EKSKLUZIVE/ Pavarësia dhe Austro-Hungaria

Nga Evarist Beqiri

“Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë iniciativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…”

–        Konti Leopold Bertold, ish-ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë

Shumë është folur dhe shumë është shkruar lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në realizimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të theksojmë që në fillim se mbështetja politike austro-hungareze dhe italiane ishte tepër e rëndësishme në themelimin e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, përtej mitizimeve dhe komplekseve ndaj të huajve, të cilat fshehin në rastin më të mirë injorancën dhe në më të keqin dashaligësinë, vlen që të analizojmë me objektivitet ngjarjet dhe faktet historike. Sepse sa më të qartë që të shikojmë të shkuarën tonë, aq më të kthjellët mund të dallojmë në mugëtirë të ardhmen tonë…

Përtej servilizmit klishe, duhet theksuar qysh në krye të herës, se Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera, të gjendura përballë presionit të pan-sllavizmit në rritje, ishin për ruajtjen e status kuo-së në Ballkan. Ato ishin kundër shkëputjes së popujve të tjerë joturq nga perandoria. Prandaj, patriotët shqiptarë kërkonin fillimisht autonominë nga Perandoria Osmane. Shkëputja e shqiptarëve nga shteti osman, qoftë edhe me rrugë revolucionare, do të ligjëronte ndërhyrjen e shteteve fqinje që në fakt e prisnin këtë moment, siç edhe ndodhi…

Në këto kushte patriotët shqiptarë po punonin për ngritjen e shkallës së ndërgjegjes kombëtare duke intensifikuar punën për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare. Ismail Qemali, në periudhën që jetoi në Bruksel dhe po punonte për çështjen shqiptare, zhvilloi takime me diplomatë të ndryshëm. I tillë ishte edhe ai me kontin Metsch Khevenhuller, ambasadori austro-hungarez në Bruksel, i cili u përcoll në një raport të dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë kontit Goluhovski, nga Brukseli, më 6 qershor 1901. Në raport ai pasqyronte bisedën diplomatike të zhvilluar midis tij dhe Ismail Qemalit.

Në këtë takim Ismail Qemali, i kërkonte drejtpërdrejt konsullit austro hungarez mbështetjen e Austro-Hungarisë, në çuarjen përpara të çështjes shqiptare, duke zgjuar vetëdijen kombëtare shqiptare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla. Njëkohësisht, ai kërkonte mbështetjen për të forcuar idenë e autonomisë dhe gradualisht Shqipëria të përgatitet që të qëndrojë vetë në këmbë si shtet i pavarur, në rastin e shkatërrimit eventual të Perandorisë Osmane.

Në raportet diplomatike të kësaj periudhe pasqyrohet edhe shtimi i kontrolleve ndaj përdorimit të librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Kjo shfaqje e nervozitetit të autoriteteve osmane dhe shqetësimi i madh i tyre, vihet re menjëherë pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Stambolli. Autoritet turke e kishin rritur vigjilencën në Shqipëri, pasi Ismail Qemali bënte pjesë te shqiptarët më të shquar që shërbenin në shtetin osman. Gjithashtu, Ismail Qemali kishte shumë pasues në Shqipërinë e Jugut, të cilët e vlerësonin atë si një burrë shteti me kulturë të madhe. Këto fakte i shqetësonin autoritetet osmane. Por ata me reagimin e tyre agresiv ndaj arratisjes së Ismail Qemalit, i veshën atij një aureolë më të shndritshme.

Në vazhdën e këtyre veprimeve, pallati ngarkoi Esad pashë Toptanin për të mbledhur nënshkrime në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut, për një deklaratë kundër Ismail Qemalit. Patriotët shqiptarë dhe e gjithë popullata që ishte e pakënaqur me gjendjen, filluan të ushqenin shpresa dhe ideale të mëdha te figura e Ismail Qemalit. Këto zhvillime e shndërruan atë në personalitetin më të rëndësishëm shqiptar. Për pasojë autoritet osmane u frikësuan dhe u bënë edhe më tepër nervoze. Ata filluan të kryenin kontrolle të shumta në shtëpitë e patriotëve shqiptarë. Ata kryen edhe arrestime të patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe Turqi.

Qysh në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, Ismail Qemali pranohej gjithësisht si udhëheqësi i shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, edhe pas fitores së Revolucionit Xhonturk (1908), ai shikohej si një prej figurave kryesore otomane. Dy ngjarje të rëndësishme për fatin e Ballkanit do të zhvilloheshin në vitin 1908: aneksimi i plotë i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe deklarimi i pavarësisë së Bullgarisë.

