Edi Rama forcon sundimin autoritarist mbi Shqipërinë

Nga Gresa Hasa & Erion Gjatolli

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri socialist Edi Rama triumfoi përsëri, duke forcuar një pushtet të çimentuar tashmë në 3 mandatet e mëparshme. Makineria e tij elektorale duket më e fortë se kurrë, por kufijtë midis shtetit dhe partisë po bëhen gjithnjë e më të paqarta…

Pas 3 mandateve të njëpasnjëshme, Partia Socialiste konfirmoi dominimin e saj në zgjedhjet e së dielës së kaluar, duke marrë 52 për qind të votave. Një rezultat mbi 4 përqind më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2021, që përkthehet në 83 nga 140 vende në parlament, 9 më shumë se shumica aktuale.

Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, mori vetëm 34 për qind të votave, dhe vetëm 50 vende, 9 më pak se në legjislaturën e mëparshme. PD e pagoi rëndë mbështetjen e themeluesit të saj, një figurë sa përçarëse aq edhe me një imazh negativ, aktualisht nën hetim nga Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) me akuzat për korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Rikthimi i tij në skenë, i parë si një përpjekje për mbijetesë personale dhe jo për ripërtëritjen e partisë, i thelloi grindjet e brendshme, duke fundosur më tej një opozitë që tashmë ishte në vështirësi. Në një garë të karakterizuar nga një sistem zgjedhor i hartuar enkas për të mbrojtur partitë e mëdha, ishin partitë e reja ato që u përballën me betejën më të vështirë.

Tre prej tyre arritën gjithsesi të kalojnë pragun  duke hyrë në parlament, dhe shënuar një pikë kthese modeste por domethënëse, e cila e lë të hapur mundësinë e një opozite të re të besueshme dhe përfaqësuese. Ndër partitë e reja, spikat koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, që mori 3.9 për qind të votave kombëtare, duke fituar një vend.

Po një vend mori lëvizja e së majtë radikale “Bashkë”, e vetmja parti që përfaqëson klasën punëtore shqiptare. Ndërkohë sipërmarrësi dhe deputeti i qendrës së djathtë  Agron Shehaj, dikur deputet i PD-së, arriti një rezultat të mirë me lëvizjen e tij Mundësia, me 3.1 për qind të votave dhe 2 vende në parlament.

Një risi e rëndësishme në këto zgjedhje, ishte votimi me postë i diasporës, një hap i rëndësishëm për afro 1.1 milion votues të regjistruar jashtë vendit, nga të cilët afërsisht 200.000 morën pjesë në proces. Ndonëse partitë e reja morën më shumë mbështetje, tendenca nuk ndryshoi shumë nga ato të votuesve në vend.

Ndërsa shfaqja e partive të reja politike përfaqëson një sinjal padyshim pozitiv, evolucioni i tyre në parti të strukturuara, po e ngushton më tej hapësirën e shoqërisë civile. Dhe kjo po sjell një boshllëk në pjesëmarrje dhe përfaqësim, që tani po mbushet vetëm pjesërisht nga disa lëvizje të tjera që vazhdojnë të sfidojnë modelet tradicionale.

Në këtë skenar, Partia Socialiste mban një pushtet pothuajse të pakontestueshëm, ndërsa shoqëria civile duket gjithnjë e më e dobët dhe në periferi të debatit publik. Pjesëmarrja e votuesve ishte 42 për qind, gati 4 për qind më pak se në vitin 2021 dhe duke arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.

Por duke pasur parasysh 3.7 milionë votues të regjistruar – nga të cilët gati gjysma, rreth 1.8 milionë, jetojnë jashtë vendit – pjesëmarrja aktuale midis banorëve që jetojnë në Shqipëri arrin ende në 80 për qind. Gjithsesi këto shifra pasqyrojnë një krizë më të thellë të përfshirjes politike, të nxitur nga disa faktorë strukturorë.

Midis këtyre, është vala e vazhdueshme e migrimit, që ka krijuar një boshllëk demografik në rritje. Sipas Eurostat, vetëm në vitin 2023, rreth 75 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian, një nga nivelet më të larta të emigrimit dekadën e fundit.

