Forcimi i pushtetit të bandave kriminale në vend dhe dominimi i prezencës së oligarkëve në çdo sektor të ekonomisë po largon masivisht nga vendi investimet e huaja. Rreziku se duke filluar nga viti 2018, investimet e huaja direkte do të bien ndjeshëm është mjaft i madh. Përfundimi në vitin 2018 i projekteve që zënë pothuaj gjithë pjesën më të madhe të stokut të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), projektit të gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit e bën urgjente për qeverinë Rama tërheqjen e investimeve të reja të huaja. Në dy vitet e fundit, 2017-2018 në kuadër të projekti të gazsjellësit Trans Adriatik, një shumë prej 800 milionë eurosh do të investohet në Shqipëri. Kjo shumë përfaqëson kontributin më të madh në gjithë grupin e Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë, aktualisht stoku total i IHD-ve është rreth 1,5 miliardë euro. Po ashtu, ndërtimi i hidrocentralit të Devollit nga kompani norvegjeze “Statkraft” ka investuar rreth 130 milionë euro në vit për ndërtimin e tri hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll. Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjencia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s. Këto institucione, ndër të tjera rekomandojnë dhe zbatimin e reformave, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës dhe forcimin e institucioneve si faktorë që do të përmirësojnë ndjeshëm klimin e biznesit, do të tërhiqnin investime të reja dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit.