Mund të quhet ndryshe efekti Skënderbeu. Korçarët tashmë nuk janë vetëm skuadra që po bën ligjin në futbollin shqiptar, por janë edhe një ekip me fytyrë europiane. Pjesëmarrja në grupet e Europa League do të thotë shumë dhe nëse je aktualisht pjesë e Skënderbeut e ke shumë të thjeshtë të grumbullohesh edhe nga ekipet kombëtare. Këtë e dinë shumë mirë emra të tillë si Jashanica, Aliti, Lilaj, Sowe dhe sëfundmi Sahiti, pa harruar që më herët pjesë e kombëtareve respektive kanë qenë edhe futbollistë të tjerë të Skënderbeut si Shehi, Osmani, Berisha e Latifi.
Grumbullimi i Jashanicës dhe Alitit nga përfaqësuesja e Kosovës në kualifikueset e Botërorit rus u ka hapur rrugën shumë të tjerëve. Cristian Panucci ka grumbulluar Sabien Lilajn për miqësoren ndaj Turqisë, Kosova ndërkohë për duelin ndaj Letonisë në mungesë të Jashanicës, që është i dëmtuar ka thirrur dy lojtarë të korçarëve, Fidan Alitin që e ka grumbullimin e dytë dhe sëfundmi Suad Sahitin që edhe pse është një lojtar stoli te skuadra e Dajës ka marrë ftesën e parë nga përfaqësuesja e vendit të tij, një sinjal ky se trajnerët e skuadrave kombëtare e shohin me tjetër sy faktin që lojtarët luajnë te një klub si Skënderbeu.
Sowe ndërkohë falë formës së treguar me bardhekuqtë ka fituar grumbullimin me kombëtaren e Gambias. Pas tyre rradhën për të qenë pjesë e përfaqësueseve respektive mund ta kenë emra të tillë si Gavazaj, Nimaga apo edhe i riu i talentuar Demte, e gjithë kjo meritë e një klubi model që i ka dhënë një tjetër dimension futbollit shqiptar në arenën europiane, duke vënë në dukje edhe cilësitë e futbollistëve.