Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit parlamentar të LSI-së, zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, ka dalë në një konferencë për shtyp. Ai deklaroi se, “Nazer Seiti u hoq nga duart e drejtësisë shqiptare”, dhe se “Në kushte normale, të një vendi normal, të një qeverisje normale, edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe ministri i Drejtësisë, më e pakta do të kishin dhënë dorëheqjen”. Më lejoni t’ju informoj mbi diskutimin që zhvilluam në mbledhjen e Grupit parlamentar të LSI-së për çështjet që kanë të bëjnë me rendin e ditës së seancës së radhës të Kuvendit të Shqipërisë, por natyrisht edhe me çështje të tjera që kanë ndjeshmëri dhe rezonancë publike dhe politike me rëndësi për opinionin. Përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me rendin e ditës, ne diskutuam me shumë seriozitet edhe në detaje të gjithë axhendën e seancës së Kuvendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek projektligjet që qeveria ka sjellë, për të insistuar në më shumë informacion, për të zbardhur detaje që kanë të bëjnë me këto projektligje për marrëveshje të caktuara, pasi vihet re një papërgjegjshmëri, mungesë serioziteti dhe mungesë vlerësimi për të garantuar të gjithë informacionin e nevojshëm që i duhet vënë në dispozicion Kuvendit, për të vlerësuar dhe gjykuar mbi bazën e këtij informacioni në vendimmarrjen për votimin ose jo të këtyre projektligjeve. Ndërkaq në mbledhjen e Grupit parlamentar, natyrshëm që u bë objekt diskutimi edhe skandali i madh i denoncuar prej ditësh, jo vetëm nga autoritete me përfaqësim publik dhe politikë, por edhe nga media në vend, pra skandali i madh shtetëror i ekstradimit të Nazar Seitajt, i ashtuquajturi financier i grupit Habilaj. Jemi përballë një situate skandaloze. Jemi përpara një fakti shumë të rëndë, të papërgjegjshmërisë shtetërore, dhe më keq akoma, jemi përballë një situate ku shteti i kundërvihet drejtësisë, ku shteti mban anën e krimit dhe ku shteti përmes autoriteteve të veta të nivelit të lartë të përfaqësimit politik shtetëror, bëhet palë me narkotrafikantët, duke hequr nga dora e drejtësisë shqiptare të vetmin dëshmitar të akuzuar, apo pjesëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Çfarë ka ndodhur? Në kundërshtim me ligjin procedurial penal të Republikës së Shqipërisë, pra në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, më konkretisht me nenet 490 e në vazhdim, është ekstraduar për në Itali ky shtetas, ndërkohë që ndaj tij kishte një hetim të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë që ndaj tij kishte masë arresti me burg nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe në këtë mënyrë përmes urdhërimit të ekstradimit të tij, është hequr nga duart e drejtësisë shqiptare ky personazh i botës së krimit. Ndërkohë që e gjitha kjo çon në dëmtim, në moslejim apo në pengim të hetimit të çështjes më tej në vijim. Në mënyrë paradoksale, Prokuroria e Përgjithshme deklaron që nuk kishte dijeni që ky person gjendej nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ashtu sikundër të njëjtën gjë bën edhe Ministria e Drejtësisë. Papërgjegjshmëri është shumë pak ta konsiderosh këtë sjellje, por këtu kemi të bëjmë me një bashkëveprim të organizuar dhe të qëllimtë për të penguar Prokurorinë dhe drejtësinë shqiptare që të hetonte deri në fund dhe të zbardhte çështjen e trafikut të lëndëve narkotike. Ky është një skandal i madh. Natyrisht në kushte të tjera, në kushte normale, të një vendi normal, të një qeverisje normale, edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe Ministri i Drejtësisë, më e pakta do të kishin dhënë dorëheqjen. Natyrisht në kushte normale, ata nuk do ta kryenin këtë ekstradim, por duke qenë se jemi përpara faktit të kryerjes së këtij veprimi, haptazi në kundërshtim me ligjin, haptazi në kundërshtim me autoritetin që ka organi i akuzës për të hetuar dhe çuar përpara drejtësisë personin e arrestuar, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e Prokurores së Përgjithshme dhe e ministres së Drejtësisë. Sepse në bazë të ligjit, ministri i Drejtësisë është autoriteti që ka përgjegjësinë të kryejë verifikim të detajuar të të gjithë gjendjes ligjore, gjyqësore, të personit nën akuzë dhe vetëm pasi të konsultohej me të gjitha institucionet e tjera që kanë atribute për të dhënë vlerësime dhe rekomandime për këtë çështje, do të duhej të vendoste”, u shpreh Luan Rama.









