Eintrachti i Frankfurt-it qëndron në Bundesliga

Eintrachti i Frankfurt qëndron mes më të mirëve të futbollit gjerman edhe për sezonin e ardhshëm. Skuadra e Niko Kovac ja doli të fitonte me rezultatin 0-1 në transfertën e Grundig Stadion përballë vendasve të Nuremberg  në ndeshjen e kthimit për të festuar në fund mbijetesën. Pas rezultatit 1-1 të ndeshjes së parë Frankfurti kishte nevojë për një fitore për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit gjerman. Miqtë në fakt e morën iniciativën që në fillimin e sfidës dhe ishin më kërkues se skuadra e Rene Weiler gjatë gjithë 90 minutëshit.
I mbështetur te treshja Marco Fabian, Gacinovic, Seferoviç, Eintrachti iu afrua golit në disa raste, por nuk mundi ta gjente dot atë në pjesën e parë. Megjithatë skuadra e Niko Kovac arriti më në fund të zhbllokonte shifrat pikërisht në minutën e 66-të, kur sulmuesi i përfaqësues zvicerane Haris Seferovic shfrytëzoi një pasim perfekt të Gacinovic, duke mposhtur Raphael Schafer. Frankfurti arriti të ruante epërsinë, duke marrë kështu një fitore që vlen sa një sezon i tërë. Nga ana tjetër Nurembergu edhe sezonin tjetër do të militojë në Bundesligën e dytë, duke mos mundur dot të fitojë një tjetër duel play-offi, pasi në të shkuarën e kishte bërë diçka të tillë në dy raste.

Exit mobile version