Ishte një konflikt banal mes fëmijësh, që dy vëllezërit i rrëzoi përdhe dhe i la aty me plagë në kurriz. Teksa tregon plagët e të dy djemve, nëna akuzon komisariatin numër 2 se nuk veproi dhe se policia nuk i arrestoi të miturit që i plagosën fëmijët.
Por për shkak të drejtësisë miqësore për të mitur, policia insiston për TCH se mbasi mori gjeneralitetet e autorëve edhe ata nën moshë, i la të lirë mbasi ligji e ndalon.
“Unë dua që ata të marrin dënimin, që ta kuptojnë gabimin që kanë bërë. Dhashë denoncimin në polici, ua thashë emrat por policia nuk i arrestoi“-shprehet 17-vjeçari.
“Jam e shqetësuar. Më erdhën në derë të shtëpisë, ishin me thika ata kalamaj”-shprehet nëna e tyre.
Kodi i drejtësisë për të mitur hyri në fuqi në janar 2018 dhe prej atëherë ministria e drejtësisë kishte detyrimin të bënte funksionale disa struktura që duhet të trajtojnë specifikisht të miturit që janë në konflikt me ligjin pra që janë autorë veprash penale. Një ndër to është struktura që kontrollon masat e kufizimit të lirisë dhënë nga gjykata dhe tjetra struktura që mbikëqyr masën edukuese. Kjo e fundit duhet të ishte , pothuajse e njëjtë si ajo që dikur njihej si shkolla e vagabondëve.
Prokuroria dhe policia bëjnë me dije për TCH se gjatë 2023 u trefishua, numri i fëmijëve të përfshirë në krime duke nisur nga konfliktet që burojnë nga rrjetet sociale, sherret masive për shkaqe intime, bullizimit, kanosjes , plagosjes , vjedhjeve shpërndarjes dhe posedimit të dogës si dhe drejtimit të mjetit pa leje. Por aktualisht ekziston vetëm instituti i të miturve në Kavajë .
Kodi i të miturve premton për interesin më ta lartë, të fëmijës. Ndaj përveç asaj që gjykatat dhe prokuroria zbaton që është shmangia nga dënimit, duhet të shpallë edhe masë edukuese . Por deri më tani ka dhënë vetëm një të tillë, që i përket një fëmijë 13 vjeç i cili tentoi të vrasë bashkëmoshatarin. Për shkak se ajo nuk u zbatua nga mungesa e strukturës , gjykata nuk ka shpallur më vendime të tilla.
Dënimi i kufizimit të të miturit është shpallur vetëm në dy raste, njëri prej tyre ndaj fëmijës që izoloi të ëmën në shtëpi mbasi i kërkonte lekë për të blerë drogë.
“Kam frik të dal , më duket sikur do vijnë e do më sulmojnë”
Për vitin 2023 në të gjithë vendin u dëmtuan 41 fëmijë nga konfliktet . 70 u identifikuan si autorë./ Top Channel