Xhonturqit e kuptuan se, nëse do të ecej në këtë linjë, fundi i sundimit osman do të ishte i shpejtë, ndaj menjëherë ua filluan politikave centralizuese. Në këto momente ekzistonin dy rryma patriotike shqiptare: 1) Krahu kombëtarist i kryesuar nga Ismail Qemali ishte që ky moment të shfrytëzohej dhe shteti osman të njihte zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar. Njëkohësisht Shqipëria të vetëqeverisej si një entitet politik i mirëpërcaktuar; 2) Krahu i moderuar, i kryesuar nga Mid’hat Frashëri ishte për avancimin e kërkesave kulturore dhe për arsim në gjuhën shqipe. Ndërkohë ata nuk ishin për kërkesa politike.

Kryengritja e vitit 1910, në Kosovë u mbështet fuqishëm nga deputetët shqiptarë në Parlamentin Osman, ku spikatën Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga dhe Myfit Libohova. Ismail Qemal Vlora gjatë aktivitetit në parlamentin turk, mbrojti me kurajë luftën e shqiptarëve të Kosovës në kryengritjen e vitit 1910, kundër qeverisë xhonturke, e cila po dhunonte të drejtat dhe liritë e tyre. Në fjalimin e tij, ai u kërkonte xhonturqve që të mbanin fjalën e paraardhësve të tyre, e të respektonin traditën shekullore në marrëdhëniet shqiptaro-turke, duke mos u përzier në punët e brendshme të Shqipërisë. Në përshkrimet e politikanëve dhe diplomatëve austriakë, kryengritja në Shqipërinë e Veriut shikohej si vepër personale e Ismail Qemalit. Sipas tyre ai ishte i bindur se herët a vonë Austro Hungaria do të detyrohet t’i ndihmojë shqiptarët në luftën e tyre për liri.

Por, deri në vitet 1910 – 1911, qëndrimi dhe politika zyrtare e Austro Hungarisë ndaj popullit shqiptar, nuk shkonte përtej simpatisë dhe interesit që ai të zhvillohej në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në pajtim me interesat shtetërorë turq. Austro-Hungaria i shikonte shqiptarët si një element shumë i rëndësishëm i Perandorisë Osmane. Austro-hungarezët ishin si me shqiptarët ashtu edhe me Turqinë dhe nuk dëshironin të ndërhynin në punët e brendshme të Perandorisë Osmane.

Ndërkohë Ismail Qemali, me vizionin e tij largpamës, vazhdonte të kërkonte me ngulm mbështetjen e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare, duke parë në horizont shkatërrimin e afërt të Perandorisë Osmane. Aftësitë politike dhe diplomatike të Ismail Qemal Vlorës do të dilnin përsëri në pah, në formulimin e Memorandumit të Greçës, në qershor 1911. Ky dokument ishte mishërim i kërkesave shqiptare për një autonomi të plotë. Ai ruante frymën e dokumenteve themelore politike të gjysmës së dytë të shek. XIX.

Gjithsesi, ky zhvillim politik në tokat shqiptare i dëshmoi opinionit të gjerë ndërkombëtar se në Ballkan kishte ende një problem të pazgjidhur. Ky memorandum u bë dokumenti politik bazë për çfarëdo lloj hapi politik që do të hidhej më pas. Më në fund, në prag të rënies së Perandorisë Osmane, Austro Hungaria e pa Shqipërinë e pavarur si aleaten e vetme në Ballkan në përpjekjen e saj për t’i vendosur një barrierë pansllavizmit dhe ekspansionit italian. Por, me gjithë rolin e rëndësishëm të Austro Hungarisë, Pavarësia e Shqipërisë nuk u dhurua. Sepse askush nuk fal asgjë në arenën e politikës ndërkombëtare. Përveç mbështetjes politike, nga pikëpamja logjistike kërkesa që austro-hungarezët i plotësuan Ismail Qemalit ishte minimaliste, por e rëndësishme. Ata i vendosën në dispozicion një mjet lundrimi për të mbërritur në brigjet shqiptare.

