Ekipi i Trump, mbështetje PD në zgjedhjet me qeveri teknike

Kryetari i PD, Lulzim Basha u rikthye pasditen e djeshme në sheshin e lirisë ku u përcolli qytetarëve tri mesazhe nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku zhvilloi takime intensive me zyrtarë të lartë të administratës Trump, anëtarë të Senatit e Kongresit amerikan për t’i informuar me situatën e rëndë në Shqipëri dhe kauzën e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Basha u prit me ovacione në sheshin e lirisë, ku të rinj, studentë, pedagogë të nderuar ishin mbledhur për të diskutuar mbi situatën e krimit dhe trafikut të drogës në vend.
Mbështetja e fuqishme ndaj opozitës në kauzën e saj të zgjedhjeve të lira me qeveri teknike, vlerësimi për qëndresën e jashtëzakonshme të qytetarëve në sheshin e lirisë, si dhe një falënderim i zyrtarëve më të lartë amerikanë ndaj qytetarëve protestues ishin mesazhet që Basha përcolli dje në takimin e tij me qytetarët në sheshin e lirisë.
“E di se jo vetëm protestuesit e pranishëm sot, por çdokush po pret lajme nga zemra e demokracisë, nga Uashingtoni, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam kaluar pak më shumë se 48 orë në zemrën e demokracisë dhe lirisë, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më duket sikur jam shkëputur për një kohë të gjatë nga ju dhe nga ky shesh i lirisë, ndaj nga zemra dua t’u përgëzoj dhe t’u them edhe unë me mall: mirëse ju gjej në këtë shesh të lirisë dhe të fitores!
Sesioni i sotëm që kemi zgjedhur, do të analizojë një nga mesazhet më të rëndësishme të administratës amerikane, raportin e Departamentit të Shtetit.
Por, para se ta bëjmë këtë, në praninë e qytetarëve, të rinjve dhe të rejave, të pedagogëve që shikoj këtu, më lejoni t’u sjell tri mesazhe kryesore. Mesazhet kryesore, të një vizite, të një pritjeje të jashtëzakonshme që më është ofruar jo thjesht si Lulzim Basha, jo thjesht si drejtuesi i opozitës, por në radhë të parë, si ushtar i kësaj kauze të madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se ka pasur një axhende me takime të nivelit të lartë gjatë 48 orëve të qëndrimit në Uashington ku është takuar me senatorë, kongresmenë dhe bashkëpunëtorë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Nga takimi im i parë, mbrëmjen e së martës deri tek takimi i fundit, pasdrekën e së premtes, me përfaqësuesit më të lartë të Partisë Republikane, të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kongresit amerikan dhe po, të bashkëpunëtorëve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, mesazhi i parë është mesazhi i përgëzimit për qytetarët shqiptarë, për këtë qëndresë të jashtëzakonshme, për këtë zgjim, për këtë kauzë të madhe, që i ndan kombet në të civilizuara dhe të pacivilizuara, në të lira dhe në të robëruara, në të forta dhe në të dobëta, në liridashëse dhe të nëpërkëmbura: kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e demokracisë, kauzën e lirisë.
Përgëzimet vijnë drejtpërdrejt, jo për mua, por për gjithsecilin prej jush që jeni në këtë betejë epike, historike, që do të ketë vetëm një përfundim, fitoren tuaj, fitoren e Shqipërisë, fitoren e demokracisë”, tha Basha.

