Këshilli i Ministrave do të miratojë të mërkurën ligjin e ri të procedurave tatimore. Kjo është hera e katërt që ky ligj po ndryshon në tre vitet e fundit, por i vetmi që do të rindërtojë marrëdhënien e re mes komunitetit të biznesit dhe organeve taksambledhëse. Nëse në vitet e mëparshme, ligji ndryshoi në kahun e kundërt, për të rritur taksat dhe për të shtrënguar biznesin, këtë radhë ai lehtëson procedurat dhe plotëson një numër të konsiderueshëm kërkesash të stërthëna nga shoqatat e sipërmarrësve. Një drejtori apeli e pavarur dhe vendime gjykatash të unifikuara.
Për çdo kontestim që ka biznesi mbi një gjobë apo një akt konstatimi të mbajtur nga inspektori tatimor, hapi i parë që duhet të bëjë në ankimimin e saj është Drejtoria e Apelit, një strukturë që varet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Por duke qenë se drejtori i kësaj njësie në shumë raste kishte konflikt interesi, vendimet e Apelit në shumicën dërrmuese të tyre penalizonin biznesin, çka bënte që ai të vijonte më tej dhe t’i drejtohej gjykatës. Afërsisht 80% e rasteve të ankimuara në Drejtorinë e Apelit refuzohen të merren në shqyrtim ose rrëzohen, çka ka bërë që vetë komuniteti i biznesit të kërkojë heqjen e kësaj hallke ose bërjen e saj të pavarur. Me projektligjin e ri, ankimimi i biznesit ngrihet si strukturë e pavarur nga Drejtoria e Tatimeve dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave. Funksionimi dhe vendimet e saj do të varen nga bordi. Ministria e Financave ka përfunduar tashmë ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, që erdhën pas një konsultimi të gjatë me biznesin. Më poshtë janë ndryshimet kryesore:
“Struktura e Apelimit Tatimor”
Drejtoria e Apelimit Tatimor është funksion i pavarur në vendimmarrje, pjesë përbërëse e strukturës organike të Ministrisë së Financave.
Drejtoria e Apelimit Tatimor shqyrton dhe merr vendim për ankimin administrativ tatimor.
Për vendimmarrjen e apelimeve tatimore, për vlera të detyrimit tatimor mbi një shumë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në Ministrinë e Financave ngrihet “Bordi për shqyrtimin e apelimeve tatimore”, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë.
Për qëllime të kësaj pike, Këshilli i Ministrave miraton përbërjen dhe procedurat e funksionimit të Bordit për Shqyrtimin e Apelimeve, procedurën e shqyrtimit, vendimmarrjes, si dhe vlerën e detyrimeve të apeluara, vendimmarrja e të cilave bëhet nga ky bord.
Kësaj strukture, tashmë nuk i duhet më konsensusi i Drejtorisë së Tatimeve për të dhënë një vendim në favor të biznesit.
Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
“2. Nëse Drejtoria e Apelimit Tatimor ose Bordi për shqyrtimin e apelimeve tatimore lë në fuqi vendimin e administratës tatimore dhe tatimpaguesi e pranon vendimin, çdo detyrim tatimor që përfshin tatimin, në rastin kur nuk është paguar, por është vendosur garanci, kamatëvonesë dhe çdo gjobë e llogaritur, paguhen nga tatimpaguesi, brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur vendimi për ankimin është marrë ose vlerësohet të jetë marrë”.
Po ashtu, edhe struktura e Avokatit të Tatimpaguesve shkon në varësi të Ministrisë së Financave.
“Struktura dhe funksionet e Avokatit të Tatimpaguesit”
Avokati i Tatimpaguesit është strukturë e pavarur në përbërje të Ministrisë së Financave.
Autoriteti, funksionet e bashkëpunimi i Avokatit të Tatimpaguesve me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me palët e treta përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Manuali i Avokatit të Tatimpaguesve, i cili duhet të përmbajë procedura të hollësishme dhe proceset e punës për mbledhjen e informacionit, evidentimin dhe përpunimin e ankesave të tatimpaguesve, zgjedhjen dhe trajtimin e ankesave e të shqetësimeve të tatimpaguesve, përgjithësimin e rasteve, mbylljen e rasteve, si dhe treguesit e matjes së performancës së punës dhe procedurat e raportimit, miratohet nga ministri i Financave.