Krahas eksodit demografik, ka rënë vazhdimisht besimi tek sistemi politik dhe ai zgjedhor. Debati politik, është tradicionalisht dominuar nga disa figura të vjetra – më të spikaturat Rama dhe Berisha – të cilët kanë ndikuar në skenën politike shqiptare që nga rënia e regjimit.

Gjatë fushatës zgjedhore, të dy udhëheqësit monopolizuan mbi 80 për qind të kohës televizive dhe 60 për qind e mbulimit mediatik, duke lënë pak hapësirë për zëra të rinj. Kjo vazhdimësi, së bashku me një fushë loje të pa balancuar dhe hapësirë të reduktuar mediatike, e ka kufizuar rëndë dukshmërinë e forcave alternative politike, duke i lënë shumë votues në errësirë rreth propozimeve të tyre.

Në Shqipëri, pavarësia e medias vazhdon të minohet nga financimi i errët, pronësia e centralizuar dhe ndërhyrja editoriale, faktorë që kanë nxitur një autocensurë të përhapur dhe zbehjen e raportimit të pavarur. Me 83 vende në parlament, vetëm një votë e ndan Partinë Socialiste nga shumica e kualifikuar që do t’i lejonte asaj të rishkruante vetë Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe legjislacionin për reformën në drejtësi.

Pa asnjë kundërpeshë, ajo mund ta vështirësojë më tej konkurrencën politike dhe të dobësojë institucionet demokratike, duke pasur parasysh liritë civile, siç është liria e shprehjes dhe ajo e medias, shënjestra të preferuara prej kohësh të qeverisë Rama.

Në këtë kontekst, drejtësia konfirmohet si një nga frontet më delikate të konfliktit politik. Pas arrestimit për korrupsion të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – një aleat i ngushtë i Kryeministrit – ishte vetë Rama ai që sulmoi gjyqësorin, duke akuzuar SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut e duke theksuar se s’do t’i toleronte më veprimet e saj.

Reforma në drejtësi, e zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, solli ndryshime rrënjësore në sistemin gjyqësor, duke parashikuar që çdo ndryshim do të kërkonte një shumicë të kualifikuar në Parlament, pikërisht për të siguruar konsensus të gjerë midis forcave politike.

Në zemër të kësaj reforme është SPAK, një strukturë e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila ka kryer hetime ndaj figurave kryesore nga i gjithë spektri politik. Megjithatë, me këtë shumicë të re, Partia Socialiste mund të ndihet e legjitimuar për të zvogëluar rolin e saj.

Përveç kontrollit mbi drejtësinë, Partia Socialiste kontrollon tashmë të gjitha institucionet shtetërore: ajo qeveris 53 nga 61 bashkitë e vendit, dhe menaxhon burimet publike dhe proceset e vendimmarrjes në të gjithë vendin. Një nivel hegjemonie i paparë që nga rënia e regjimit diktatorial.

Fitorja e qartë e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, nuk mund të shpjegohet vetëm me një opozitë të fragmentuar dhe të pabesueshme. Ajo që e shënon vërtet këtë moment, është mobilizimi dhe disiplina e brendshme e PS-së, e paprecedentë në 30 vitet e fundit.

Një shembull emblematik i makinerisë zgjedhore socialiste, kishte dalë në pah që në vitin 2021, kur një bazë të dhënash u publikua në median shqiptare, e përpiluar nga anëtarë dhe aktivistë të PS-së. Ajo përmbante informacione për 910.000 votuesit në qarkun e Tiranës: jo vetëm të dhëna personale, por edhe detaje mbi vendin e punës, preferencat politike si dhe mbi origjinën e tyre familjare, nevojave dhe dobësive personale.

Rrjedhja e informacionit, nxori në pah shkallën e sistemit të kontrollit të partisë dhe sofistikimin e mjeteve të përdorura për të monitoruar dhe ndikuar elektoratin. Udhëheqja e PS nuk e mohoi, përkundrazi u mburr me efektivitetin e tij, duke e paraqitur atë si një simbol të forcës së saj organizative.

