Sipas rezultateve paraprake të studimit, prezantuar në një konferencë ndërkombëtare në Sofje më 2 shtator, norma e punësimit të fshehtë varion në bazë të shteteve në Ballkan, nga një e pesta në Kroaci në katër të pestat të të gjithë të punësuarve në Kosovë.
Në Bullgari, rreth 17.5 për qind e njerëzve punojnë në sektor informal, që është ndjeshëm më e lartë sesa norma mesatare e Bashkimit Europian.
“Arsyeja për ekonominë fantazmë është se ne po dëshmojmë institucione të dobëta në vendet e Europës Juglindore. Kufiri mes asaj që njerëzit e konsiderojnë të drejtë dhe asaj që ndodh në realitet është thyer, gjë që çon në një ekonomi fantazmë”, tha profesori Colin Williams nga Universiteti i Shefilld.
Sipas profesorit Arnis Sauka, nga Shkolla e Ekonomiksit të Stokholmit në Riga, ekonomia fantazmë në Ballkan më së shumti vjen në formë të punës pa kontrata ose deklarimit të pjesshëm të të ardhurave nga punësimi.
Në Maqedoni, 37.3 për qind e sigurimeve shoqërore të punonjësve që paguhen nga punëdhënësit janë më të ulëta sesa pagat reale që ata marrin, theksoi Marija Risteska, drejtoreshë e Qendrës për Kërkim dhe politikëbërje CRPM në Shkup.
Ajo shpjegoi se kriza aktuale në Maqedoni ka kontribuar në përkeqësim të problemit me ekonominë fantazmë në 2016.
Në Bullgari, niveli i punësimit të fshehtë është i vështirë për t’u vlerësuar, pasi shumica e njerëzve nuk punojnë plotësisht në të zezë, por deklarojnë një pjesë të të ardhurave të tyre dhe e marrin pjesën tjetër në “zarf”.
Numri i njerëzve në Bullgari, të cilët punojnë pa kontrata është shumë i ulët, rreth 1 ose 2 për qind e të gjithë të punësuarve, tha Ruslan Stefanov nga CSD, ndërsa në Turqi dhe Kosovë punësimi pa kontrata është edhe më i përhapur.
Për të zgjidhur problemin e punës dhe të ardhurave të padeklaruara, vendet e Ballkanit duhet të zgjidhin arsyet e ekzistencës së saj, jo të luftojnë pasojat, tha profesor Williams.
Ai tha se besonte se, ajo që ka çuar në përhapjen e ekonomisë fantazmë është mungesa e besimit te institucionet shtetërore dhe ndjenja se sistemet e taksimit janë të padrejta, pasi barra më e madhe e taksimit bie mbi njerëzit me të ardhura të ulëta, pavarësisht normave përgjithësisht të ulëta të taksimit.