Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka folur për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Forumin për Siguri në Beograd ku ka debatuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç për Kosovën. “Ne i besojmë Qeverisë së Shqipërisë, ata kanë njohur pavarësinë tonë, ka lobuar për njohje. Sa unë e kam parë Edi Rama nuk ka folur në emër të Kosovës. Ai ka kërkuar nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne jemi sovran, këtë e dinë edhe Shqipëria edhe Serbia”. Tahiri ka deklaruar kështu në një lidhje telefonike në Klan Kosova ku ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka obligime ndaj Kosovës. “Edi Rama mendoj ka obligime ndaj Kosovës, të punojë që t’i sjell njohje dhe ta përfaqësojë Kosovën aty ku ne nuk jemi prezent. Ne jemi sovran kemi institucionet tona”. Pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, në një reagim ndaj vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Beograd dhe Nish, ka përjashtuar çfarëdo përzierje të Tiranës në raportet Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se për këtë punë, Kosova e ka mbështetjen amerikane dhe evropiane, ndërkohë që duke komentuar bashkëpunimin Beograd –Tiranë, kryediplomati kosovar ka theksuar se kjo është çështje bilaterale e këtyre dy vendeve. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ia ka dërguar një porosi Tiranës rreth zërave të mundshëm për një rol të Shqipërisë në raportet e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në një intervistë për televizionin shqiptar ART në Maqedoni, ai ka përjashtuar çfarëdo lloj mundësie të përfshirjes së shtetit shqiptar, duke thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe historikisht Shqipëria e ka të qartë këtë, shkruan Gazeta Express. Madje, Hoxhaj ka shkuar më larg, duke thënë se, Shqipëria nuk është aktor global dhe Kosova natyrisht kërkon ndihmën amerikane ose të BE-së, por jo të dikujt tjetër. “Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta kenë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa, çdo bashkëpunim që mund ta ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj.