Çim PEKA
Shihni me vëmendje se çfarë po ndodh në skenën e politikës shqiptare, veçanërisht nën dritën e zhvillimeve të fundit. Një paradoks logjik dhe moral, po bluhet me mjeshtëri nga makineria gjigante e propagandës së Rilindjes dhe punëtorët “e pavarur” mediatik të saj.
Qeveria dhe media pranë saj po i kërkojnë Presidentit të Republikës, që të mos politizojë (mos) dekretimin e ministr(ave)it, apo ligjeve të miratuara nga mazhoranca, madje as të mos bëjë deklarata politike. Në të njëjtën logjike i kërkojnë opozitës, që të mos politizojë protestën e banorëve të Zharrës, Unazës së Re, apo dhe protestën e studentëve. Madje sipas tyre, nuk duhen politizuar as aferat e korrupsionit, koncensionet dhe dosjet e trafikut të drogës. T’u kërkosh aktorëve dhe faktorëve politike që të mos bëjnë politikë është njësoj, sikur t’u thuash futbollistëve të çdo lige profesioniste; mos luani futboll, por bëni sikur vërtiteni pas topit në fushë.
Duke shfrytëzuar pakënaqësinë dhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj klasës politike në përgjithësi (Për hir të së vërtetës, simptomë kjo jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha demokracitë perëndimore), propaganda e qeverisë kërkon të de-politizoje reagimin qytetar, duke shkuar aq larg sa bëhet thirrje për një klasë të re politike që nuk duhet të vijë nga politika!
Thuhet hapur se studentët duhet të marrin vetë fatin e tyre në dorë, por me një kusht; nuk duhet të përzihet politika!
Por se çfarë mund të bëhet duke marrë fatin në dore pa u përzier me politikë, këtë nuk e thonë. Skema është e qartë. Nuk duhet që kriza e gjithanshme që ka kapluar vendin, të kanalizohet drejt një zgjidhje politike. E ashtuquajtura Klasë e Re Politike, që duhet të dalë mbi ujë, nuk duhet të përfshijë partitë politike dhe politikanët opozitare; vetëm Ai më i gjati duhet të rrijë i pacenuar.
Sepse vetëm atij i plas shpirti për studentet dhe sot pas 5 vitesh në pushtet gati absolut është jo vetëm “mbështetës” i kërkesave të studenteve (Vetë ka krijuar problematikën, po vetë nuk i ka realizuar kushtet dhe të drejtat), por edhe më agresiv se vetë kryengritësit.
Pra sipas këtij paradoksi logjik, politik dhe mbi të gjitha moral, ai që ka shkaktuar sëmundjen malinje në sistemin imunitar është njësoj viktimë, sa dhe studentët që u ngritën pasi kapën fundin. Por pavarësisht kësaj të vërtete, ata nuk duhet ta politizojnë sepse kanë Edi Ramen jo vetëm në krah, por edhe si “mjekun” e vetëm që mund të bëjë operacionin shpëtimtar.
Në fillim e nisi qeverisjen, me idenë e ‘emergjencës kombëtare’. Nëse ju kujtohet, në vitet 2013-2014, si emergjencë kombëtare ishin rendi dhe siguria, financat, ekonomia, arsimi, mjedisi, bujqësia, infrastruktura…
Pra me një fjalë; gjithçka!
Pasi ‘emergjencës kombëtare’ i doli boja shumë shpejt, pakënaqësia në rritje e qytetarëve duhej të kanalizohej tek armiku i përbashkët, jo vetëm i popullit por edhe i qeverisë (sepse nuk e linte qeverinë të punonte siç donte): sistemi gjyqësor. E keqja nga buronte gjithçka që nuk shkon mirë në këtë vend, ishte drejtësia dhe vetëm ajo. Prandaj pakënaqësia popullore duhej të kanalizohej drejt saj, dhe jo qeverisë e cila ishte “viktimë” për vete.
Në muajin Korrik të vitit 2016, më në fund u miratua Reforma në Drejtësi. Duke qenë se edhe kjo kauzë u ezaurua shpejt duhej gjetur një armik tjetër, këtë herë më specifik: gjykatës dhe prokurorë individualë që ishin të korruptuar. Për një vit me radhë, e gjithë makineria e propagandës qeveritare i lëshoi bataret drejt tyre dhe procesit ‘shpëtimtar’ të vettingut.
