Eksploziv përpara një lokali tek “Mine Peza” në Tiranë

Eksploziv artizanal është gjetur paraditen e djeshme para një lokali në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet, duke alarmuar qytetarët. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mine Peza” në kryeqytet ku pronarët e një lokali kanë dhënë alarmin, pasi kanë konstatuar një bidon plastik me fitil të përgatitur gati për shpërthim, kur kanë shkuar të hapin si çdo mëngjes lokalin e tyre. Menjëherë në adresën e dhënë kanë shkuar Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 të cilët kanë bërë të mundur vendosjen e perimetrit të sigurisë, ndërsa ekspertët xhenierë të Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës së dyshuar plasëse.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një bidon plastik 0.5 litra, me mbushje të dyshuar Amonit si dhe një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 10 cm. Burimet bëjnë të ditur se, bidoni mund të jetë përdorur për kërcënim ndaj pronarëve të lokalit, fakt për të cilin po hetohet ende. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka zbuluar edhe një konflikt të pronarit aktual. Shtetasi M.D e ka marrë këtë pronë me vendim gjykate, pasi nuk iu kthye mbrapsht një shumë prej 300 mijë euro nga pronari i mëparshëm.
“Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Bar kafe “My House”, është në pronësi të shtetasit M. D., pronë të cilën e ka fituar me vendim Gjykate, pasi ka qenë në pronësi të shtetasit K. C, i cili i ka marrë hua, shumën prej 300.000 euro dhe nëse shtetasi K. C., nuk do t’i kthente huanë do t’i jepte këtë pronë shtetasit M. D”, thuhet në deklaratën e policisë.
Gazetarja Dorjana Bezat ka mundur të kontaktojë me pronarin, i cili ka shfaqur habi për këtë kërcënim dhe thotë se, “nuk ka asnjë konflikt me asnjë person”. Specialistët e policisë kanë sekuestruar edhe 4 kamerat e sigurisë së lokalit, por për shkak të cilësisë së dobët të tyre është bërë e pamunduar identifikimi i personit apo personave që kanë vendosur molotovin.

Artikulli paraprakTentohet vrasja e dy vëllezërve, dy makina përplasin motorin
Artikulli tjetërDoshi dëshmon në gjyqin ndaj ish-deputetit Frroku