Edi Rama ishte i pikëlluar në Prishtinë për shkak të mikut të tij, Aleksandër Vuçiç!

Enver Bytyçi

Më 12 qershor në Prishtinë u bënë manifestimet në përkujtim të ditës së çlirimit të vendit nga Aleanca Politiko-Ushtarake më e madhe e kohës – NATO. Të pranishëm ishin personalitete politike te SHBA-ve, si dhe presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë u komentua shumë fakti që presidenti Bill Clinton nuk i dha dorën kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Dikush tha se ‘nuk e ka njohur’! Logjika thotë se një person i renditur në radhë me tre liderët kryesorë të Kosovës si dhe me presidentin e Shqipërisë, duhej takuar nga ana e presidentit Clinton ose kushdo tjetër. Por heroi amerikan i Kosovës nuk ia dha dorën, Edi Ramës, sepse ky i fundit qëndroi krejt indiferent ndaj Clinton. Nuk hoqi madje as syzet e diellit.

Edi Rama nga merathonomak për të kapë Donald Trump për një foto, nga një i çiftëzuar më Bilalin në Amerikë për një foto me Obamën, nuk lëvizi nga vendi gjatë ceremonisë së datës 12 në sheshin ‘Skënderbej’ të Prishtinës. Nuk u zgjat në drejtim të presidentit Clinton e nuk ia hodhi madje sytë atij. Nuk mori mundimin as të hiqte syzet e diellit në respekt të atij burri që i dha Kosovës lirinë! Ndërkaq as heroi i lirisë së shqiptarëve të Kosovës nuk tregoi interes për ta takuar atë!

Si ndodhi kjo? Si qe e mundur që kryeministri ynë ishte aq indiferent dhe mospërfillës ndaj simbolit të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës?! Disa e kanë trajtuar këtë ngjarje të lidhur me një hatërmbetje të Edi Ramës, për shkak se protokolli i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka lejuar të mbajë ‘fjalimin programatik’ në atë ceremoni. Unë e përjashtoj këtë mundësi, pra hatërmbetjen. Hashim Thaçi duhej të ishte më i marrë sa ç’është, nëse do ta lejonte Edi Ramën të fliste në Prishtinë, derisa aty ndodhej kreu i shtetit shqiptar, presidenti i Republikës, Ilir Meta. Nëse do të duhej që dikush nga Tirana të fliste, këtë të drejtë e kishte Ilir Meta. Por Thaçi nuk donte të fliste Meta, sepse atë e sheh si ‘armikun’ e tij personal, pasi presidenti i Shqipërisë pati një kontribut të rëndësishëm në varrosjen e përpjekjeve të Thaçit dhe Ramës për ndarjen e Kosovës. Për pasojë nuk mund t’ia jepte fjalën as Edi Ramës! Të dy nuk mund të flisnin. Po të fliste Meta, Rama do të çmendej!

Kësisoj Thaçi ia ia bëri një favor mikut të tij, Edi Ramës! Nuk la të fliste në atë manifestim madhështor kundërshtarin e tij, Ilir Metën. Kush mendon se presidenti i Kosovës nuk është marrë vesh me kryeministrin e Shqipërisë për këtë, është i gabuar. Për rrjedhojë Ramës nuk kishtë pse t’i ngelej hatri pse nuk iu dha fjala në Prishtinë. Një gjysmë suksesi ai e ka arritur aty – ka mundur që nëpërmjet Thaçit të mos lejojë fjalën e Ilir Metës! Ndërsa Tomë Gashi ia fuste kot sot, kur krahasonte kontributin e Shqipërisë me atë të Amerikës.

Dhe nga ana tjetër nëse do flitej për kontribute të Shqipërisë, nga dy protagonistët e Tiranës është presidenti që ka luajtur rol në kohën e luftës. Rama ka vetëm një rol, atë të vëllazërim-bashkimit me persekutorët e shqiptarëve të përfaqësuar nga miku i tij, Aleksandër Vuçiq. Po! Ka dhe një meritë tjetër, i dha çelësin e Tiranës një këngëtari të Sllobodan Milosheviçit për krimet e luftës kundër shqiptarëve, Goran Bogdanoviçit!

Atëherë pse Rama bëri atë që mund të quhet ‘sfidë’ e tij ndaj organizatorëve dhe të ftuarve të nderit, përfshirë dhe presidentit amerikan, Bill Clinton?! Shumë e thjeshtë – Edi Rama e ka mik për kokë Aleksandër Vuçiqin! Edhe Daçiçin, sepse nuk e harron serenatën e tij me mandolinë me rastin e ditëlindjes në Paris para tri vitesh! Për pasojë donte të dërgonte sinjale në Beograd, se ‘nuk është i entusiazmuar’ as nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, as nga përkujtimi i 20 vjetorit të atyre bombardimeve në Prishtinë. Madje më shumë akoma – Rama donte t’iu jepte miqve të tij në Beograd edhe një mesazh tjetër, t’u thoshte se ‘ashtu si ju, edhe unë nuk e kam shumë qejf këtë njeriun e fuqishëm, që ju bombardoi ju në vitin 1999’!

Më shumë se hatërmbejtje për pamundësinë e mbajtjes së një fjalimi, qëndrimi i ftohtë i Edi Ramës në manifestimet e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës ishte një solidarizim me pikëllimin që ndjen Vuçiq nga bombardimet e NATO-s me urdhërin e 24 marsit 1999 të Bill Clinton!

Tiranë, më 13.06.2019

Exit mobile version