Eksportet shqiptare e mbyllën katërmujorin me një rënie 5.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke vijuar trendin rënës që nisi që nga viti i kaluar. Ritmet e rënies janë frenuar disi në prill për shkak të rritjes së eksporteve të grupit tekstile dhe këpucë këtë muaj dhe eksporteve të prodhimeve bujqësore. Gjithsej vlera e tyre arriti në janar-prill 74,4 miliardë lekë nga 79.1 miliardë lekë që ishin më 2015.
Rënia më e fortë shihet të ketë ndodhur për lëndët djegëse dhe mineralet me rreth 42 për qind në krahasim me 2015, tek materialet e ndërtimit me 26 për qind dhe tek grupi makineri dhe pajisje me 24.7 për qind. Eksportet po mbahen në këmbë vetëm nga rritja e eksporteve të fasonit (tekstile dhe këpucë), të cilat ishin 23.6 për qind më të larta se të një viti më parë.
Eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse, arritën në 12.2 miliardë lekë gati në përgjysmim në krahasim me janar-prill 2015. Ulja e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në këtë tendencë negative, ndërkohë që dhe moti ka qenë i pafavorshëm për eksportet e energjisë, ndryshe nga dimri i vitit të kaluar. Ndërkohë, kompanitë e mineraleve janë duke pritur një paketë nxitëse nga qeveria.
Gjithashtu eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 9.7 miliardë lekë me një rënie vjetore 3.4 miliardë lekë. Në fund të shkurtit, Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend shpalli falimentin, çka ka ndikuar në rënien e shitjeve të hekurit jashtë vendit.
Dy grupe që ecën mirë vitet e fundit, ai i “makineri, pajisje e pjesë këmbimi” dhe “eksporte druri e letre” kanë shënuar rënie këtë vit.
I vetmi sektor që po ecën mirë në këtë periudhë është ai i materialit të porositësit, tekstile e këpucë, që u rrit me 23.6 me bazë vjetore për janar-prill, duke arritur në 35 miliardë lekë. Ky zë përbën tashmë 47% të totalit të eksporteve tona, duke na çuar mbrapa në kohë, kur shitja e krahut të lirë të punës, që është avantazhi kryesor i fasonit, përbënte deri në 70% të totalit të eksporteve. Gjithsesi, sektori, që ka vlerë të shtuar të ulët po e humb gradualisht dhe këtë avantazh për shkak të shtimit të kostove të energjisë e taksave, duke vënë në pikëpyetje rritjen afatgjatë të tij.
Eksportet bujqësore kthejnë rritjen në prill
Prodhimet “Made in Albania” i janë kthyer rritjes në muajin prill ndonëse në vlera modeste, 1.5%. Eksportet e ushqimeve pësuan një rritje me 52 për qind në muajin prill si rezultat i rritjes së eksporteve të prodhimeve bujqësore. Tani sezoni është drejt kulmit të tij dhe Shqipëria vit pas viti po rrit eksportin e këtyre prodhimeve. Gjithashtu, këtë muaj është rritur vrullshëm edhe eksporti i grupit të tekstileve dhe këpucëve me rreth 36% në krahasim me prill 2015. Rritje kanë shënuar edhe eksportet e drurit dhe letrës me 9 për qind. Rritja e këtyre grupeve ka kompensuar rënien e fortë të eksportit të mineraleve dhe lëndëve djegëse, të cilat në prill pësuan një rënie vjetore me 37%. Gjithashtu me rënie rezultoi edhe grupi makineri dhe pajisje me 20% dhe eksporti i lëkurëve rezultoi 9% më pak.