Ky sistem kontrolli, u dëshmua sërish tejet efikas, duke i dhënë Partisë Socialiste rezultatin e saj më të mirë zgjedhor në 20 vitet e fundit. Por çmimi që duhet paguar është larg të qenit i papërfillshëm: duke e konsoliduar kontrollin e tyre mbi aparatin shtetëror dhe duke i zbehur gjithnjë e më shumë kufijtë midis partisë, shtetit dhe administratës publike, socialistët e Edi Ramës po kontribuojnë në nxitjen e ndjenjës se zgjedhjet nuk janë më një instrument i vërtetë ndryshimi.

Nëse deri në vitin 2013 Shqipëria ishte të paktën në gjendje të ruante fasadën e jashtme të demokracisë, duke ruajtur një farë alternimi në pushtet, raundi i fundit i zgjedhjeve rrezikon t’u konfirmojë qytetarëve se kabina e votimit është bërë pak më shumë se një ritual i pakuptimtë, më i dobishëm për legjitimimin e qeverisë ekzistuese, se sa për rrëzimin e saj.

Dhe bashkë me të, rritet në mënyrë të pashmangshme zhgënjimi me të gjithë procesin demokratik. Gjatë fushatës zgjedhore, Pandeli Majko, një deputet veteran i Partisë Socialiste, e kapi me cinizëm frymën e kohës: “Pas zgjedhjeve, opozita e vërtetë e Shqipërisë do të jetë Bashkimi Evropian, jo PD-ja!”.

Një batutë që zbulon se si socialistët kanë qenë në gjendje ta përdorin si armë qasjen “stabilitokratike” të Brukselit, ku stabiliteti ka më shumë rëndësi se demokracia, dhe ku qeveritë e besueshme vlejnë më shumë se ato të kontestueshme.

Një histori e parë tashmë në Ballkanin Perëndimor, ku kryeministri Edi Rama – ashtu si kolegë të tjerë në rajon – ka mësuar tani të mishërojë rolin e një udhëheqësi të besueshëm në sytë e Evropës, madje edhe me koston e reduktimit të konkurrencës së brendshme në një lojë me pjesë të fiksuara.

Nën etiketën e “stabilitetit”, Rama ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga institucionet evropiane. Një mbështetje që nuk është dëmtuar as nga skandalet e shumta të korrupsionit në partinë e tij, apo nga alarmet e përsëritura të përfshira në raportet e progresit të Komsionit Evropian, që denoncojnë problemet me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.

Diplomacia transaksionale, e ka forcuar më tej pozicionin e tij në skenën ndërkombëtare. Marrëveshja e fundit me Italinë mbi emigrantët – e promovuar si simbol i “vlerave të përbashkëta evropiane” dhe e bekuar nga Komisioni Evropian – është një shembull konkret. Duke ofruar mikpritje në qendrat e emigrantëve, Rama fitoi në këmbim legjitimitet politik, dukshmëri në sallonet evropiane dhe mbështetje financiare, si nga Roma ashtu edhe nga Brukseli.

Në këtë kontekst, ai arriti të krijonte një peizazh politik të ngurtë dypartiak gjatë fushatës zgjedhore, duke e paraqitur veten si opsioni i vetëm i besueshëm kundër një opozite tashmë të diskredituar. Kështu, ai ka lënë një hije çdo zë alternativ, duke i skalitur vetes rolin e një figure të pazëvendësueshme, si në sytë e votuesve shqiptarë, ashtu edhe në atë të udhëheqësve të Brukselit.

Rezultati është një kompromis i rrezikshëm: për sa kohë që Rama vazhdon të ofrojë atë që i nevojitet Brukselit – siç është ndihma në menaxhimin e krizës së migracionit – tendencat autoritare të qeverisë së tij do të lihen pas dore si “çështje të brendshme”.

Një dinamikë shumë e përshtatshme për Edi Ramën, e cila e mbron atë nga përgjegjësia dhe opozita reale në vend, por e rrezikshme për të ardhmen demokratike jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë rajonit./“Balcani Caucaso”     

Artikulli paraprakNga celulari i Elvis Rroshit te kuponat e naftës/ Kush janë 5 personat që po hetohen nga SPAK për krime zgjedhore
Artikulli tjetërMirela Karabina: Mungesa e transparencës në media dhe pazaret politike deformuan votën e 11 majit