Edi Ramës duhet njohur ‘merita’ e futjes së krimit në Parlament

Nga Namir Lapardhaja

Marrëdhënia e politikës me botën e krimit nuk është e re në Shqipëri. Pavarësisht përpjekjeve në të kaluarën, shpeshherë politika është joshur nga bota e krimit, për shkak të konceptit që ekziston në këtë vend për të mbajtur me çdo kusht pushtetin dhe kontigjentet kriminale janë parë për shumë kohë si hambar votash.

Është fakt i pamohueshëm se me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, krimi i organizuar kaloi në një stad tjetër, duke pasur përfaqësitë e tij në Parlamentin e Shqipërisë dhe në pushtet lokal.
Personazhe me të shkuar të errët kriminale arritën të futen në Kuvend dhe të paraqiten si ligjvënës.
Meritë e kësaj gjëje është vetëm e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste.

Ndonëse ligji i dekriminalizimit dhe tashmë Prokuroria e Posaçme kanë çmontuar sa mundësi kanë pasur duke çrrënjosur këto lidhje, sërish është e vështirë për t’i shkëputur totalisht ato.
Kjo, mbi të gjitha, për vetë kontekstin në të cilin është sot vendi dhe një tradite të gjatë, e cila nuk mund të shkëputet në pak kohë.

Nga përfaqësia e drejtpërdrejtë, krimi e ka rikonceptuar qasjen politike, duke ia kaluar stafetën vajzave, djemëve apo njerëzve të tyre, ndërsa vetë qëndrojnë në prapavijë, ku përfitojnë tendera, punë publike apo bëhen investitorë strategjikë, si pasojë e presionit të vazhdueshëm dhe marrëdhënies që kanë me vetë shefin e qeverisë, Edi Rama.

Sigurisht njerëzit në të githë Shqipërinë i dinë këto lidhje, por, për shkak të vendit të vogël, marrëdhënieve të përditshme dhe frikës së madhe që ekziston, ata janë të dorëzuar totalisht përpara botës së errët të krimit.

Është e qartë se krimi nuk mund të luftohet as me marshimi as me protesta, por duhet një vullnet i madh për të çrrënjosur lidhjet me botën kriminale, duke hartuar një strategji dhe program të qartë politik për shkëputjet e këtyre lidhjeve.

Së fundmi, ndonëse jo në të njëjtat përmasa me pushtetin, Edi Ramën dhe PS-në, në nisjen e “Foltores” nga Sali Berisha, në qytete të ndryshme të Shqipërisë u panë njerëz të afërt të tij, ish-drejtues të lartë të policisë së shtetit, të cilët së bashku me kontigjent nga bota kriminale që bashkëpunojnë në përditshmëri me pushtetin e PS-së, të merreshin me organizimin dhe përgatitjet e takimeve të “Foltores” në atë kohë.

Ky është një fakt i pamohueshëm dhe një kambanë alarmi se si krimi shpeshherë ndryshon ngjyrë, duke parë te interesat e ngushta prej së cilave mund të përfitojë.

Prandaj vetëm një vullnet i fortë politik, një ndarje kirurgjikale me botën e errët të krimit dhe një politik që në qendër vendos interesat e njerëzve dhe jo të klientëve të saj, është zgjidhja përfundimtare për t’i dhënë politikës rolin dhe funksionin e saj, duke e ndarë një herë e përgjithmonë nga lidhjet e dyshimta dhe kriminale.

Artikulli paraprakPlas debati në Itali/ Policët e kampit të Gjadrit do rrinë në hotel me 5 yje
Artikulli tjetërLulzim Basha uron Kemi Badenoch për zgjedhjen si lidere e Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar