Ekonomistët kundër TVSH ndaj biznesit të vogël

Sipas specialistëve, bizneseve me xhiro nga 0-25 mijë dollarë në vit, kostoja e përmbushjes tatimore u merr 10-18 për qind të xhiros vjetore. Për bizneset me xhiro mbi 100 mijë dollarë në vit e njëjta kosto u merr vetëm 1 për qind të xhiros. (Burimi, FMN).
Pikërisht natyra regresive e kostos së vetëpërmbushjes nënkupton se pragu më i mirë i tvsh-së nuk është zero. Por ku duhet vënë ky prag? Sa duhet të jetë kufiri i xhiros, nën të cilin bizneset duhen përjashtuar nga skema e TVSH-së?
“Nuk ka një kufi të përcaktuar one size fits all, sepse kjo varet nga tre faktorë. Niveli i administratës, kostoja e përmbushjes dhe përfitimi social neto nga të ardhurat që mblidhen nga taksa. (Burimi FMN, The modern VAT, Ebrill and others 2001)
Këto janë kostot nga krahu i biznesit. Por përfshirja e të gjitha bizneseve në tvsh ka kosto edhe për administratën.
Ka një rregull të pashkruar në sistemet fiskale, që mban thuajse në çdo vend. Statistikisht, 70 për qind e të ardhurave tatimore që mbledh një shtet në buxhetin e tij, vijnë nga vetëm 1 për qind e bizneseve.
Këto janë korporatat e mëdha. Bizneset e vogla, ndonëse zenë 80-90 për qind të numrit total të bizneseve, japin vetëm 10 për qind të të ardhurave tatimore. (Burimi Micheal Keen, FMN fiscal department)
Pra administratës do i duhet të kontrollojë 90 për qind të bizneseve për të mbledhur 10 për qind të të ardhurave.
Dhe sigurisht, përtej këtyre dy argumentave shumë të fortë, është dhe një tjetër jo më pak. Dimensioni social. Ne sakrifikojmë disa të ardhura nga taksat, për të marrë ca vende pune më shumë, që zbusin varfërinë.
Ka një arsye se pse shumica e vendeve, përfshirë ato më të zhvilluarat me administratë tatimore shumë eficente, nuk i përfshijnë të gjitha bizneset në skemën e tvsh. Përjashto disa shtete, të cilat nuk janë model i mirë i administrimit fiskal, si Greqia apo Spanja, të gjithë vendet e tjera fillojnë e zbatojnë tvsh-në nga mbi një prag xhiroje që luhatet nga 20 deri në 100 mijë euro.
Megjithatë ky është një debat i gjatë me argumenta dhe kundërargumenta. Por sërish, shkencërisht ekuilibri optimal i pragut të tvsh-se nuk është zero.

Artikulli paraprakPikiata e bizneseve të vogla nga vendosja e TVSH-së
Artikulli tjetërPlagoset me thikë një person në Peqin, autori në arrati