Ekonomia e mandatit të katërt!

Në më pak se një vit Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme, nga të cilat do të dalë forca(t) që fiton të drejtën të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme, 2025-2029. Konfigurimi politik, të paktën sa shfaqet deri tani, duket se nuk është shumë i ndryshëm nga konfigurimi i para katër vitesh.

Në një krah kemi një PS që ngjan në zenith të saj, nga krahu tjetër qëndron një opozitë e copëzuar, e përfshirë në gjakmarrje të brendshme që e ka dobësuar dhe shpërfytyruar, si dhe opozitëra të reja që përpiqen të plotësojnë spektrin politik, por ende jo premtuese. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, të mbajtur në 8 shtator, Rama bëri një profeci ogurzezë për PD-në, duke shpallur se nuk do të mund të ketë as rezultatin e vitit 1997. Ndërsa qeverisja e tij në tre mandate është shoqëruar me skandal pas skandali, me një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh në burg apo nën hetim, nga jashtë varka e Ramës duket se ende nuk fut ujë, ndërkohë që ai i lejon vetes luksin të flasë për vizionin 2030 (retorikë e ngjashme me vizionin 2000 të shpallur nga PD në zgjedhjet e vitit 1996 në zenith të saj). Rama paraqitet jovetëm i bindur në fitoren e mandatit të katërt, por me ambicie të qartë për të patur numër edhe më të madh deputetësh në Kuvend.

Gjithsesi periudha e rilindjes ramiste, 2013-2025, ka shënuar rekord në historinë politike të pas ‘90-s. I njëjti kryeministër ka qeverisur i pashqetësuar në tre mandate, pavarësisht skandaleve të shumta e të rënda, madje ka ardhur duke e forcuar pushtetin si atë individual, ashtu dhe për partinë e tij. Qeverisja e nisur në koalicion me LSI-në e Metës (mandati i parë), u shoqërua me mandate në të cilat pushteti i PS-së dhe kryetarit të saj u shtri e pacenuar pothuaj në të gjitha institucionet shtetërore (formalisht emërime të bëra jo nga kryeministri sot janë vetëm krerët e Bankës së Shqipërisë dhe KLSH-së, dy institucione të vëna nën shënjestër tani së fundmi).

Askush nuk e mohon dot se ka një korrelacion të pastër ndërmjet grumbullimit të fuqisë rreth kryeministrit, dobësimit të fuqisë opozitare, forcimit të heshtjes mediatike dhe rritjes e sofistikimit të korrupsionit në vend. Të ngërthyer në retorika, shpesh herë boshe apo për interesa klienteliste, askush nuk vuri re se thelbi i rritjes së pushtetit kryeministor është gllabërimi i ekonomisë së vendit. Ndërsa aty-këtu zëra seriozë mediatik vijonin të diskutonin mbi nevojën e ndërtimit të modelit ekonomik të qëndrueshëm, në fakt as ata nuk kuptuan që po zbatohej një model tepër i qartë dhe i qëndrueshëm për centralizimin e ekonomisë, që i siguron edhe pushtetin politik, madje dhe mundësinë për public relations dhe përkrahje ndërkombëtare.

Nga një mandat në tjetrin objektivi është rikthimi i modelit (sigurisht të kamufluar) të ekonomisë shtetërore, ku shteti është“mirëbërësi kryesor” në shpërndarjen e burimeve dhe të ardhurave dhe asnjë treg, sektor, biznes apo individ të mos jetë në gjendje të zhvillohet në mënyrë të pavarur apo sipas mekanizmash të tregut të lirë. Ky element u bashkëshoqërua me korrupsionin në rritje, sofistikimin e formave të korrupsionit dhe mbrojtjen e tij me ligje të posaçme.

E thënë thjesht, në tre mandatet e qeverisjes rilindase është ndjekur rigorozisht instalimi i modelit të të centralizuar dhe klientelist (për dallim nga ekonomia e centralizuar e para ’90-s që ishte e natyrës kooperativiste dhe e ndërmarrjeve shtetërore – shoqërore). Ky model sigurisht shfaqi fazat e tij.

Në mandatin e parë vëmendja kryesore ishte mbi prokurimet (si formë e përfitimit dhe grumbullimit të parasë publike); kanabizimin e vendit dhe kontrollin e tregtimit të tij, si dhe rigjallërimin e betonizimit të qyteteve përmes ndërtimit të kullave. Këto objektiva u ndoqën me rigorozitet të plotë pavarësisht propagandës banale të vendosjes së shtetit ligjor duke mbushur burgjet me varfanjakë që nuk kishin paguar faturat e energjisë elektrike. Në mandatet pasuese (i dytë dhe i tretë), modeli ekonomik u plotësua me forma më të zhvilluara klientelizmi e korrupsioni. Teksa kishte filluar të ngadalësohej fuqia fitimprurëse e prokurimeve, u shfaqën koncesionet e shitura në publik si partneritet publik-privat (më të përfolurat koncesionet e inceneratorëve, të ndërtimit të rrugëve, apo të shërbimeve mjekësore); zgjerimi i aktiviteteve të biznesit vetëm për një grup klientelist biznesesh, që sot identifikohen në zhargonin e opinionit publik si oligarkë, largimi i investitorëve të huaj të Perëndimit të pranishëm në Shqipëri prej vitesh, rritja e aktiviteteve kriminale (më i dukshëm trafiku i drogës), shpikja e kategorisë së investitorit strategjik me pasojë gllabërimin dhe keqmenaxhimin e territorit të vendit, sidomos të zonës bregdetare etj. Paralelisht u aplikua një politikë tatimore gjithmonë e më shtrënguese, që godiste shtresën e mesme dhe bizneset joklienteliste, duke favorizuar biznesin pranë qeverisë, u fry administrata shtetërore, si dhe u krijua terreni për një valë masive emigrimi, të përafërt në shifra me emigrimin e vendeve në konflikt si Siria apo Afganistani.

