Eduart Ndocaj takim me qytetarët në Rrëshen: Lezha, Mirdita dhe Kurbini meritojnë më shumë! (VIDEO)

Kandidati për deputet në qarkun e Lezhës nga Koalicioni Aleanca Euroatlantike, Eduart Ndocaj, ka shpërndarë një mesazh në faqen e tij zyrtare në Facebook, pas takimit të mbajtur një ditë më parë në sheshin qendror të Rrëshenit, ku morën pjesë qindra qytetarë të Mirditës.

Mikpritja juaj e zjarrtë dhe entuziazmi i jashtëzakonshëm që na treguat na bëri të ndihemi më të fortë dhe më të motivuar se kurrë për të vazhduar këtë rrugë të drejtë dhe të nevojshme për Mirditën, Lezhën dhe gjithë Shqipërinë.

Më tej Ndocaj shkruan se pa në sytë e mirditorëve shpresë dhe një dëshirë të fuqishme për ndryshim.

Dje, në sheshin e Rrëshenit, pashë në sytë e mirditorëve një shpresë të rinovuar, një dëshirë të fuqishme për ndryshim. Ata erdhën me besimin se mund të bëjmë më shumë për këtë trevë, se mund të realizojmë mundësi për të rinjtë, për fëmijët, dhe për çdo qytetar të Mirditës. Ata nuk ishin atje thjesht për të pritur, por për të bërë një ndryshim të vërtetë. Për të bërë Shqipërinë më të mirë për ata që jetojnë këtu dhe që duan të mbesin këtu.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, Ndocaj bën thirrje për një ndryshim të thellë, që sipas tij mund të realizohet në zgjedhjet e 11 majit përmes votës për Aleancën Euroatlantike.

Sipas Ndocajt, Aleanca Euroatlantike është e vetmja që mund t’i çojë qytetarët drejt Europës.

Mirditorët, nuk janë njerëz që heqin dorë lehtë. Ata janë të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga padrejtësitë që kanë përjetuar për shumë vite. Ata kërkojnë më shumë se sa fjalë të bukura. Ata kërkojnë investime të vërteta, infrastrukturë moderne, shërbime që funksionojnë dhe mundësi që nuk i lënë të rinjtë të ikin nga atdheu i tyre. Ata kërkojnë një qeverisje që punon për ta, jo për ata që kanë shkelur mbi interesat e qytetarëve dhe kanë pasuruar xhepat e tyre.

Mjaft më me mashtrime dhe me qeverisje të paaftë!

Mirdita, Lezha, dhe Kurbini meritojnë më shumë! Meritojnë të kenë mundësinë të rriten dhe të zhvillohen, meritojnë të kenë mundësi për punësim, meritojnë infrastrukturë që nuk i lë vetëm në varfëri dhe izolim.

Me 11 maj, ka ardhur koha për të larguar këtë të keqe që ka sunduar Shqipërinë për 30 vjet. Ky është momenti ynë për të kërkuar një të ardhme më të mirë, për të votuar për një të ardhme që vjen nga Aleanca Euroatlantike, e vetmja forcë që na çon përpara drejt Europës dhe përtej.

Ndocaj i premtoi mirditorëve se zëri i tyre do të jetë prioritet për të sepse qytetarët meritojnë një përfaqësim të vërtetë.

 

Unë, Eduart Ndocaj, jam një prej jush dhe jam këtu për t’ju përfaqësuar ashtu siç duhet. Nuk kam pranuar kurrë kompromis me ata që kanë mbajtur këtë vend nën kontroll dhe kanë sjellë kaos dhe padrejtësi. Zëri juaj ka qenë dhe do të jetë gjithmonë prioriteti im, sepse ju meritoni më shumë, meritoni një përfaqësim të vërtetë dhe një të ardhme që e keni pritur shumë gjatë.

Faleminderit edhe një herë të gjithëve për pjesëmarrjen dhe për besimin tuaj. Ky takim ishte një shembull i qartë se ndryshimi është i mundur dhe se jemi të gjithë të gatshëm për të punuar për një të ardhme më të mirë.

Mirdita meriton më shumë.

Lezha meriton më shumë.

Shqipëria meriton më shumë.

Voto për ndryshimin, voto për të ardhmen, voto për Mirditën dhe Shqipërinë që do të bëjmë bashkë!

 

Artikulli paraprakNjë javë nga zgjedhjet e 11 majit, Lapardhaja: Edi Rama po i bën fushatat si cirk elektoral
Artikulli tjetër“Shteti ka vënë asfaltin para jetës së njerëzve!”- Banorët e Hotolishtit në protestë: Balluku kishte 10 mijë euro për të larë makinën, por nuk ka lekë për të ndërtuar 300 metra tunel