Aq shume u banalizua dhe u fut në paradoks logjik e moral kjo fushatë si pjesë e diskursit politik dhe mediatik, sa që edhe trafikanti e përdhunuesi, Elvis Roshi, sulmet e opozitës ndaj tij i konsideronte si përpjekje të opozitës për t’ju shmangur vettingut!
Vazhdojmë më tej. Gjatë fushatës së vitit 2017 dhe deri në vjeshtën e po këtij viti pjesë e diskursit ishte faji i LSI, e cila nuk e paskësh lënë PS-në të qeveristë siç donte dhe si duhej. Me këtë rast u shpikën një turli termash populistë si; tepsia, tenxherja, kusia, legeni, e me radhë.
Por ndërkohë që koha kalonte dhe qeverisja e Rilindjes shkonte keq e me keq, sulmi ndaj LSI nuk po ngjiste më. Duhej një “armik i ri” dhe ai do të ishte; media e kazanit. Tashmë ajo i kishte të gjitha fajet, që “punët e mira” të qeverisë kritikoheshin dhe pasqyroheshin si një makineri që punonte për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët.
Kur edhe kësaj alibie i doli boja dhe shqiptarët filluan të ngrenë krye nëpër sheshe, kryeregjisori Edi Rama, më në fund e kuptoj se të gjithë “personazhet-fajtorët” të këtyre 5 viteve të mbushur me filma-propagandë nuk i pinin më ujë. Paradokseve të shndritshme të simuluara fortë në eterin mediatik u doli varaku; zullumi shpërtheu nën dritën e diellit, kurse qytetarët e çliruan mllefin e ndryrë në shpirt dhe filluan, ta marrin vetë situatën në dorë. Fajtori me emër të përveçëm, nuk ka më as edhe një gjethe ku të fshehë “veglat”, me të cilat për 5 vite rresht ka “përdhunuar” dinjitetin dhe mirëqenien e nënshtetasve të vet.
Dhe ja ku erdhëm te faza e fundit, që të kujton fundin e historisë së çdo autokrati dhe kleptokrapi në pushtet. Në mungesë të armiqve jashtë oborrit të vetë, nis të gërmosh për mëkatarë të brendshëm; brenda politikës.
Qytetarët e revoltuar “kanë të drejtë” që të bëjnë gjithçka, por sërish vetëm me një kusht; nuk duhet të përzihet politika në kauzat e tyre. Kështu FRESSH-ët dhe marksistët e tij të infiltruar në protestën studentore u ngarkuan me vetëm një mision: të mbanin politikën dhe opozitën larg. Aq shumë u stimulua fryma anti-politikë, sa që u hodhën teza që të shkrihej e gjithë klasa politike (opozitare), vetëm e vetëm që opozita në tërësi dhe Lulzim Basha në veçanti, të kompleksoheshin dhe të mos “guxonin” që të bëheshin faktorë.
Fabula dhe synimi është i qartë: duhet një lëvizje popullore (lexo; populiste). ku reagimin qytetar duhej ta drejtonin njerëz dhe formacione jo politike, njësoj si me Lëvizjen “5 Yjet” në Itali, Makronin në Francë, apo me Tcipras në Greqi. Pra, sipas Edi Ramës dhe propagandës së tij, edhe Shqipëria duhet të eksperimentojë me lëvizje dhe individë, që vijnë jashtë politikës.
Por, si me çdo gjë që ka bërë deri më tani duke ja hedhur fajin të tjerëve dhe duke u kujdesur që veten ta mbajë të distancuar nga skena, ai është sërish në paradoks historik, politik dhe moral. Po kërkon që të shpikë diçka, e cila tashmë ka ndodhur në Shqipëri.
Madje edhe më herët se në Itali, Greqi, Francë, SHBA, Angli (me Brexit). Shqipëria e ka tejkaluar këtë eksperiment, pikërisht me Edi Ramën dhe Rilindjen e tij. Me Erion Veliajn dhe G99 e tij (karroceri e Rilindjes).
A nuk startoi Rilindja si një lëvizje populiste, ‘Pertej së Majtës dhe të Djathtës’?!
A nuk është Edi Rama, ai artisti që po bën politikë?!
