Eksodi i Kosovës në ‘99, Presidenti shpall Kukësin “Nderi i Kombit”

Edhe pse para 16 viteve Kukësi u bë qyteti i parë në botë që kandidonte për çmimin “Nobël” për mikëpritjen dhe bujarinë ndaj popullsisë kosovare, pasi okupatori serb i dëboi me dhunë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka akorduar këtij qyteti tutullin “Nderi i Kombit”.
Ky urdhër i jepet Kukësit për solidaritetin, mikpritjen e rrallë dhe humanizmin e pashoq të treguar ndaj motrave e vëllezërve shqiptarë nga Kosova, gjatë shpërnguljes së tyre masive me dhunë nga makineria ushtarake e Millosheviçit në vitin 1999.
Kreu i shtetit e cilësoi unike dhe të papërsëritshme pritjen që kuksianët i bënë vëllezërve e motrave kosovarë. “Mikpritja është pasuria që trashëguan shqiptarët. Ju sfiduat edhe skeptikët e kohës, meritoni të viheni në piedestal”, iu drejtua Presidenti kuksianëve në cermoninë e posaçme te organizuar në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”.
“Nuk u lejua që kriza e refugjatëve të shndërrohej në një katastrofë humanitare. Çfarë në ato kohë Milosheviçi dëshironte, padyshim për të akuzuar më pas edhe Perëndimin. Ju shpëtuat jetën e mijëra njerëzve. Ju u kujdesët për të sëmurë, të plagosur, të keqtrajtuarit nga një ushtri kriminale e kohës e Serbisë. Në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si qytetar i këtij vendi të ndaj me ju krenarine e të qenit krenar bashkëatdhetari juaj dhe t’i akordoj Bashkisë së Kukësit, dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, u shpreh Presidenti Nishani.
Bashkia e Kukësit ka zhvilluar një sërë aktivitetesh më këtë rast. Ndërsa Organizata joqeveritare “Eksodi ’99”-Mitrovicë, i dha Bashkisë Kukës mirënjohje për pritjen vllazërore dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhënë eksoduesve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.
Në vitin 1999 më shumë se gjysmë milioni banorësh të ardhur nga Kosova për shkak të shpërnguljes me dhunë nga forcat serbe u strehuan në kampet dhe shtëpitë e kuksianëve, ndërsa 400 mijë të tjerë kaluan përmes këtij qyteti për t’u vendosur në qytetet e tjera të Shqipërisë. Në vitin 2000, Kukësi ishte qyteti i parë që u kandidua për Çmimin “Nobël” për paqe. Titulli “Nderi i Kombit” është një ndër më të lartët në Republikën e Shqipërisë dhe ky vlerësim i jepet për herë të parë një qyteti.

Artikulli paraprakGjushi, 10 miliardë lekë për një rrugë të rikonstruktuar
Artikulli tjetërGati projektet, Bashkia Kamëz kërkesë qeverisë për ndërtimin e 3 kopshteve të reja