Nga Agim Baçi
Cilido që e ka lexuar kur ishte fëmijë apo që ua lexon sot fëmijëve të vet “Xinxifilluan” e Mitrush Kutelit, duhet të kujtohet se si mbreti i pyllit, Kuma Maro, dialogon me gruan, Trëndelinon, e cila po i kërkon ndihmë për të dalë nga pylli ku është ngatërruar. Ai i premton ndihmë por me një kusht: që ajo t’i dhurojë vajzën që do të lindë në këmbim të ndihmës që ai do i japë. Po kur Trëndelino i kujton Kuma Maros se ajo është e varfër dhe se ai duhet ta kërkojë diku gjetkë atë që ja kërkon asaj, ai i drejtohet: “Jo, moj, jo! Ti s’më more vesh! Mbreti s’merr nga ata që kanë, por nga ata që s’kanë, se prandaj është mbret… Mbreti e ka mirë me kamësit: ay s’i trazon, ata s’e trazojnë; ay i ndihmon, ata e ndihmojnë… mbreti mbretëron mbi pasunarët, po rëndon mbi të varfrit, se ata janë të shumtë”.
Dhe kur Trëndelino sjell të bijën në jetë e fsheh nga Kuma Marua. Por ai bën marrëveshje me çdo kafshë hileqare të pyllit të tij, që ta ketë të bijën e Trendelinos me çdo kusht. Madje, aq shumë e dëshiron, sa për ta pasur atë, vendos të pijë detin…
Përpjekja e Kuma Maros së rrëfenjës së Kutelit mund të krahasohet me dëshirat e Kryeministrit Rama, i cili prej kohësh nuk kërkon thjesht një nënshtrim të qytetarëve, por dëshiron të lexojë tek ata qartësisht bindjen se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse tij dhe partisë së tij. Në fakt, “Kuma Marua i qeverisë sonë” u ka dhënë gjithçka biznesmenëve që ka për zemër, me kusht që ata të jenë sot pranë tij për të qenë “tregtarët e dëshirave” që ai publikon hapur në takimet me anëtarët e kabinetit në qytete të ndryshme, në takime me bashkëpartiakët që e dëgjojnë të mahnitur apo edhe në studio televizive.
Tashmë, duke e konsideruar hapur veten si “mbret i pyllit” tonë, ai vendos se çfarë duhet të marrim për të vërtetë dhe çfarë duhet të konsiderojmë të gënjeshtërt. Madje ai paralajmëron se nuk do e pengojë drejtësinë të dënojë bashkëpunëtorët e tij – një deklaratë që veçse zbulon se ai ose i ka ose i mendon të gjithë nën sundimin e tij. Shkurt, Kuma Marua ynë i mendon bashkëqytetarët e tij një hap larg personazheve të Oruellit te “Ferma e kafshëve”, që duhet të bërtasin në kor në varësi të dëshirave të tij.
Gjithkush e dallon qartë se në parti e qeveri nuk ka më debate. Nuk ka më llogari. Nuk ka më zgjedhje. Në pyllin e tij të PS-së janë larguar “kafshët” që nuk arrijnë ta duartrokasin sa duhet. Duartrokitësve të tij i janë bashkangjitur “duartrokitësit e zellshëm”, “të fortët” dhe “analistët e bindjes”, ndaj dhe ai reciton me zë të lartë në publik edhe poezinë e tij të preferuar “nuk jam më i miri, por më të mirë se unë nuk ka”!
Në kë rrugë nuk është çudi që shumë shpejt ne ta shohim z. Rama t’u sugjerojë qytetarëve zgjidhje të tipit siç jep Ushtari i Mirë Shvejk kur bisedon me zonjën Myler, e cila në kulmin e zemërimit i thotë atij se do të vrasë veten duke u hedhur nga dritarja, dhe Shvejku i afrohet qetësisht dhe e “këshillon”:
“- Në qoftë se doni të hidheni nga dritarja, shkoni në dhomë, se dritaren e atjeshme e kam hapur. S’do t’jua këshilloja të hidheshit nga dritarja e kuzhinës, sepse do të binit mbi lulishten me trëndafila dhe do të shtypnit filizat e njomë, të cilët pastaj do të ishit e detyruar t’i paguanit. Nga dritarja e dhomës do të fluturonit bukur drejt e mbi trotuar. Dhe, në qoftë se do të keni fat, do të thyeni qafën…”. (“Ushtari i mirë Shvejk”, Jaroslav Hashek, përkthim i Gëzim Erebarës, Extra 2003, f.73).