Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë se, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë koordinuar për organizimin e Samitit të Berlinit, që u mbajt në fundin e muajit të kaluar, duke i cilësuar kështu si të çuditshme dhe manipulative deklarimet e Thaçit se në Berlin nuk kishte koordinim gjermano-amerikan.
Besnik Veliu
Tahiri thotë se SHBA-të janë të përfshira që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, herë në tavolinë të bisedimeve e herë nga jashtë saj, por që gjithmonë mbeten të involvuara në proces.
Këto deklarata ish-zëvendëskryeministrja Tahiri i ka bërë në një prononcim për Gazetën Express.
Ajo thotë se SHBA-të janë gjithmonë prezentë sa herë që mbahen raunde të bisedimeve Kosovë-Serbi që prej vitit 2011, me përfaqësues të lartë nga Departamenti i Shtetit në Bruksel.
Tahiri thotë se Samiti i Berlinit ishte organizuar në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo çfarë fletë Thaçi është e çuditshme, sepse edhe ai vetë e di që janë të përfshirë. Çdo herë që mbahen takimet amerikanët takohen me dy palët para bisedimeve, si dhe me ndërmjetësen Mogherini. Pra janë të involvuar. Kjo që thotë Thaçi se Samiti i Berlinit është mbajtur pa praninë e SHBA-së, kjo fare nuk është e vërtetë, sepse SHBA-ja dhe Gjermania janë koordinuar. Dhe me pajtimin e SHBA-ve, Gjermania ka udhëhequr këtë Samit të Berlinit, i cili fundosi këto idetë e rrezikshme të ndryshimit të kufijve”, ka thënë ajo për Gazetën Express.
E pyetur për përpjekjet që po bënë Thaçi për të zhvleftësuar Samitin e organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, Tahiri thotë se një gjë e tillë bëhet nga ai qartazi pasi në Berlin u fundos ideja e tij për korrigjim të kufijve.
“Arsyeja është e qartë. Të gjithë e kemi pa. Fakti që Samiti i Berlinit i fundosi këta politikanë shkurt pamës, siç është vetë Thaçi, Rama, Vucic e Mogherini, dhe ky dështim ishte një fitore për Kosovën. Këto deklarata që bëhen janë sa për të mbuluar dështimin, por s’kanë kurrfarë vlere. Këto janë deklarata manipulative, gjëja me e vendos në hije dështimin” thotë ajo duke rikujtuar se Samiti i Berlinit ishte historik për Kosovën”, thotë Tahiri.
Tahiri shpjegon se ndërhyrja e Gjermanisë dhe Francës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bëri që procesi të kthehet në binarë, dhe ndali një të keqe që Mogherini po e shtynte përpara, e që mund të rikthente luftërat dhe armiqësit e vejtra në Ballkan.
‘Samiti i Berlinit ndali një proces të dëmshëm të dialogut, që shkonte drejt ndryshimit të kufijve, dhe sillte luftëra të reja në Ballkan, dhe ktheheshin armiqësitë e vjetra. Samiti në Berlin e ndali këtë të keqe, dhe vendosi dialogun në binarë siç ka qenë ky dialog nga viti 2011-2017”, potencon ish-kryenegociatorja.
Sipas Tahirit, tashmë BE-ja po e rimerr veten më ndërhyrjen e Merkelit dhe Macronit, pasi që udhëheqja e politikës së jashtme nga Mogherini bëri që BE-ja të duket dyfishtë, njëra që shkelte parimet bazë të BE-së, dhe Evropa tjetër e Gjermanisë dhe Francës.
“Ky samit tregoi që BE-ja e rimori veten, BE- kaloi në duart e shteteve të mëdha si Franca, Gjermania dhe Anglia, dhe u ndal një Bashkim Evropian i Mogherinit që i ishte i dëmshëm. Me lojërat e Mogherinit, ne u ballafaquam me dy Evropa, Evropën e Moherinit që shkeli parimet Evropiane, dhe tani kemi rikthimin e Evropës së vërtetë, dhe vazhdimin e përpjekjeve për një paqe në rajon”, sqaron Tahiri.
