Tanimë kemi parë shumë artikuj dhe informata se si mund ta “forcojmë” sistemin imunitar për ta luftuar sëmundjen infektive COVID-19, duke përdorur çajra, lëngje apo produkte të tjera natyrale. Por sipas eksperteve, nëse trajtimi i koronavirusit do të ishte kaq i thjeshtë, atëherë nuk do të kishim nevojë as për ilaçe dhe as për vaksinë.
“Shkencërisht, nuk ka asnjë mënyrë që ju ta forconi sistemin imunitar”, thotë Jenna Macchiochi, një imunologe me bazë në Universitetin e Sussex për Huff Post. “Nga ana mjekësore nuk ka kuptim të vërtetë, sepse sistemi imunitar nuk është një ndërprerës, që ju mund ta ndizni dhe ta fikni kur të dëshironi”, shtoi ajo.
Në përgjithësi, sistemi imunitar funksionon në dy mënyra. Së pari, duke shkaktuar një mbrojtje të linjës së parë për të na ndihmuar të përballojmë infeksione si COVID-19, dhe së dyti kur trupi fillon të krijoj antitrupa, që kanë një përgjigje imune më specifike për t’u përshtatur me virusin.
Nëse sistemi imunitar i dikujt funksionon në nivel më të lartë se normalja, kjo në fakt është një gjë negative për organizmin. Aktiviteti i tepërt i sistemin imunitar shkakton një reagim autoimun, ku trupi gabimisht fillon të sulmojë indet dhe organet e shëndetshme. Në fakt, sipas raportimeve shumica e personave të shtrirë në spitale nga COVID-19 kanë qenë si pasojë e një aktiviteti të tepërt të sistemit imunitar.
Pra, a është negative apo pozitive të kesh një sistem të fortë imunitar?
Sipas Macchioti, është një keqkuptim i zakonshëm, që njerëzit kanë nëse shprehen se sistemi imunitar mund të jetë i fortë ose i dobët. Në vend të kësaj imuniteti përfaqëson një sistem mjaft kompleks të shumë përbërësve të ndryshëm. “Ai është si një orkestër, gjithçka duhet të luajë së bashku dhe në harmoni, që të tingëllojë korrekte. Nëse një nga instrumentet nuk e ndjek ritmin e duhur ajo e shkatërron të gjithë orkestrën”.
Secili njeri ka një sistem specifik imunitar, kështu disa persona vuajnë shumë nga ftohjet dhe viruset e sistemit respirator, por nuk shqetësohen nga problemet e stomakut.
Si mund ta ndihmoni sistemin imunitar të funksionoj në mënyrën e duhur?
Ushqyerja me një dietë të ekuilibruar për të siguruar, që asnjë lëndë ushqyese nuk i mungon organizmit tuaj është një mënyrë shumë e mirë për ta ndihmuar imunitetin të funksionoj në mënyrën e duhur. Kjo nuk përbën vetëm vitaminën C apo zinkun, por të gjitha lëndët e tjera duke përfshirë proteinat dhe fibrat e duhur. Gjithashtu pushimi i mjaftueshëm dhe gjumi kualitativ ndihmon shumë në këtë aspekt