Por më shumë se një strukturë apeli e pavarur, të gjithë bizneset me hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të mund të përfitojnë nga vendimet e dhëna për njëri-tjetrin. Si do të funksionojë kjo? Kërkesa e hershme për vendime të unifikuara gjykatash tashmë është konkretizuar edhe në ligjin e ri. Nëse një tatimpagues ka marrë të drejtë në gjykatë për një çështje, automatikisht që çështja që ka të njëjtin subjekt kontestimi nga një tjetër biznes përfiton nga vendimi.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon në faqen e saj të internetit, çdo gjashtë muaj, një buletin informues mbi vendimet e formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese për çështjet tatimore, me qëllim informimin e tatimpaguesve dhe në bazë të të cilave, për raste të unifikuara, reflekton rast pas rasti vendimet teknike, të cilat zbatohen për raste të tjera të ngjashme”.
Kontrolli tatimor
Askush nuk do të ketë kontroll tatimor pa u njoftuar më parë. Të gjitha procedurat e kontrollit vendosin në thelb të tyre lajmërimin për biznesin 30 ditë para vizitës së inspektorëve. Po ashtu, përzgjedhja e kontrolleve bëhet në bazë të analizës së riskut.
Njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim, përveç kur kontrolli kryhet si rezultat i kërkesës së tatimpaguesit për rimbursim tatimor.
Në rastin e kryerjes së vizitave fiskale, të cilat janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohore për të verifikuar saktësinë e deklaratave dhe pagesave, si rregull vetëm për një periudhë të caktuar tatimore dhe vetëm për një lloj tatimi, njoftimi i vizitës fiskale i dërgohet tatimpaguesit të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të vizitës fiskale.
Datën dhe orën kur fillon dhe kur përfundon kontrolli tatimor. Kohëzgjatja e nevojshme e kontrollit përcaktohet nga të dhënat e analizës së riskut.
Afati për kryerjen e kontrollit i përcaktuar mund të zgjatet pas miratimit nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, por jo më shumë se 15 ditë pune.
Me njoftimin e kontrollit tatimor, tatimpaguesit i jepet mundësia të deklarojë çdo të dhënë për transaksione të padeklaruara, për të cilat nuk është paguar tatim. Ky deklarim kryhet, në Drejtorinë Rajonale Tatimore, nëpërmjet një formulari–pyetësor që i vihet në dispozicion së bashku me njoftimin për kontroll, brenda 30 ditëve kalendarike, por përpara fillimit të kontrollit tatimor.
Tatimpaguesi deklaron dhe paguan menjëherë tatimin ose kontributin përkatës së bashku me kamatëvonesën të llogaritur në përputhje me ligjin.
Për detyrimin tatimor të deklaruar përpara fillimit të kontrollit tatimor sipas ligjit, aplikohet dënim administrativ në masën 50% të tatimit ose kontributit.
Nëse dënimi i aplikuar sipas kësaj dispozite, është më i madh se dënimi që aplikohet për shkeljen sipas dispozitës përkatëse, atëherë aplikohet dënimi më i ulët.
Në të kundërt, nëse tatimpaguesi nuk deklaron sipas këtij neni, përpara fillimit të kontrollit, prezumohet që nuk ka për të deklaruar dhe për çdo detyrim tatimor apo shkelje të konstatuar gjatë kontrollit aplikohen dënimet administrative sipas këtij ligji.
Procedurat e reja i japin sipërmarrjes mundësi të vetëkorrigjohet dhe të deklarojë tatimet e fshehura në vite përpara kontrollit tatimor, duke përfituar nga falja, në të kundërt, në momentin që vizita fiskale ka filluar, ai nuk përfiton nga mundësia e rideklarimit të pasqyrave financiare.