Ajo ekskluzivisht për Express ka rrëfyer se nga informata të dorës së parë është njoftuar, që kancelarja Merkel i ka shkruar disa herë Federica Mogherinit, që t’i përmbahej parimeve evropiane, duke mos lejuar kështu që në tavolinë të hapej çështja e kufijve, por megjithatë thotë se Mogherini ishte treguar e padëgjueshme dhe nuk kishte përfillur kërkesat e kancelares gjermane Angela Merkel.
“Disa herë Gjermania dhe kancelarja Merkel i kanë shkruar zonjës Mogherini, të cilën e ka udhëzuar që të ndjek parimet evropiane dhe të mos dal tek çështjet e kufijve. Por ajo nuk e respektojë, dhe shkeli ato parime”, ka thënë për Express ish-kryenegociatorja që ka udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi për disa vite.
Sa i përket Samitit të Parisit që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti në Francë, Tahiri thotë se atje do të ri konfirmohet që nuk do të ketë pazare me kufijtë, dhe do të dëshmohet që BE-ja më nuk do të lihet aksidentalisht në individë si Mogherini që braktisin rrugës vlerat dhe parimet themelore të BE-së.
“Samiti i Parisit është ri konfirmim i parimeve Evropiane për Ballkanin perëndimor. Është ri konfirmim që nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe as luftëra, dhe do dëshmoj, që BE-ja nuk do të mbetet aksidentalisht në duart e ndonjë individi siç ishte Mogherini. Pra nuk do të lejohet që të ketë liderë të tilla që marrin detyra, e që braktisin parimet Evropiane”, shton ajo.
Iniciativën e Gjermanisë dhe Francës, Tahiri e sheh edhe si një mesazh për administratën që do të vijë në Bashkimin Evropian pas zgjedhjeve të brendshme, se nuk do të lejohet që të shkelen parimet bazë të Bashkimit Evropian.
Lidhur me marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të cilin po e kundërshton aq shumë Hashim Thaçi, ajo thotë se ai është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se nuk ka kompetenca ekzekutive.
“Nuk është puna nëse e lejon, apo se lejon. Marrëveshja për Asociacionin e arritur në Bruksel, është në pajtim të plotë me Kushtetutën, dhe nuk ka kompetenca ekzekutive. Marrëveshja për Asociacionin në preambulë thotë që do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kështu që kjo është arritur ligjërisht në Bruksel, nuk është punë e ndonjë lideri, a e lejon apo jo. Pra është një marrëveshje që nuk lejon komptencena ekzekutive për asociacionin ,sepse është në pajtim me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën”, shpjegon ish-ministrja për Dialog.
Për heqjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Tahiri tregon se Thaçi nuk ka asnjë bazë kur flet për diçka të tillë, pasi që të dy shtetet janë në obligime me BE-në, në procesin e integrimit.
Sipas saj këto deklarata janë një kamuflazh për të mbuluar dështimin në Berlin.
“Këto deklarata i kemi dëgjuar edhe vitin e kaluar. Këto deklarata nuk kanë bazë, sepse edhe Kosova dhe Shqipëria janë në rrugën e integrimeve Evropiane. Shqipëria po pret hapjen e negociatave, ndërsa Kosova ka nënshkruar MSA-në. Por ne duhet të jemi më të angazhuar për reformat, që të përparojmë drejt BE-së. Propagandat për të mbuluar dështimet, kot janë. Sepse u pa tash dy vjet, që këta liderë kishin hyrë në gabime historike, dhe dështuan”, shprehet ish-kryenegociatorja Edita Tahiri për Gazetën Express.
Në fund ajo thotë se Hashim Thaçi e Edi Rama nuk janë politikanë që dalin ta thonë hapur që dështuan, mirëpo tregon që ata që mbrojtën kufijtë e Republikës së Kosovës do të jenë gjithmonë aty për t’ua bërë me gisht dhe për t’iu treguar se kanë dështuar bashkë me Vuçiqin me idenë për korrigjim të kufijve, që më nuk do të diskutohet në asnjë proces.