Mesazhi i dytë i Uashingtonit

Një mesazh i veçantë ka qenë ai që ka marrë në Uashington në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri ka qenë ai i falenderimet për qëndresën qytetare në betejën për zgjedhje të lira mbi krimin, paratë e pista si burim për terrorizmin dhe nomeklaturën komuniste të rikthyer në qeveri.
“Mesazhi i dytë i sinqertë, që buron drejtpërdrejt, jo nga kalkulimet politike të aleatëve tanë strategjikë, por nga bindja e tyre më e thellë, e këtij brezi drejtuesish dhe politikanësh në Kongres, në Senat, në Shtëpinë e Bardhë dhe dhjetëra brezave para tyre, që e dinë fare mirë kuptimin e kësaj lufte në historinë e tyre, pra mesazhi i dytë, që ua kam premtuar bashkëbiseduesve të mi, politikanëve më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që takova në Uashington se do ta përcjell besnikërisht këtu në këtë çadër, është: falënderimi për ju!
Jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, por si një armatë e vërtetë që luftoni për liri këtu në këtë front, ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar, nga droga, nga paratë e pista që nesër mund të financojnë terrorizmin dhe e kërcënuar nga nomenklatura e ish-komunistëve antiamerikanë dhe stalinistë të Tiranës. Falënderime për ju sepse beteja për lirinë zhvillohet kudo, zhvillohet kudo ku ajo është e kërcënuar. Dhe këtu kjo betejë luftohet jo vetëm për lirinë e Shqipërisë po për lirinë e çdo kombi të nëpërkëmbur, të dhunuar, të robëruar, të cilit i kërcënohet e drejta e votës, e drejta e lirisë së mendimit, e drejta e lirisë së shprehjes. Prandaj, mesazhi i dytë që ju sjell nga Uashingtoni, janë falënderimet e Amerikës mike dhe aleate për qëndresën tuaj, për betejën tuaj”, tha Basha.

Mesazhi i mbështetjes

Basha ka lënë të fundit mesazhin kryesor që ma marrë nga Uashingtoni, atë të mbështetjes të plotë politike për ndryshimin, zgjedhjet e lira dhe qeverinë teknike. “Mesazhi i tretë, është mesazhi i mbështetjes totale të miqve tanë! Mbështetjes politike, mbështetjes parimore dhe morale dhe po, mbështetjes së gjithanshme për Partinë Demokratike të Shqipërisë, nga ekipi fitues i Presidentit Trump, jo vetëm për këtë betejë, por edhe për zgjedhjet që do të vijnë, për zgjedhje të lira e të ndershme, me një qeveri teknike. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të kenë ekspertizën dhe ndihmën e ekipit fitues në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Beteja jonë ka hyrë në një fazë vendimtare. Në fazën kur vendosmëria, kurajoja dhe besimi në kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të përcaktojnë të vetmin përfundim të kësaj beteje. Ka një dhe vetëm një përfundim. Largimin e Edi Ramës, një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Me forcën tuaj, me bekimin e Zotit dhe me ndihmën e miqve tanë amerikanë, ne patjetër do t’ia dalim. Kam ardhur me zemrën plot, me besim në fitoren e jashtëzakonshme të kauzës sonë, në Uashington, në Bruksel dhe anembanë botës së lirë dhe demokratike, dhe dua ta ndaj me ju, bashkëluftëtarët e kësaj beteje, besimin tonë total se kësaj beteje, që i kemi dhënë zemrat tona, shpatullat tona, prej ditës së parë, do t’i dalim në krye, do ta fitojmë për Shqipërinë, do ta fitojmë për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Basha.

Asgjë nuk do të jetë më si më parë

Parlamenti i Shqipërisë do të jetë i pastër nga krimi vetëm dhe vetëm kur shqiptarët të votojnë të lirë, kur të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. “Nuk ka asnjë ilaç tjetër as shqiptar, as të huaj për një Parlament të pastër nga krimi, përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Së dyti, në këtë nivel përfaqësimi, përmes këtij mekanizmi do të synohet cilësia më e lartë në komunitet, por do të synohet po kështu edhe pastërtia e motiveve, çiltërsia që është e vetëkuptueshme tek brezi i ri, tek brezi i ri i shqiptarëve, tek të rinjtë dhe të rejat tona që janë drita e syrit e prindërve të tyre dhe drita e demokracisë së standardit evropian të Republikës së re, prandaj kam kërkuar dhe do të insistoj që të paktën Partia Demokratike e Shqipërisë, partia historike e pluralizmit, e lirisë dhe e demokracisë në vend të vendosë një standard duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme për përfaqësimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare në kandidatët për deputetë duke përfaqësuar rininë sipas përfaqësimit që ajo ka në komunitet, duke i propozuar shqiptarëve një të tretën e kandidatëve të ardhshëm të Partisë Demokratike nga rinia nën moshën 35 vjeç. Por, vendosja e standardit nuk është fundi, por fillimi i një pune të madhe që na pret, fillimi i një pune të madhe që na pret ku nuk mjafton vetëm motivimi, nuk mjafton vetëm vendosmëria, por duhet patjetër edhe mençuria për të kapërcyer një nga një të gjitha etapat dhe sfidat me të cilat janë përballur edhe shoqëritë perëndimore për të siguruar produktin për të cilin jemi sot këtu dhe produkti nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një palë zgjedhje të lira nga krimi, por duhet të jetë një realitet themelisht i ndryshëm nga ajo që kemi pasur deri më sot, prandaj e kam thënë më 18 shkurt e nuk do të lodhem ta them deri në fitoren e kësaj kauze dhe pas fitores së kësaj kauze, në fitoret e tjera të Shqipërisë europiane dhe euroatlantike që na presin. Asgjë nuk është më si më parë dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë, ku Republika e re hedh shtat nga themelet në këtë shesh të lirisë”, tha Basha.

