Rënia e fortë e euros në raportet e këmbimit me lekun gjatë muajve të fundit, që ka zbritur në gati 134 lekë, ka vënë në vështirësi eksportuesit që shesin prodhimet e tyre në shtetet europiane.
Flamur Hoxha, drejtues i kompanisë së prodhimit të këmishave “Kler” dhe një nga eksportuesit kryesorë pohon për “Monitor” se ata janë dëmtuar ndjeshëm nga rënia e monedhës së përbashkët, për shkak se të ardhurat i kanë në euro dhe nga këmbimi i tyre në lekë tashmë marrin më pak të ardhura.
Alban Zusi, administrator “I.N.C.A. Nord Fish” sh.p.k., kompani përpunuese dhe eksportuese e lëndëve të para për prodhimin e sallamrave pohon se rënia me 5 lekë për çdo 1 euro (nga rreth 139-140 lekë në fillim të vitit në 134-135 lekë aktualisht) automatikisht do të thotë që ata marrin 3.5-4% më pak të ardhura vetëm nga zhvlerësimi i euros. Për një biznes me një normë fitimi bruto 20%, ky zhvlerësim na merr automatikisht 20% të fitimit, thotë ai.
Zusi është i bindur se arsyeja kryesore e forcimit të pazakontë të lekut është e lidhur me paratë e pista që po qarkullojnë nga shitja e kanabisit. “Nuk ka asnjë arsye tjetër pse të ketë kaq shumë euro në treg”, thotë ai. “Përgjithësisht euro bie në gusht dhe pastaj forcohet sërish në shtator, ndërsa tani rënia po vazhdon prej muajsh. Ka vite që monedha e përbashkët nuk ka qenë në këto nivele”.
Eksportuesit pohojnë se rënia e fitimeve për shkak të zhvlerësimit të euros do të reflektohet në uljen e investimeve dhe riinvestimeve sepse nuk ka asnjë mundësi që kjo humbje të transmetohet në rritje çmimi. “Ne nuk mund t’u themi partnerëve tanë që do ju rrisim çmimin se është forcuar monedha vendase”, thotë Zusi.
Ai pohon se bizneseve do ju bjerë aftësia investuese dhe konkurruese, teksa kujton se forcimi i euros pas 2009-s ndikoi pozitivisht që bizneset eksportuese të shtonin investimet dhe të mbyllnin ciklin.
Zusi rekomandon që duhet ndjekur një politikë siç e bëjnë Kina dhe Amerika që e zhvlerëson monedhën për të nxitur eksportet.
Ai shton se nuk janë vetëm eksportuesit që po dëmtohen nga zhvlerësimi i lekut. “Kjo po dëmton dhe prodhuesit që po konkurrohen nga importi. Të gjithë prodhuesit me konkurrencë nga importi do të fillojnë ta ndiejnë menjëherë, pasi mallrat e importuara do të jenë më të lira”.
Euro është zhvlerësuar ndjeshëm muajt e fundit, duke u këmbyer me 134.4 lekë, nga 140 lekë që ka qenë mesatarja 6 viteve të fundit dhe 139 lekë që këmbehej në janar 2016. Forcimi i lekut ka qenë në tendencë të kundërt me deficitin tregtar, i cili është thelluar këtë vit për shkak të rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve, çka tregon se forcimi i monedhës vendase nuk ka ardhur nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik të aktorëve formalë. Sipas të dhënave të INSTAT, deficiti tregtar për 10-mujorin 2016 ishte -275 miliardë lekë, duke u rritur me 16% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet ranë me 3.5% dhe importet u rritën me 7% me bazë vjetore për janar-tetor 2016.