Një javë pasi Britania votoi për të dalë nga Bashkimi Evropian për shkak të shqetësimeve ndaj globalizimit, paralelizma po shfaqen tek perceptimi i votuesve amerikanë gjatë një fushate të nxehtë presidenciale. Në Filadelfia, dikur qendër e manifakturës amerikane, banorët janë të ndarë për sa i përket rolit që duhet të marrin Shtetet e Bashkuara në ekonominë globale.
Ajri përreth kësaj fabrike në Filadelfia kishte dikur aromën e biskotave.
Por, së bashku me aromën janë larguar edhe 350 punëtorë kur firma prodhuese e biskotave të famshme Oreo u zhvendos diku tjetër.
Përballë rrugës, pronari i një firme makinash, Art Millevoi, kujton se si miqtë e tij humbën vendet e punës.
“Shohim kaq shumë të papunë; njerëz që humbin vendet e punës në të pesëdhjetat. Njerëzit tani janë në punën e tyre të tretë apo të katërt, ndërsa prindërit tanë patën një punë gjatë gjithë jetës dhe morën pension dhe sigurime shoqërore. Ne nuk kemi më garanci të tilla”.
Zoti Millevoi thotë se do të reduktojë biznesin e tij për shkak të taksave dhe tarifave.
Ai thotë se qeveria duhet të mbështesë bizneset e vogla dhe të ruajë kompanitë e mëdha që të mos largohen drejt Meksikës.
“Marrëveshja tregtare NAFTA e ka bërë shumë të lehtë për kompanitë e mëdha për t’u larguar. Dhe njerëzve që u ishin premtuar vende pune u shpërndanë për ca kohë. Dëgjoj që edhe kompani të tjera po mbyllen, si në Çikago”.
Vetëm 20 milje më në jug, përgjatë lumit Delaware, pamja ndryshon krejtësisht, ndërsa kamionët marrin kontenierët në këtë mëngjes të ngarkuar me punë.
Në mes të rrëmujës së fabrikave dhe anijeve të transportit, gjendet restoranti që u shërben mëngjes dhe drekë shoferëve të kamionëve dhe punëtorëve të portit, që nga viti 1910.
Pronari Joe Trocino, babai i të cilit e bleu pronën në vitin 1966, thotë se biznesi ka patur ulje-ngritje, sipas situatës së ekonomisë.
“Nëse ofroj produkt të mirë, nëse e çel biznesin në orar çdo ditë dhe nëse i përmbahem orarit, atëherë klientët krijojnë besim dhe do të rikthehen gjithnjë”.
Klienti Kevin Kundla thotë se pothuajse të gjithë punëtorët në port u pushuan gjatë krizës së vitit 2008. Që atëherë biznesi e ka rimarrë veten.
Në këtë periudhë kur flitet vetëm për daljen e Britanisë nga BE-ja apo për globalizimin, ai thotë se Amerika nuk mund t’ia dalë mbanë e vetme.
“Nuk mendoj se SHBA-ja duhet të vetizolohet. Është një ekonomi globale. Im bir jeton matanë oqeanit dhe unë udhëtoj për në Azinë Juglindore, madje do të shkoj prapë për dy javë”.
Ky debat për tregtinë dhe rolin e SHBA-së në ekonominë globale do të shtohet ndërsa votuesit amerikanë do t’u drejtohen kutive të votimit në muajin nëntor.