Babai i Saimir Tahirit lëshon dokumente si kompani sigurimi për parcelat me kanabis kundrejt një pagese të majme. Një efektiv policie ka zbardhur dje skemën e sigurimit të parcelave nga Bashkim Tahiri. Në një denoncim të tij, drejtuar ish- kryeministrit Berisha, efektivi i policisë bën të ditur se Bashkim Tahiri është personi përgjegjës që merret me sigurimin e arave të kanabisit kundrejt një pagese të majme.
Sipas skemës së denoncuar nga efektivi i policisë, trafikantët paraqesin tek Bashkim Tahiri të dhënat e parcelave të tyre të drogës, sipërfaqen dhe sasinë e mbjellë. Në këmbim të një shifre marramendëse parash prej 15% të fitimit të trafikantëve, Bashkim Tahiri u garanton trafikantëve mosprekjen e parcelave nga ana e policisë.
“Përshëndetje zoti Berisha, në fillim uroj të jeni mirë familjarisht!!! Sipas një informacioni të sigurtë, babai i Saje qorrit lëshon tani dokumente si kompani sigurimi për parcelat me kanabis kundrejt një pagese të majme. Skema e sigurimit është si vijon. Atij i paguhet në dorë një shumë e madhe apo 15% e të ardhurave nga sipërfaqja e mbjellë, duhet t’i tregosh dhe parcelën me foto se ku e ke dhe ai të garanton mosprekjen e saj nga policia. Shkurt, babai i Saimir Tahirit është ndër kryesorët që bën pazaret e hashashit. Respekt. Klm. Qofshi mirë gjithmonë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-krymeinistri Berisha.
Nga Veriu në Jug, Shqipëria është mbjellë tërësisht me drogë. Plantacionet, ashtu si edhe trafikantët janë të paprekshëm. 30 për qind e fitimit të çdo bime të mbjellë, ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës. Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilaj e Tahiri kanë kontroll absolut mbi territorin.
Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA 003 GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre.
Me ardhjen e “Rilindjes” në pushtet, kultivimi i kanabisit mori një hov të gjerë. Harta e Shqipërisë ka marrë ngjyrën e drogës. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm. Propaganda false e mashtruese të disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran gjoja si sukses të luftës ndaj drogës është një fasadë.