Ekonomia drejt greminës, taksa të larta dhe investitorët që ikin

Ornela Liperi
Blerina Hoxha

Dyqanet e vogla të tregtisë, që ndodhen në një distancë me një perimetër prej 10 minutash larg nga një supermarket i hapur rishtazi vuajnë një rënie të ndjeshme të shitjeve, sipas një studimi të pak viteve më parë. Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend dekadën e fundit, një zhvillim normal ky, bizneset e vogla morën goditjen e parë. Konsumatorët po i largohen çdo ditë e më shumë dyqaneve “të lagjes”. Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale. Një nga pikat e forta të njësive të mëdha tregtuese në vend është produktiviteti i lartë që kanë në raport me njësitë e vogla. Sipas të dhënave të anketës strukturore të INSTAT për vitin 2014, produktiviteti i njësive tregtuese me 1-4 punonjës është 7 herë më i ulët se ato me 10-49 punonjës.
Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, rezulton se rreth 44% e totalit të vetëpunësuarve janë të vetëpunësuar në tregti me pakicë. Ndërsa në totalin e të punësuarve në vend, të vetëpunësuarit në tregti zënë rreth 11% të tyre. Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët.
Në fakt, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Sipas të dhënave të INSTAT, 89% e ndërmarrjeve kanë 1-4 të punësuar. Teksa kontributi i tyre në shitjet në ekonomi është i ulët (realizojnë 14% të totalit të shitjeve në vend), roli i tyre është shumë i madh në punësim. Në bizneset e vogla marrin të ardhura gati një e treta e të punësuarve në vend.

Goditja e dytë për bizenset e vogla

Goditja e dytë për bizneset e vogla është tkurrja e konsumit. Të dhënat zyrtare tregojnë se konsumi privat ra me 0.2% në 2015-ën për herë të parë që nga viti 2011. Shumë biznese të vogla po e gjejnë të vështirë të mbijetojnë, në kushtet kur njerëzit kanë ulur në maksimum shpenzimet ose janë bërë më të zgjuar në blerjet e tyre. Në një ekonomi, ku pak prodhojnë dhe të gjithë duan të shesin, kjo pritej të ndodhte herët a vonë. Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit.
Në një afat më të gjatë, bizneset e vogla pritet të jenë ato që do të goditen më shumë nga domosdoshmëria për të plotësuar standardet e tregtimit, teksa vendi po harmonizon legjislacionin dhe përafron kriteret me vendet e Bashkimit Europian.
Presioni për t’u formalizuar nga ana tjetër po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po shohin sa pak konkurruese kanë qenë në një mjedis shumë konkurruese dhe po kuptojnë që nëse “i tregojnë” të gjitha nuk do të arrijnë të dalin me fitim. Ata po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Janë shumë biznese të vogla, që në fakt, “avantazhin” e vetëm konkurrues kanë pasur informalitetin në raport me sipërmarrjet e organizuara të pakicës.
Tendenca rënëse ka filluar edhe statistikisht. Që në vitin 2014, të dhënat e Anketës Strukturore të INSTAT treguan se bizneset me 1-4 punonjës në sektorin e tregtisë ranë me 3% në raport me një vit më parë. Ndërsa, numri i të punësuarve në këto sipërmarrje të vogla ra me ritme edhe më të larta, duke u tkurrur me gati 5%.
Një tjetër e dhënë më alarmante është publikimi së fundi nga tatimet i listës së subjekteve pasive, që gjeti se rreth 91 mijë biznese, apo gjysma e atyre të regjistruar janë pasive.

Biznesi i madh po bëhet jokonkurrues

Kur një hallkë e zinxhirit këputet, të tjerat bëhen të padobishme. Teksa biznesi i vogël dhe i mesëm po hasin probleme për shkak të presionit fiskal dhe rënies së konsumit, biznesi i madh po vuan mungesën e konkurrueshmërisë, teksa barra dhe taksa e çmimi i energjisë janë arritur me 50% vitet e fundit. Stefan Pinguli tha se llogaritë e momentit flasin në favor të importit. Kostot që shoqërojnë prodhimin e një litri birrë në vend janë më të larta se të importit. Vetëm taksa për ambalazhin është sa gjysma e vlerës së ambalazhit. Ndërsa vlera e pullës fiskale është gati e barabartë me vlerën e akcizës që paguhet në shtet. Kalimi në tatim progresiv ka rritur me 50% barrën fiskale për tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale. Të gjitha këto e kanë bërë biznesin e agropërpunimit jokonkurrues, tha Pinguli. Në këto kushte, nga prodhimi po kalohet në import dhe kjo po ndodh aktualisht. Vetëm për birrën, importet janë rritur me mbi 40% këtë vit. Ai lajmëroi se shumë shpejt, sektori i përpunimit do të pushojë aktivitetin për shkak të kostove të larta.
Një vit më parë, kompania gjermane “Meggle”, që pak vite më parë kishte blerë kompaninë shqiptare të përpunimit të qumështit “Fast”, vendosi të mbyllë linjën e prodhimit në vend për shkak të kostos së lartë në krahasim me importin. Ironikisht, sot “Meggle” është në tregun shqiptar me prodhime importi. Nikolin Jaka, i cili ka në zotërim një fabrikë qumështi, tha se kostoja me të cilin del prodhimi UHT nga fabrika është e barabartë me çmimin e shitjes në supermarketet shqiptare të qumështit UHT, që importohet nga Gjermania. Ai tha se po shikon mundësinë e importit të lëndës së parë (qumështit) nga Çekia për shkak se edhe cilësia, edhe çmimi, janë më të leverdisshme se në Shqipëri.
Copëzimi i tejskajshëm i tokës bujqësore dhe mungesa e standardizimit në bujqësi dhe e ekonomisë së shkallës (fermat e mëdha, minimalisht me mbi 600 lopë) e bën të vështirë edhe konkurrueshmërinë në afatgjatë. P.sh., në Shqipëri lënda e parë (qumështi) blihet nga fshatarët ose fermat e vogla me 50-60 lekë për litër, ndërsa nga Çekia lënda e parë vjen me 45 lekë për litër.

Subjektet pasive janë biznese të vogla

Nga lista e 91 mijë subjekteve pasive të tatimeve rezulton se mbi 90% e tyre janë biznese të vogla kryesisht persona fizikë dhe ambulantë. Kryeqendra e vendit Tirana shihet të ketë qenë më e goditura. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 36 mijë biznese të të gjitha niveleve, shumica e tyre të vogla kanë pushuar aktivitetin në Tiranë. Barra e lartë fiskale, e cila në shumë raste ka trefishuar nivelin e taksave lokale për kryeqytetin, ka çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë. Ende pa nisur aplikimi i taksave të larta vendore, 5% e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe 3% të drejtuara nga burrat mbyllën aktivitetin në Tiranë gjatë 2015-ës.
Në qytetin e Fierit kaluan në status pasiv 6240 subjekte, ndërsa në Berat, 2516 të tilla. Sipas raportimeve të tatimeve, më shumë se 14 mijë biznese kanë kaluar me status pasiv në Durrës, në Shkodër 6661 biznese, në Fier mbi 6200 të tilla dhe në Vlorë mbi 4100. Drejt mbylljes janë edhe mijëra biznese në prefekturat më të varfëra të vendit. Në qarqet e Kukësit dhe të Dibrës, rreth 2600 biznese kanë kaluar në status pasiv, shumica e tyre drejt mbylljes së plotë.

Exit mobile version