Ish-dekani, Zagani: Zgjedhjet e lira, janë Kushtetuta e çdo demokracie

Ish-Dekani Dritan Zagani tha dje nga sheshi i lirisë se sot kërcënimi i zgjedhjeve të lira është në krye të perceptimit të SHBA ndaj Shqipërisë. “Janë të rëndësishme leksionet që vijnë nga shtëpia e lirisë në Amerikë. Unë do të doja që të ndaja me ju disa momente të rëndësishme të raportit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë. Tri momente të rëndësishme që kulmojnë në një trekëndësh që në thelbin e tyre janë edhe baza e zgjedhjeve të lira. Së pari, momenti i parë është defiçenca dhe rënia e integritetit dhe besueshmërisë së institucioneve politike në Shqipëri. Moment i dytë, është pesëfishimi i sasisë së drogës, që qarkullon në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që afekton kuadrin gjeografik të fqinjëve tanë. Dhe një moment tjetër i rëndësishëm është shkalla e lartë e korrupsionit, dendësia e të cilit ka ardhur në rritje. Ky nuk është perceptimi ynë i brendshëm si shqiptarë për këtë fenomen, është objektiv sepse është perceptimi i shtëpisë së lirisë për atë çka ndodh aktualisht në Shqipëri. Këto tri momente të rëndësishme kulmojnë me votën e lirë, kulmojnë me sistemin e zgjedhjeve të lira. Vota e lirë dhe zgjedhjet e lira, janë Kushtetuta e çdo demokracie politike”, u shpreh ai.

Pedagogët e drejtësisë: Kjo strukturë kriminale duhet rrëzuar

Lorenc Danaj, pedagog i procedurës penale në Universitetin e Vlorës iu bashkua dje bashkëbisedimit të opozitës për trafikun e lëndëve narkotike dhe gjetjeve të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe Europolit. “Unë jam pedagog i procedurës penale në Universitetin e Vlorës për 10 vitet e fundit. Ju falënderoj që përmes kësaj procedure proaktive po parandaloni vjedhjen e ardhshme të votave dhe zgjedhjeve në Shqipëri. Në një kohë kaq të shkurtër është vënë dorë në themelet e shtetit shqiptar, është ndryshuar ligji i arsimit të lartë, ligji për statusin e nëpunësit civil, po bëhet reforma në të njëjtën mënyrë siç u bë reforma territoriale, ku si rezultat erdhi vetëm një parti fituese, ndaj dhe këtë protestë duhet ta mbështesë gjithë shoqëria civile, për të arritur në konkluzionin që duam të gjithë me kauzën madhështore të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë standard i rëndësishëm dhe i domosdoshëm kushtetues për të pasur një demokraci. Kjo protestë, partisë në pushtet ia ka thyer njërën këmbë, vazhdimi i kësaj proteste duhet të vijojë për t’i thyer edhe këmbën tjetër deri në rrëzimin e strukturës kriminale. U bëj thirrje ambasadorëve si pedagog i drejtësisë që kësaj proteste t’i bashkohen gjithë ambasadorët sepse kauza e saj është në interes të popullit shqiptar”.

Arben SHAHINI

Exit mobile version