Ideja për krijimin e një minishengeni ballkanik i ka vendosur Edi Ramën dhe Shqipërinë në një aleancë të përbashkët me Aleksandar Vuçiqin e Zoran Zaevin, ndërsa në një përplasje verbale me Kosovën dhe krerët politikë në Prishtinë.
Besnik VELIU
Për mospjesëmarrjen në takimin e dytë për idenë e minishengenit, që u mbajt në Ohër, Rama kishte akuzuar Kosovën se po izolohet dhe po vetëpërjashtohet.
Lidhur me këto zhvillime, eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express, thotë se i kupton plotësisht këto lëvizje të Edi Ramës. Sipas Weber-it, kryeministri i Shqipërisë tashmë ka nevojë për pak poenë politikë pas bllokimit të hapjes së negociatave për anëtarësim.
“Unë e kuptoj plotësisht nevojën e kryeministrit Rama për një sukses politik, duke pasur parasysh bllokadën e dëmshme të Francës për dritën e gjelbër të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë”, ka thënë Weber.
Analisti gjerman thotë se Rama nuk është në një pozitë që të luajë rolin e mbrojtësit të interesave të Kosovës, pasi që dy vjetët e fundit kishte mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve.
“Por pastaj, për fat të keq, Rama me lobimin që ia bëri marrëveshjes për shkëmbim të territoreve në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë gjatë dy vjetëve të fundit, për fat të keq e ka dëmtuar imazhin e tij si një ndërmjetës i sinqertë dhe mbrojtës i interesave të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.
Tutje, Weber thotë se është në dorën e autoriteteve të Kosovës nëse do të vendosin që të marrin pjesë apo jo në iniciativën për krijimin e një minishengeni ballkanik, megjithatë ndërlidhur me këtë ai shtron disa pyetje për tre ideatorët e kësaj nisme, duke filluar me Beogradin.
“Por të paktën unë do t’u parashtroja pyetje tre ‘anëtarëve’ aktualë të minishengenit, duke filluar me Beogradin, nëse Kosova ftohet që t’u bashkohet me qëllim, p.sh. për t’i hequr barrierat tregtare jotarifore, apo për t’i implementuar pjesët e papërmbushura të marrëveshjes për lëvizje të lirë dhe njerëzve në kuadër të dialogut teknik Kosovë – Serbi”, potencon anëtari i “Democratization Policy Council” për Gazetën Express.
I pyetur nëse është mirë që Kosova të kundërshtojë një nismë të tillë të cilën e mbështet dhe Departamenti i Shtetit amerikan, Weber rikujton rezistencën e Prishtinës zyrtare ndaj presionit të administratës së Trumpit për idenë e shkëmbimit të territoreve, dhe thotë se nuk beson që qëndrimi i Departamentit të Shtetit do të ketë ndonjë ndikim substancial, në rast se Kosova vendos që të mos përfshihet në një iniciativë të tillë.
“Ishte më shumë sesa e mirë, jetik për Kosovën që i rezistoi presionit të administratës së Trumpit për idenë e shkëmbimit të territoreve. Në këtë çështje konkrete, nuk mendoj që opinioni i Departamentit të Shtetit do të këtë rol të rëndësishëm ose ndikim thelbësor, nëse Kosova vendos të mos i bashkohet kësaj iniciative”, ka theksuar Weber.
Weber thotë se nuk e ka të qartë se si Rama, Vuçiq e Zaev do të arrijnë rezultate më të mira në krahasim me formatet aktuale të bashkëpunimin në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë marrëveshjen për tregti të lirë të CEFTA-s.
Analisti gjerman tutje shpreh skepticizmin e tij lidhur me gatishmërinë e Serbisë për largimin e barrierave tregtare mes shteteve, kur ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë që prej anëtarësimit në CEFTA.
“Duke marrë parasysh faktin që Serbisë i konvenon që barra kryesore e rrugës ballkanike i është vënë Bosnjës, nuk e di se si autoritetet boshnjake mund të binden për largimin e kontrollove kufitare mes Serbisë dhe Bosnjës”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Weber thotë se është e vështirë të thuhet nëse kjo nismë ka ndërlidhje me vendimin e presidentit Macron për bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sepse ajo është nisur përpara se të ishte e qartë që Franca do të mbante një qëndrim të tillë.
“Duke marrë parasysh situatën e krijuar së voni pas samitit të fundit të BE-së është definitivisht e vështirë të mendohet që një nismë e tillë të mos kalojë nëpër duart e Macronit, i cili e përkrah një lloj anëtarësimi të klasit të dytë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, përfundon Bodo Weber për Gazetën Express.
Nga Kosova e kanë kundërshtuar të gjithë një projekt të tillë për minishengen. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e ka akuzuar Ramën se po tenton të krijojë “Jugosllavinë e vogël”, ndërsa kreu i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë është nxituar kur ka zgjedhur për partner Beogradin para Kosovës.