Edi Rama krekoset si kaposhi në majë të plehut!

Nga Namir Lapardhaja

Është për të ardhur keq që në një vend ku qeveria është thellësisht e korruptuar, me një kryeministër si Edi Rama që krekoset si kaposhi në majë të plehut, me skandale të tmerrshme korruptive të njerëzve të afërt me të, të cilët për shumë kohë janë paraqitur prej shefit të qeverisë si modele të shtetit dhe të pushtetit; me një qeverisje që përballë premtimeve të saj është në gjithçka defiçitare – ku do të mjaftonte vetëm mashtrimi i saj elektoral për pensionet dhe gjendja faktike e ‘rritjes’ qesharake të tyre; me një konsum të madh të pushtetit lokal dhe qendror, ku nuk ka shqiptar që të jetë i kënaqur me shërbimet dhe çdo zyrë shteti; me një vend që nuk prodhon asgjë përveç pasiguri dhe frikë, me një polici që i tregon njerëzve kërrbaçin, por është e paaftë për të reaguar ndaj të ‘fortëve’ të lidhur me drejtorin-deputetin-ministrin-kryeministrin; me një administratë tatimore që i merr frymën biznesit, sepse kështu janë urdhrat nga lart; me një sistem arsimor të shkatërruar, sepse është vënë në funksion të propagandës; me një sistem shëndetësor të rënuar, me qëllimin për të forcuar privatin, tek i cili ndahen koncensionet korruptive të partneritetit publik-privat; me një qeverisje që bëhet përditë e më shumë arrogante, si pasojë e qëndrimit të gjatë në pushtet…., sërish shpresat për të ndodhur ndryshimi i shumëpritur politik janë krejt të vakëta, të zbehta dhe aspak premtuese – dhe këtë e dinë dhe e pranojnë të gjithë – për shkakun e vetëm të gjendjes së tmerrshme në të cilën ndodhet opozita shqiptare, e cila është e gatshme të sakrifikojë të gjitha këto më sipër, si pasojë e një njeriu të vetëm, i cili që në krye të kësaj ‘ploje’ do të deklaronte se ‘një opozitë e cila nuk mbron themeluesin e saj, nuk e meriton të ekzistojë’ – dhe disa qorrave që e ndjekin nga pas, që nuk kanë as cipë, as ngjyrë, as plastikë në fytyrë, që as nuk nxihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen, as nuk mrrolen, kur vjen puna që ia thua dhe i besojnë të gjitha këto, por që nuk i interesojnë fare as t’i dëgjojnë e as t’i kuptojnë, për sa kohë që besojnë se më e rëndësishme se gjithçka është një vend i sigurt në listën e deputetëve të ardhshëm, po Shqipëria le të digjet, njerëzit le të vuajnë, rinia le të emigrojë, bizneset le të falimentojnë, arsimi le të degradojë, shëndetësia le të percipitojë, pensionet le të mos rriten, shpresa le të vdesë.

Exit mobile version