Edvini nga kompleksi i Edipit tek kompleksi i Saliut!

Sali BERISHA

Janë botërisht të njohura vuajtjet e mëdha që ka përjetuar, që në vitet më të hershme të vegjëlisë dhe të gjithë jetën në vazhdim, Edi Rama nga kompleksi i Edipit, në të cilin jam ndalur më gjerësisht në shkrime të tjera.
Por problemi i tij më i tmerrshëm dhe më i pakapërcyeshëm është kompleksi i Saliut.
Në këtë kompleks të pashpresë, Saliu e ndjek atë në çdo minutë zgjuar apo në gjumë, në çdo takim pa përjashtim duke filluar nga takimet me Milin e partisë tek Samitet e NATO-s, në çdo bisedë me gazetarë, biznesmenë deri tek thashethemet në kuzhinë në sarajet-bunker të Surrelit, nga “fajin e ka Saliu” për çdo gjë deri tek citimet e thënieve të Saliut, sikur të ishin fjalë profeti në të gjitha fjalimet e tij në Parlament, në OKB, etj., etj.
Kompleksi i Saliut e ngërthen jo vetëm në kriza psikike, por dhe në çdo akt solemn! Kështu dje, tek inauguronte HEC e Banjës, një arritje madhore në strategjinë “Shqipëria superfuqi e vogël e energjisë ujore në rajon”, investim prej 285 milionë euro i kompanisë Statkraft, njëshit botëror të fushës, Rama në të gjithë fjalën e tij nuk iu drejtohej të pranishmëve, nuk iu drejtohej shqiptarëve, por Saliut dhe vetëm SALIUT të ulur këmbëkryq në psikikën e tij në formën e një kompleksi të tmerrshëm.
Kështu si njeriu që ditën e inaugurimit të punimeve në kaskadën e Devollit në prill të vitit 2013, mbi bazën e një marrëveshjeje transparente midis qeverisë time dhe kompanisë, u kishte thënë publikisht qytetarëve të Gramshit se kjo është gënjeshtra e radhës e Berishës dhe se kaskada nuk do të ndërtohet ndonjëherë, do t’iu thoshte dje qytetarëve se kishte probleme shpërthyese sociale, zgjidhja e të cilave bëri të mundur zbatimin e kontratës, paçka se vetë kompania, një kompani publike norvegjeze, i kishte zgjidhur ato me komunitetin dhe çdo individ pa ndihmën e Saliut, që para se të inauguronte fillimin e punimeve tre vjet më parë.
I kompleksuar për vdekje nga Saliu, i cili nuk i ndahet në çdo rrugë që udhëton ai, për të hedhur poshtë akuzat e tij se nuk ke ndërtuar tre vjet asnjë km rrugë, nga Gramshi tha dje EUREKA!! Kështu, duke iu drejtuar gjithnjë po dhe vetëm Saliut u shpreh: “Për ndonjërin që thotë se në tre vjet nuk ke ndërtuar asnjë km rrugë i them se ja vetëm në kaskadën e Devollit janë ndërtuar 97 km rrugë”. Dhe mendoi se dha përgjigjen e duhur, por sapo më pa mua përsëri i ngeci fjala në gabzer. Ai po fliste jo si shefi i një qeverie, por thjesht si shefi i zyrës së transportit të Devoll Albania!
Kjo sepse këto 97 km rrugë janë ndërtuar totalisht në përputhje me marrëveshjen, si pjesë e projektit të ndërtimit të Kaskadës së Devollit nga kompania Statkraft, të domosdoshme për ndërtimin e HEC-eve në këtë kaskadë. Pra, Rama, i ngërthyer nga kompleksi i Saliut u serviri shqiptarëve se vepra të tij janë rrugët që ndërtoi kompania e huaj për realizimin e projekteve të saj. Madje, për hir të së vërtetës, duhet thënë se të vetmin “kontribut” që kjo qeveri ka dhënë në ndërtimin e këtyre 97 km rrugë është ndryshimi i marrëveshjes, sipas të cilës segmentin rrugor Gramë-Cërrik do e ndërtonte qeveria shqiptare me financim të kompanisë norvegjeze, e cila sipas ligjit detyrohej të përgjigjej financiarisht për pasojat e përmbytjes nga liqenet.
Në marrëveshjen e re qeveria, që nuk ka ndërtuar asnjë km rrugë të re në tre vjet, ndërtimin e segmentit rrugor Gramsh-Cërrik ia ngarkoi kompanisë duke i zgjatur me 5 vjet kohën e koncesionit të HEC-eve të kaskadës së Devollit!
Miq, gjatë vizitës tjetër në Gramsh, Rama do të thotë se jo Statkraft, por qeveria e tij ndërtoi kaskadën e Devollit dhe këtë jo vetëm se ai beson gënjeshtrat e tij, por para së gjithash për t’ia mbyllur edhe njëherë e mirë gojën Saliut që e ndjek çdo sekondë, minutë, orë, ditë, javë, muaj, vit, dekadë. Ai është i pashpresë!

Exit mobile version