Ekonomia në greminë, stoku i borxhit do shtohet me 246 mln euro më 2018-n

Stoku i borxhit publik pritet të zgjerohet vitin që vjen me rreth 246 milionë euro, me synimin për të arritur në 68.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave më 2018. Stoku i borxhit publik total, përfshirë borxhin shtetëror të garantuar, vlerësohet të arrijë në 1,135,620 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit.
Stoku i borxhit publik në raport me PBB-në është vënë në trajektore rënëse, por gjithsesi ulja është e sforcuar dhe nuk i ka qëndruar parashikimeve të qeverisë shqiptare më 2014 që me shtrëngimin fiskal, treguesi i borxhit në raport me PBB-në të zbriste në nivelin 64% më 2019.
Deficiti buxhetor për vitin 2018 planifikohet të jetë në nivelin 2.0% të PBB. Për të tretin vit radhazi, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.6%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të dytin vit radhazi. Sipas Ministrisë së Financave, ky nivel deficiti garanton trendin rënës të borxhit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.
Financimi i deficitit do të realizohet nëpërmjet huamarrjes së brendshme dhe asaj të huaj, e cila do të bazohet tek huatë me terma pjesërisht të favorshme në kuadër të financimit të projekteve prioritare të qeverisë, huatë me terma të favorshme në kuadër të mbështetjes së politikave zhvillimore të ndërmarra nga qeveria dhe huamarrja me terma tregtare, në rast se kushtet e tregjeve financiare do të jenë optimale.
Në bazë të ligjit organik të buxhetit, në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) ligji vjetor i buxhetit 2018 targeton një nivel të borxhit publik total në 68.8% të PBB nga niveli prej 69.1% e PBB i targetuar për vitin 2017.
Vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë se vlera respektive e parashikuar ose e vlerësuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar në kohën kur ligji vjetor i buxhetit dorëzohet për miratim në Kuvend.
Në përputhje me këtë dispozitë (rregull fiskal) të LOB, ligji vjetor i buxhetit 2018 bazohet në projeksionet e mëposhtme të PBB nominale, të cilat paraqiten në mënyrë krahasimore kundrejt projeksioneve të raportit “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, më i fundit i publikuar më tetor 2017″.

Artikulli paraprakKryemadhi-Hahn: Luftë krimit dhe drogës qeveritare
Artikulli tjetërVeliaj hap tenderin prej 11 milionë euro, edhe pesë shkolla të tjera me koncesion