Eksploziv banesës së policit në Fushë-Krujë

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në oborrin e një banese 3-katëshe në Fushë-Krujë, në pronësi të një punonjësi të policisë. Sipas Policisë së Fushë-Krujës, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 05:00 në banesën e punonjësit të policisë që shërben në Komisariatin e Kamzës, Fatmir Isufi. Fatmirësisht për pasojë të shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.
Kamerat e sigurisë së objektit kanë regjistruar një person të veshur me një xhup me kapuç. Nga këqyrja e kryer nga ekspertët e policisë është vënë re se në kamerat e sigurisë shihet tek sa personi afrohet dhe nga jashtë murit rrethues hedh materialin shpërthyes. Në vendngjarje po ashtu hetuesit kanë gjetur edhe një dorezë, e cila dyshohet se i përket autorit. Pronari i objektit, efektivi i policisë nga deklarimet paraprake ka pohuar se nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë person.
Në njoftimin e policisë thuhet se, në Fushë-Krujë gjatë natës në oborrin e pronës private 3-katëshe (banesë dhe biznes) të shtetasit F.I. ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse. Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e llojit të lëndës plasëse, shkaqet e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Para tre ditësh, një dyqan u hedh në erë me tritol në Fushë-Krujë. Policia bëri të ditur se, shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur në një dyqan në pronësi të 36-vjeçarit me inicialet E.Xh., banues në Fushë-Krujë. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Policia ende nuk ka mundur të kapë autorin e kësaj ngjarje të rëndë.

Artikulli paraprakKapen me kokainë në Itali, në pranga dy shqiptarë
Artikulli tjetërSi mashtroi Rama për dëmshpërblimet e përmbytjeve