Sagës për pavarësinë shqiptare po i vinte fundi. Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen  austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që po shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën para zbritjes në Durrës. Nën yjet e netëve magjike të vjeshtës shqiptare, Providenca hyjnore kishte parashikuar që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet që të bënin një ndalesë të fundit, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Heroit tonë Kombëtar, në Rodon. Duket se heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte mbrojtjen dhe bekimin e tij Ismail Qemalit, në këtë vjeshtë të artë të shqiptarisë…

Ja si e kujton këtë çast një pjesëmarrës në këtë ngjarje, Dhimitër Zografi: “Në të njëjtën ditë me delegatët e Bukureshtit mbërritën në Trieste edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin (që ktheheshin nga vizita në Austro-Hungari; shënim i E.B.). Ata sollën lajmin se Vlora ishte bllokuar nga grekët, ndaj duhej të niseshin menjëherë drejt Durrësit pa u mbyllur ende kjo rrugë. Në dispozicion të delegatëve shqiptarë, Austria kishte vënë vaporin special “Graf Wurmbrandi”. Misioni i tyre do të kishte mbrojtjen e Austrisë dhe  Italisë. Në Trieste blenë armë dhe municione dhe u nisën drejt Shqipërisë. Një vapor tjetër i Austrisë ndiqte gjithçka që ishte duke  ndodhur në Shqipëri…

Në Durrës, Ismail Qemali nuk dëshironte të vonohej aspak. Ai shpjegoi gjendjen aktuale të Shqipërisë. “Turqia i lau duart nga Ballkani,” – u tha ai, – “por që Shqipëria të mos bjerë në një robëri tjetër duhet të ngrejmë flamurin dykrenor kuq e zi, dhe të shpallim vetëqeverimin e Shqipërisë të mirëpritur edhe nga Fuqit e Mëdha…”. Një çast gjithë mbledhja mbeti e hutuar, ajo që dëgjuan nga goja e Ismail Qemalit ishte mes së besueshmes dhe të pabesueshmes.

Faktikisht, asnjëra nga Fuqitë e Mëdha nuk kishte ndërmend që të na falte Pavarësinë. Nëse ajo nuk do të bëhej në atë moment të fundit, nuk do të mund të realizohej më kurrë. Nëse Ismail Qemal Vlora nuk do të kishte mbledhur patriotët nga mbarë trojet shqiptare atë fund nëntori në Vlorë, me siguri që Shqipëria do të copëtohej njëherë e mirë midis fqinjëve grabitqar.

Prandaj, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë duhej të bëhej me çdo kusht, gjallë a vdekur. Vetëm në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha do t’i njihnin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Sepse nëse ka diçka që historia e njerëzimit na mëson, është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Pavarësia e Shqipërisë i ka themelet tek lufta shekullore për liri, tek sakrificat dhe gjaku i derdhur ndër shekuj nga shqiptarët. Austro-hungarezët e mbështetën Ismail Qemalin, sepse ishin të vetëdijshëm që ai ishte i vetmi lider që mund t’i përbashkonte shqiptarët në këtë moment historik. Ata u pajtuan me krijimin e Shqipërisë së pavarur, pavarësisht përmasave të saj. Fuqia e perandorisë austro-hungareze ndikoi që çështja shqiptare të gjente një zgjidhje, qoftë kjo edhe e pjesshme. Megjithatë, trojet shqiptare u copëtuan brutalisht, duke lenë jashtë kufirit thuajse gjysmën e popullsisë etnike shqiptare…

Ismail Qemali, jo pa trishtim, do të shprehej: “Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të zmbrapsur sulmin e padrejtë [të fqinjëve], […] , atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat … do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. … Edhe nëse diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë.”.

Në intervistën e dhënë për gazetën më të madhe austriake të kohës “Neue Freie Presse”, në Vjenë më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalosi idetë e tij për politikën që do të ndiqte shteti shqiptar në raport me fqinjët ballkanikë. Ai e krahason pretendimin e Serbisë për të pasur një port në Adriatik, njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male, të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.

Ismail Qemali deklaron më tej se, Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milionë e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të Sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Duke marrë si model “fanarin e lirisë” në botë ShBA-të, Ismail Qemali tha se: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mundtë shkonte hekurudha. Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë.”.

Për marrëdhëniet me dy Fuqitë, të cilat përkrahnin idenë e shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali shprehet se dëshironte të kishte marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë dhe me Italinë, në mënyrë që këto dy shtete të mbështesin nevojat tona kulturore dhe ekonomike. “Një vendi të vogël i nevojitet përkrahja e shteteve të mëdha dhe është e qartë se kjo mbështetje te dy vendet aleate të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia, do të vijë vetvetiu. Kështu, monarkia e madhe fqinje, mysafir i së cilës jam tani, mund të ketë vetëm përfitime nga një Shqipëri e pavarur,” – përfundon Ismail Qemali.

