Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme

Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Edi Rama pas urdhrit të Prokurorisë së Përgjithshme për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Në një deklaratë për mediat, PD thekson se Kryeministri Rama sulmon institucionin e Prokurorisë dhe drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror, dëshmi kjo se aparatura e përgjimit është përdorur me urdhër të tij.
“Edi Rama ka sulmuar sot Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme.
Edi Rama duhej sot t’i kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta bëjë edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do të kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar dhe do të përdorej pa autorizimin e prokurorit.
Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet. Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e Prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror. Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme. Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund”, thuhet në deklaratën e PD.

Artikulli paraprakSi gënjeu Çako në Parlament: Nuk ka asnjë pajisje përgjimi
Artikulli tjetërBasha-Kotzias: Ligji i luftës, e drejta çame duhet të zgjidhen