Në vitin 2024 eksportet e vajit të ullirit kanë rënë me 97% krahasuar me vitin 2023.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ky vit nuk ka qenë i mbarë as për sasinë e prodhuar të vajit të ullirit por as edhe të çmimit.
Grosistët kërkojnë që një litër vaj ulliri tek fermerët ta marrin nga 450-500 lekë, çmim ky që nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Nga harta e eksporteve tashme as Italia, Hungaria dhe SHBA nuk po preferojnë të marrin ullirin nga Shqipëria, pasi për ta tregu i preferuar është Greqia, dhe për këtë ka një arsye.
“Për cilësinë e vajit të ullirit që kemi ne,kemi goxha probleme. Çdo industri, përshtypja ime është që do strukturohet tregu, pra prodhuesit e vegjël të vajit nuk do të ekzistojë më por do mblidhen bashkë dhe do shkojnë atje ku është ekonomia më e madhe për të ulur kostot dhe për të rritur marzhet e fitimit të tyre”, u shpreh Rezart Prifti-ekspert ekonomie.
Por ndryshe është historia e fermerit nga Belshi i Elbasanit, Sadush Sharku, është pronar i 1400 rrënjë ulliri. Ai thotë se këtë vit prodhoi afërsisht 60 përqind vaj ulliri por falë një kontrate me SHBA ka siguruar një çmim që ka kapur rekorde 1200 lekë litri dhe kjo sipas tij për shkak të vajit të ullirit cilësor që ai prodhoi pasi e certifikoi si organik.
“Viti që kaloi fare i pakënaqur jam me 700 litra vaj, arsyeja ishte fillimisht lagështira e tepërt gjatë periudhës së lulëzimit, më vonë pastaj thatësira e tmerrshme që atje gati po binin gjethet. Është vet-ofruar një kompani amerikane dhe ajo kërkonte që të gjente vaj ekstra të virgjër dhe i gjithë vaji u shit me 1200 lekë litri. Çmimi maksimal ka qenë 500 e pak, zakonisht e shitëm me 450. Po s’u rregullua kjo punë, në këtë formë është e vështirë të marrësh diçka”, tha fermeri Sadush Sharku.
Por fermerët e ullirit thonë se problem nuk është cilësia, por çmimi, sipas tyre vaji i ullirit në Greqi kushton më lirë për shkak të politikave mbështetëse, pasi atje kolegët e tyre subvencionohen lek për litër vaj.