Edi Rama risjell idenë e amnistisë i përfshirë nga paniku

Rishfaqja e tezës së amnistisë nga njerëz mediatikë pranë Edi Ramës, nuk është aspak rastësi.
Madje riformulimi i kësaj teze tani në të nxehtë, pas arrestimit të Ilir Metës, nuk është gjë tjetër veçse një rrahje e hekurit sa është i nxehtë, dhe që realisht shpreh panikun e fortë të Edi Ramës.
I cili është përpjekur ta kontrollojë në një farë mënyre radhën e arrestimeve, duke nxitur depozitimin e dosjeve në SPAK, e dorëzimin e ish-bashkëpunëtorëve të tij, sipas një liste diabolike të stisur prej tij.
Rrugëtimi i Edi Ramës, me një plan të përpiluar me kujdes, por edhe me një “dalje emergjente” ka bërë që ta kontrollojë në një farë mënyre protokollin, duke pasur info të dorës së parë mbi situatën.
Por ja ku jemi sot, kur me arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës, steka u ngrit shumë lart.
E këtu Edi Rama e di që laku po ngushtohet dhe po i vjen rradha. Nëse ka pasur një person që është hidhëruar kur policisë i është dorëzuar vendimi i GJKKO-së për të arrestuar Ilir Metën, ai ka qenë Edi Rama. Dhe këtu nuk përjashtohet aspak mundësia që akti demonstrativ i policisë që tërhoqi zvarrë Ilir Metën, është bërë pikërisht për të goditur SPAK dhe amerikanët. Për ta devijuar debatin tek një shteg tjetër, e për ta kthyer Ilir Metën nga një të akuzuar në një viktimë.
E gjitha kjo, nuk është thjesht një kohë e fituar, por edhe një mesazh i koduar ndaj amerikanëve, se vijimi i “kryeqëzatës antikorrupsion” nuk mund ta prekë “Portën e Lartë”.
Përdorimi i policisë është një sinjal i fortë që i drejtohet amerikanëve, se protokollin e harton qeveria e jo SPAK e mbështetësit e tyre ndërkombëtarë.
Ndërkaq, menjëherë pas arrestimit të Ilir Metës, doli nga njerëzit e afërt të Edi Ramës, teza e amnistisë. Një ‘minë me sahat’, që në vetvete, nuk është thjesht një provokim. E gjitha ka ndodhur në një pakt mes PS-së dhe njerëzve të Sali Berishës dhe Ilir Metës në Parlament.
Ajo ishte një provë, që solli lirimin nga paraburgimi dhe burgimi i disa zyrtarëve të akuzuar dhe dënuar për korrupsion, e që shërbeu si test.
Pra, u hap rruga, u ça ‘cipa e virgjërisë’ që u krijua nga reforma nga Drejtësi, që politika mund të fusë duart.
Po pse Edi Rama po e sjell tezën e amnistisë?
Si një sinjal për tu thënë amerikanëve, por edhe Sali Berishës e Ilir Metës, që pakti vijon.
Për Berishën, është shtruar rruga e lirimit të tij. Në Gjykatën Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa për lirimin nga arresti i shtëpisë, dhe avokatët e tij kanë kërkuar që të largohet bashkëjetuesja e Enkelejt Alibeajt, Marsida Xhaferllari. Por jo familjari i Mimi Kodhelit, Gent Brahimaj, i biri i Nesip Ibrahimajt që nuk përbën problem për Sali Berishën. Duke parë dosjen ’Partizani’, ka një detaj interesant; Mimi Kodheli si ministre e Mbrojtjes nuk ka dhënë ndonjë kontribut për të ndihmuar hetimet e çështjes.
Dikur Kodheli, ishte shprehur se Sali Berisha ka qenë mik i familjes së saj. Ndërkaq, po në Gjykatë Kushtetuese, anëtare është edhe bashkëshortja e Andi Bejtjes, që është drejtues i televizionit familjar të doktorit.
Pra më fjalë të thjeshta, doktori i ka të gjitha letrat për të dalë nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit.
Nëse ndodh me Berishën, kjo nuk do të thotë se do të ndodhë edhe me Ilir Metën, pasi vetë doktori e do në burg atë para se të hartohen listat për deputetë, por e gjitha që krijon një problem këtu është pikërisht ideja e amnistisë.
Edi Rama i përplas amerikanëve në fytyrë se ai ka një kartë që kërkon ta përdorë. E nëse nuk e përdori amnistinë fiskale sepse nuk e lejuan, amnistinë politike do ta përdorë akoma edhe më fort.
Guri i amnistisë vret dy zogj: Berishën e Metën por edhe ndërkombëtarët. Berishës e Metës i thotë që deri këtu nuk ka më lak, e ndërkombëtarëve, mjaft se ky është kufiri.
Por a do t’ia dalë? Gjasat janë që jo, pasi fundi i kryqëzatës është marrja e Jeruzalemit, ku bie mbretëria e “të pafeve”./Pamfleti

Artikulli paraprakAtentati në Shkodër, Poli Hoxha: Këto ngjarje duhen kapur që në rrënjë pasi përndryshe do përsëriten
Artikulli tjetërQeveria shpërfilli vlerësimin shkencor në tkurrjen e parqeve kombëtare