Patrioti i shquar gjirokastrit Thoma Papapano na sjell një dëshmi autentike, kur përshkruan në kujtimet e tij një vizitë që zhvilloi një delegacion qeveritar shqiptar në Europë në vitin 1913, për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi. Në përbërje të delegacionit ishin disa personalitete shqiptare si Myfid Libohova, Petro Poga, Rauf Fico, Thoma Papapano, Eqrem Vlora, Lame Petri dhe Ajet Libohova. Interesant është përshkrimi që ai i bën takimit të zhvilluar në Vjenë, më datë 21 gusht 1913, me ministrin e Jashtëm austro-hungarez kontin Leopold Berchtold: “…E kur ishim duke dal nga zyra e tij duke e përshëndetur e duke e falënderuar na ndali e na tha: “Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë inisiativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…” (AQSH. F. 441, D, 846. Kujtime të Thoma Papapanos, f. 103-111).

Ky rrëfim përputhet edhe me një tjetër dëshmi autentike, të shkruar te gazeta “Bashkimi i Kombit”, më 11 gusht 1944: “Myfit Libohova mbi disa ngjarje,” – shkruan Ali Asllani – “ish larguar i zemëruar nga Plaku, nuk vinte të merrte pjesë në mbledhje të Këshillit Ministror, por kur u kthye nga Vjena dhe nga Roma që kish vuajtur, ndryshojti sjelljet e tija dhe në mbledhjen e parë të Këshillit erdhi. Atë ditë para se të fillonin bisedimet, duke iu drejtuar Ismail Qemalit tha: “Bej Efendi, të më falni, unë kam pandehur se zotrote erdhe në Shqipëri i shtytur dhe i këshilluar nga dy mbretëritë mbrojtëse, kurse nashti që isha në Vjenë dhe në Romë nga goja kompetente dëgjova dhe mora vesh të vërtetën; pra më epni leje të Ju puth dorën.”.

Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, konti Berchtold (Bertold), më 17 nëntor 1912, kërkoi bashkëpunimin e Italisë lidhur me rregullimin e problemit shqiptar. Në telegramin drejtuar homologut të tij italian, ai bënte me dije interesin e përbashkët që palët kishin në krijimin e një Shqipërie autonome, që duhej të përfshinte në kufijtë e saj të gjitha territoret që banohen ekskluzivisht prej shqiptarëve, ose të paktën, krahina të banuara në shumicë prej tyre. Austro Hungaria nuk e mbështeste daljen e Serbisë në Adriatik, ndërsa në lidhje me kufijtë e Jugut, pranonte t’i jepte Greqisë territorin në jug të lumit Kalamas.

Rivaliteti midis Austro-Hungarisë dhe Italisë në çështjen shqiptare ndikoi në arritjen e një marrëveshje midis tyre që në vitin 1907. Sipas marrëveshjes të arritur nga ministrat e Jashtëm Erental dhe Titoni, formimi i shtetit shqiptar ishte e vetmja zgjidhje që ju përgjigjej interesave të tyre reciproke në rast pamundësie të ruajtjes së sundimit osman në këtë rajon. Qëndrimi i tyre për ruajten e statuskuosë mbeti i pandryshuar edhe pas fillimit të luftërave ballkanike. Dhe, në fund, Fuqitë e Mëdha do të pajtoheshin me krijimin e një Shqipërie të pavarur, paçka se cilat territore do të përfshiheshin në shtetin e ri…

Diplomati austriak Alfred Rappaport, i cili ishte njohësi më i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë në ministrinë e jashtme austro-hungareze, shkruan se Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali “ka qenë një kusht kryesor për ndryshimin e planeve rrënuese kundrejt Shqipërisë. Ismail Qemali diti të zgjedhë në mënyrë gjeniale vendin dhe kohën për veprën e madhe diplomatike”. “E vetmja punë e mirë gjatë këtyre dy muajve (d.m.th prej shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike deri në hapjen e Konferencës së Londrës),” – thotë Alfred Rappaport – “qe ajo e Ismail Qemalit, d.m.th, shpallja e vetëqeverimit të Atdheut të tij në Vlorë më 28 nëntor. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme kishte një kuptim të thellë diplomatik, sepse diti të zgjidhte kohën më të volitshme për hapin që bëri; kështu që, me shfaqjen e vullnetit të popullit shqiptar u dha në dorë atyre që përpiqeshin për vetëqeverimin e Shqipërisë një argument të shëndoshë për konferencën që do të hapej. Përveç kësaj, ishte një punë me të vërtetë shumë e urtë shpallja e Pavarësisë në një vend të cilin aleatët ballkanikë nuk e kishin pushtuar akoma; sepse për këta nuk ishte gjë e lehtë t’ia mbyllnin gojën Qeverisë së Përkohshme.”.