A nuk kemi për kryeministër një individ, i cili deri vonë nuk linte intervistë në mediat ndërkombëtare dhe këmbëngulte tu mbushte mendjen shqiptarëve këtu brenda, se nuk është politikan race, tipik, tradicional, por artist?!
Njësoj si Bebe Grillo në Itali; Filozof, njësoj si Makroni në Francë; marksist i moderuar dhe i përshtatur në këtë epokë të kapitalizmit, si Tzipras në Greqi?!
Slogani, ‘Përtej së Majtës dhe të Djathtës`, i Rilindjes së Edi Ramës nuk ishte thjesht elektoral, por shqipërim i filozofisë së re politike, ‘Rruga e Tretë’ e shpikur nga Bill Clinton e Tonny Blair (mentori dhe këshilltari i tij politik), dhe i vazhduar me Macron, Tzipras, Grillo. Filozofia e ‘Rrugës së Tretë’ ose ndryshe ‘As majtas dhe as djathtas’, doli si nevojë e adoptimit të partive të majta ndaj degradimit të socializmit, i cili përthithi parime nga dy krahët politike dhe ideologjike: majtas dhe djathtas.
Nga rruga majtas merrte parimin e shtetit social dhe nga ajo djathtas, më të mirat e kapitalizmit. Në mes si pykë, ishte futur parimi i Partneritetit Publik-Privat (PPP e famshme apo koncensionet). Edi Rama si biznesmen i ushtruar fort në këtë profesion si kryetar i bashkisë së Tiranës për 3 mandate, nga të gjitha parimet e ‘Rrugës së Tretë’, përzgjodhi vetëm PPP-të. Pra koncesionet, që tashmë çdo shqiptarë e dinë se çfarë janë.
Edi Rama pra, së bashku me Rilindjen e tij dhe Erion Veliaj së bashku me ‘G99’ e tij, e kanë ezauruar eksperimentin e populizmit dhe drejtimin e vendit nga jo-politika. Eksperiment, që dështoi në mënyrë spektakolare!
Ky model nuk ka çfarë të japë e të mbledhë më, në skenën politike të Shqipërisë. I ka ngelur vetëm një fazë e fundit për të konsumuar dhe ajo mund të zhvillohet, vetëm në bankat e drejtësisë!
Tani është koha, të hedhim pas krahëve këtë eksperiment dhe të kthehemi tek politika tradicionale. Tek Partitë Politike tradicionale dhe tek politikanët tradicionalë. Tek opozita dhe lidershipi i saj. Nëse edhe këta si pjesë e establishmentit duhet të pastrohen, ka vetëm një mënyrë efikase: dekriminalizimi dhe vettingu në gjithë shtresëzimet e politikës shqiptare. Le të bëhet, sepse është jo vetëm gjëja më e mirë që mund të bëhet për këtë vend, por edhe e vetmja si zgjidhje përfundimtare.
Studentët, le të vazhdojnë të protestojnë. Janë në të drejtën më themelore të tyre, por kërkesat që kanë nuk janë dhe nuk mund të jenë dot, thjeshtë ekonomike. Formën le ta kenë “ekonomike, por thelbin nuk jua ndryshon dot askush dhe aq më shumë Edi Rama; janë politike dhe pikë!
Prandaj si të tilla, mund dhe duhet të zgjidhen vetëm politikisht. Shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë është akt politik, ndaj vetëm si i tillë duhet të trajtohet. Eksperimenti me artistë në qeverisje, e ka mbyllur ciklin. Çfarë la pas e dinë shumica e shqiptarëve, që e vuajnë në xhepat dhe shpirtin e tyre. Tani ka vetëm një kohë; ajo për t`ju kthyer politikës reale dhe të bëri politikë sipas traditës më të mirë të demokracive në botë. Dhe këtë e ka për detyrë dhe mund ta bëjë, vetëm opozita.
Në parlament; Në rrugë; Në sheshe… Edhe në marrëdhënie të kushtëzuara, apo djegie mandatesh nëse është nevoja. Opozita është e dënuar që ti dalë zot, pakënaqësisë dhe revoltës popullore, që po rritet në mënyrë të paparashikuar nga “profesorët”.
Kjo është zgjidhja. Eksperimenti dhe e shkuara, e kishte emrin Edi Rama; politika e ka emrin Lulzim Basha!