Gjykata Supreme e Kroacisë ka konfirmuar vendimin e Shkallës së Parë të një gjykate lokale për të ekstraduar në Serbi Ismail Morinën, të njohur si “Ballist” Morina, personin i cili fluturoi mbi Stadiumin e Beogradit dronin me flamurin me simbole shqiptare. Morina kërkohet në Serbi për nxitje të urrejtjes etnike dhe raciale.
Media serbe “B92” thotë se, vendimi është publikuar në websajtin zyrtar të Gjykatës Supreme të Kroacisë. Në të thuhet se është refuzuar apelimi i avokatit të Ismail Morinës. Ky është vendimi përfundimtar i Gjykatës dhe sipas procedurës ligjore, tashmë do të jetë në dorë të ministrit kroat të Drejtësisë për të dhënë vendimin përfundimtar. Morina ndodhet në paraburgim në qytetin kroat të Dubrovnikut.
Media serbe po ashtu raporton se, mbrojtja e Morinës ka paraqitur një mocion për “mbrojtje ndërkombëtare” tek autoritetet kroate dhe institucionet europiane për parandalimin e ekstradimit të tij në një shtet të tretë. Megjithatë është Ministria e Drejtësisë që do të japër verdiktin për “Ballist” Morinën.
Gjykata e Qarkut e Dubrovnikut lejoi ekstradimin e tij në Serbi që në korrik të këtij viti, kur u konstatua se janë përmbushur kushtet gjyqësore, por pas ankesës së Morinës në Gjykatën Supreme e anuloi këtë vendim dhe rastin e ktheu për rigjykim.
Edhe në procedurën e ripërsëritur Gjykata e Dubrovnikut lejoi ekstradimin. Por, Morina sërish u ankua, ndërsa Gjykata Supreme vendosi që ankesa e tij ishte e pabazë, përkatësisht se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ekstradim. Por, vendimin përfundimtar e merr ministri i Drejtësisë, thekson Hina.
“Pjesa më e madhe e ankesës së personit për ekstradim në thelb ka të bëjë me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike meqë nga përmbajtja e ankesës del se ai konsideron se Gjykata e Shkallës së Parë, gabimisht ka vërtetuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ekstradim dhe se nuk ka vërtetuar se ka pengesa për ekstradim. Mirëpo, Gjykata e Shkallës së Parë të gjitha faktet vendimtare i ka vërtetuar drejt dhe plotësisht”, thuhet në vendimin e fundit të Gjykatës Supreme të publikuar sot në faqen e internetit.
Gjykata ka gjetur po ashtu se nga pohimi që ka parashtruar Morina në ankesën e tij “se nuk mund të supozohet me arsye se personi për ekstradim në Republikën e Serbisë, vetëm pse është shqiptar dhe për shkak të bindjeve të veta politike do të jetë i diskriminuar gjatë gjykimit, përkatësisht se për këtë shkak do të ketë pozitë të vështirësuar”.
Vendimin e tij, Gjykata Supreme duhet t’ia përcjellë Gjykatës së Shkallës së Parë në Dubrovnik, e cila pastaj duhet ta informojë për çdo gjë ministrin e Drejtësisë, që ai të ndërmarrë vendimin përfundimtar. Sipas një informate jozyrtare, Morina ndërkohë ka kërkuar azil në Kroaci, që do të mund të ndikonte në vendimin përfundimtar për ekstradim.
Në tetor të vitit 2014, Morina fluturoi një dron me një flamur me simbole shqiptare mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit, ku po luhej ndeshja për kualifikueset e Kampionatit Europian Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Përdhosja e flamurit nga ana e një futbollisti serb solli reagimin e futbollistëve shqiptarë, teksa më pas hynë në fushë edhe tifozët ultras të Serbisë, duke u përplasur me futbollistët e Kombëtares shqiptare.