Për të arritur në ditët e sotme kur fuqia e shtetit mbi ekonominë është e madhe dhe fuqia vendimmarrëse është grumbulluar në kreun e qeverisë. Ata ministra e bashkëpunëtorë që ndihmuan në ndërtimin e këtij modeli ekonomik të deformuar e shohin sot veten në procese penale, të arratisur apo të lënë mënjanë, ndërsa kryeministri i tyre shpalos projektin e drejtimit me “të rinj teknikë të paprovuar” (për publikun sepse lidhjet e nëndheshme vërtetojnë gjithnjë e më shumë lidhjet tradicionale me strukturat e vjetra të Partisë së Punës). Edhe në një skuadër futbolli ndodh rigjenerimi i ekipit, qoftë edhe me koston e performancës së pakënaqshme për disa vite. Por rigjenerimi nuk ndodh në prag të një kampionati. Operacioni rigjenerues që po bën Rama në partinë dhe qeverinë e tij në prag të zgjedhjeve të ardhshme lidhet në pamje të parë me sigurinë që ai ka fituar nga përqendrimi i burimeve ekonomike të vendit, nga nevoja për të nxjerrë përballë faktorëve ndërkombëtare një fytyrë me makiazh të ndryshuar, por mbi të gjitha lidhet me atë çka përgatitet për ekonominë e mandatit të katërt.

Qofshim të gabuar, por një fitore e Ramës në zgjedhjet e ardhshme do të thotë sundim i plotë mbi ekonominë e vendit dhe fokus në sektorë të tillë ku jo rrallë në botë zgjat duart mafia.

Është shpallur se do të investohet në industrinë militare;
Është rihedhur në qarkullim ligji për importet e mbetjeve nëkulmin e një skandali mbi eksportin e mbetjeve toksike, kur Tirana dhe qytete të tjera janë të mbytura nga plehrat, apo kur inceneratorët djegin vetëm para publike;
Është në ndërtim kampi i refugjatëve që do të sjellë kontigjente emigrantësh ilegalë të Italisë, duke dorëzuar territor tek një shtet tjetër, krahas emigrantëve të tjerë“politikë” që kemi strehuar në vite, përfshi dhe prurjet nga Afganistani e që fillimisht u shitën si kërkesë e Departamentit të Shtetit;
Është thënë se përballuam me sukses sulmin kibernetik iranian që na nxori në shesh çdo të dhënë dhe prandaj po investohet në sigurinë teknologjike, pa kuptuar se cilët palë të huaja janë angazhuar dhe sa ekspozohet vendi dhe qytetari shqiptar ndaj agjencive apo interesave të huaja;
Është thënë se do e zhvillojmë turizmin elitar, duke na treguar projekte betonizimi të portit apo të ishullit të Sazanit, pavarësisht se kemi të bëjmë me betonizime më të fisme, por që dukshëm po e shndërrojnë modelin e turizmit si atë të Kubës së viteve ’50. Nuk është për t’u habitur që dhe në fshatrat e vegjël malorë turistikë të shtrihen projekte resortesh, hec-esh apo gllabërimi territori që të nxjerrin jashtë loje bujtinat dhe ekonominë ambientale tëasaj pak popullsie që ka mbetur në këto fshatra;
Po punohet për të ngritur një bankë zhvillimi ku pritet tëpërqendrohen fondet e mëdha për investime. Sektori bankar është sektori i fundit i ekonomisë ku qeveria rilindase nuk ndihet se ka pushtet të plotë. Përmes kësaj banke sigurohet edhe shtetëzimi në praktikë i sektorit bankar dhe orientimi i politikës së kreditit, të investimeve, si dhe operacioneve të pagesave e qarkullimit të parasë sipas planeve të qeverisë. Pra, në mandatin e katërt duket se ekonomia do të hyjë në fazën e fundit të marrjes edhe të tiparit të ekonomisë shtetërore, të shtrirë pa dallim në çdo sektor dhe qelizë. Në një fazë të tillë qeveria dhe institucionet e tjera shndërrohen në administratë tërëndomtë pa profil institucional, të tëra në varësi të kryeministrit. Segmentet private të ekonomisë do të varen nga burimi qeveritar. Individët do të rëndohen në taksa dhe pagesa shërbimesh, ku çdo hall do të duhet ta zgjidhin me administratën e patronazhistëve. Kjo rrethanë çon në asgjësim de facto të lirisë individuale dhe në rrënim të asaj pak demokracie që arritën të fitojnë shqiptarët nga vrulli i rrëzimit të komunizmit në Europën Lindore. Prandaj ekonomia e mandatit të katërt do të jetë dhe rikthimi fuqiplotë i regjimit autokrat në Shqipëri, e veshur me petkun e “të rinjve teknikë dhe me veshje firmato”!/vna.al
Exit mobile version