Perla e Shqipërisë dhe Europës/ Ekologjisti gjerman i drejtohet Ramës, po kryhet një krim mjedisor me Vjosën

Ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ Nobel, në një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i bën thirrje për fillimin e projektit të Parkut të Kombëtar të Vjosës.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe autoriteteve të BE-së, fituesi i çmimit të fondacionit The Right Lievelihood, i njohur ndryshe edhe si çmimi alternativ Nobel, bën thirrje për të nisur që tani me planifikimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Model për BE-në
“Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Evropës me një nga ekosistemet më të spikatura të kontinentit. Në dritën e përkeqësimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore dhe biodiversitetit në Evropë dhe në notë, Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë”, shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij.

Profesor Succow, i cili në këtë letër mbështetet edhe nga të tjerë fitues të çmimit alternativ Nobel, i bëjnë thirrje Shqipërisë që të fillojë sa më shpejt me planifikimin e Parkut Kombëtar te Vjosës përgjatë gjithë lumit në Shqipëri duke përfshirë edhe degët e tij. Sipas Succow rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin.
Në letrën e tij drejtuar edhe BE-së, Succow u bën thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të mbështesin me fonde dhe me ekspertizë Shqipërinë në qëllimin e saj për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Evropë. “Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në” shkruan ndër të tjera Succow.

36 organizata mbështesin nismën
Rreth 36 organizata mjedisore i janë drejtuar për këtë çështje që nga shkurti e deri tani qeverisë së Shqipërisë, ndër ta edhe aktori i Hollivudit, Leonardo di Caprio, në një mesazh në Twitter. Më 10 shkurt, rreth 20 organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Evropa i kishin dorëzuar ministrit të Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, një plan për krijimin e Parkut Kombëtar në rrjedhën e lumit Vjosë.

Qeveria e Shqipërisë më herët kishte paralajmëruar se do ta kthente luginën e Vjosës në një plan kombëtar, por sipas shoqatës për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, projekti i qeverisë shqiptare i ka përjashtuar nga mbrojtja zonat përreth hidrocentraleve të planifikuara.
Veç hidrocentraleve, ekspertët e shohin të rrezikuar ekosistemin e Vjosës, me ngritjen e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit i është dhënë ndërkohë kompanisë zvicerano-shqiptare Mabetex, të ish-ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Bacolli, dhe kompanisë turke ADA, e cila aktualisht po ndërton edhe spitalin e Fierit.

Sipas Ecoalbania, përgjatë Vjosës jetojnë aktualisht 1.175 specie kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të shoqatës ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës IUCN. Ekspertët mendojnë se numri i specieve të rralla është shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj janë ende të paeksploruara.

Artikulli paraprakShifrat dramatike të OKB: Shqipëria me numrin më të lartë të refugjatëve gjatë vitit 2020
Artikulli tjetërShkodra, pritje madhështore Bashës