Në prag të përvjetorit të parë të pavarësisë në tetor 1913, Ismail Qemali, në fjalimin para popullit në Vlorë, ndër të tjera thotë: “Mundet se q’atëhere e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’munt t’i mohohet qeverrisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bani qeverrija për të mos lanë të vobektin të vuajë.

Kur Europa ish duke vendosur fatin t’ënë, na rronim në këtë qytet të mbyllur, pa pasur asnjë marrëdhanije me botën e jashtme dhe pa ditur se qysh do t’i vente filli çështjes sonë. Kuptohet lehtas, pra, se interesi i math që për ne që të dilnim përjashta e të përpiqeshim për të drejtat t’ona që ishin në rrezik. Gjetëm mënyrën për të dalur, dualëm dhe pik së pari u përpoqëm për hapjen e bllokut, që qarkonte Vlonën e që aq shtërngime i kishte sjellur njerzis së këtyre viseve, sa që me gjith masat e qeverisë, njerëzia druante fort ditën e nesërme. Përjashta e kuptuam qysh edhe kush ishte përpjekur për të mirën e këtij vendi.

Mbasi ishte vendosur që të bahej një Shqipërie, gjendej ahere nën bisedim çashtja e kufijve të jugës sepse nga ana e veriut dhe verilindjes konferenca ua kishte dhanë dënimin e vdekjes së Kosovës edhe Dibrës. S’ka dyshim, ish detyrë e Qeverris, të përpiqej që të mos jes asnjë Shqiptar jashtë Shqipërisë. Por, fatkeqësisht, nuk ishim mjaft të përgatitur dhe megjithë që Austria i mbajti 1 milion ushtarë në këmbë, dhe Italia u përpoq me gjithë mënyrat dhe Anglia desh të na mbrojë por, që të mos kërcasë një luftë europiane, u shtërngua të na bëjë theror.”

Në mbyllje Ismail Qemal Vlora e parashikon se, do të vij dita kur do të ketë drejtësi për çështjen shqiptare dhe deklaron: “Ne kemi besim të patundëm te drejtësia e atyne q’e kanë në dorë fatin e kombit t’onë. Ata do të dinë t’i peshojnë arësyet q’e shtyjnë Malësorin t’onë të rëmbejë pushkën e t’a fitojë me ndihmën e ‘saj atë të drejtë të cilën s’mundi t’a fitojë me urtësi pasi u përpoq dhe e cila duheshe fituar me doemos. Na presim të shohim Europën duke vënë në peshën e ‘saj, drejtësiën, durimin, urtësiën dhe gjakun t’onë të derdhëm bujarisht me nj’anë; dhe m’anën tjetër padrejtësiën, poshtësiën, dhe gjakun e Serbëve të derdhun cubërisht.”

Mit’hat Frashëri, i cili shërbeu në Qeverinë e Vlorës, do të shprehej: “Pa dashur të bënj apologjinë e Ismail Qemal beut, i cili në të tjera pika munt të ketë do të meta, padyshim që ai pati meritën e iniciativës dhe te talentit diplomatik, dhe këto cilësi do t’i sigurojnë për kurdoherë nje vënt në kujtimet mirënjohëse të kompatriotëve të tij dhe të albanofilëve.”.

Ismail Qemal Vlora hodhi themelet e ndërtimit të shtetit modern shqiptarë. Ai konceptoi vijën politike mbi të cilën do të ecte ky shtet. Mbi trashëgiminë e tij u ngritën themelet e institucioneve shtetërore shqiptare. Vizioni i Ismail Qemalit vijon që t’a udhëheq diplomacinë shqiptare.

Doktrina politike e Ismail Qemalit e konceptoi Shqipërinë si një faktor ekuilibri, stabiliteti dhe paqeje në Gadishullin e Ballkanit; një rol të tillë Shqipëria e ka luajtur dhe vijon ta luajë me sukses edhe sot e gjithë ditën në Gadishullin Ilirik. Ismail Qemali theksoi rëndësinë e faktit që për ta realizuar përfundimisht këtë synim, duhet që të respektohen të drejtat kombëtare, pavarësia dhe tërësia territoriale e shtetit të ri shqiptar: “Jemi të bindur se qëndrimi me drejtësi ndaj nesh do të jetë jo vetëm në të mirën tonë, por edhe të atyre që synojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garantimi i tij do të jetë një nga faktorët më të frytshëm për paqen në Lindje dhe në botë. Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj.”.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Exit mobile version