në përralla, por në kontratat e investitorëve strategjikë, që po privatizojnë burimet ujore në emër të turizmit dhe zhvillimit.
Dështimi 12-vjeçar i një premtimi bazik:
Edi Rama, që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, ka premtuar vazhdimisht furnizim me ujë 24 orë për shqiptarët. Premtime të tilla janë përsëritur me pompozitet, si në 2017, 2021 e së fundmi në 2025, duke u shndërruar në një refren politik të konsumuar. Megjithatë, realiteti për shumicën e shqiptarëve mbetet i njëjtë: çezmat thatë, depozitat bosh, dhe një varësi e përhershme nga autobotet private, që shesin ujin me çmime të kripura.
Por përse një vend si Shqipëria, i pasur me burime ujore, nuk arrin të furnizojë popullsinë me një shërbim kaq bazik?
Përgjigja gjendet në politikat e qeverisë së
Sotme të Ramës, por edhe asaj të djeshme të Berishës, të cilat kanë orientuar burimet ujore drejt oligarkëve dhe resorteve të luksit, në dëm të komuniteteve lokale.
Rasti më i fundit i kësaj praktike është vendimi i Bashkisë Vlorë, e cila më 31 janar 2025 firmosi lejen nr. 74, duke devijuar ujin e burimit të Izvorit në Tragjas për t’ia dhënë resorteve në Palasë dhe Dhërmi. Banorët e fshatit, të cilët prej dekadash mbështeten në këtë burim për të jetuar, u ngritën në protestë, duke denoncuar një grabitje të pastër të ujit në emër të oligarkëve.
Kush janë Kuçedrat e Tragasit?
Olugarkë si Samir Mane, Lorenc Gjikuria dhe të tjerë, që nën petkun e “investitorëve strategjikë” kanë marrë dhjetëra hektarë tokë publike, plazhe dhe tani edhe burime ujore. Këta investitorë nuk e shohin Shqipërinë si atdhe, por si një territor për shfrytëzim maksimal, ku çdo resurs natyror—nga pyjet te lumenjtë, nga deti te uji i pijshëm—mund të kthehet në mall të tyre të dhuruar nga Qeveria.
Ndërkohë që shumë sipërmarrës investojnë në furnizimin e pronave të tyre me ujë, Oligarkët nuk njohin treg të lirë, garë, dhe rregulla të barabarta operimi.
Turizmi ka qenë një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në dekadën e fundit. Por pyetja që shtrohet është: kujt i shërben ky turizëm? A përfiton komuniteti lokal nga këto investime? Apo ndodh e kundërta—fshatarët mbeten pa ujë, fermerët pa tokë, blegtorët pa kullota, ndërsa miliarderët e ndërtimit mbushin xhepat?
Në Tragjas dhe shumë zona të tjera të jugut, fshatarët rrezikojnë të mbeten jo vetëm pa ujë, por edhe pa të ardhme. Tokat bujqësore po shkretohen, sepse pa ujë, nuk ka prodhim. Blegtoria po zhduket, sepse bagëtitë s’kanë ujë për të pirë. Dhe ndërkohë, qeveria vazhdon të promovojë modelin e një Shqipërie turistike, që në fakt është një Shqipëri pa shqiptarë, ku vendësit dëbohen për t’u bërë vend resorteve të oligarkëve.
A do ta vrasë ndokush Kuçedrën?
Nëse uji i një vendi është tregues i drejtësisë sociale, atëherë Shqipëria është në një krizë të thellë. Nuk është thjesht mungesa e ujit ajo që shqetëson, por fakti se burimet ujore po u merren banorëve dhe po privatizohen për një grusht biznesmenësh të lidhur me pushtetin.
Sot, shqiptarët nuk kanë nevojë për premtime të reja nga Edi Rama. Kanë nevojë për një shtet që mbron burimet e tyre dhe nuk i fal oligarkëve. Kanë nevojë për një politikë ujore që vendos në qendër qytetarët, jo resortet luksoze.
Sot Sali Berisha, në xhepin e Samir Manes Hesht!
Dikur, për ta vrarë Kuçedrën duhej një hero. Sot, për ta ndaluar grabitjen e ujit, duhet një popull i vetëdijshëm, që nuk pranon të trajtohet si i padukshëm në vendin e vet. Pyetja është: a do të zgjohet ky popull para se të mbetet plotësisht thatë?