Caleb Ekuban ishte një nga sensacionet e Kategorisë Superiore sezonin që lamë pas. I mbërritur te të kuqtë në formë huazimi nga Chievo gjatë merkatos së verës më 2016-ën, 23-vjeçari italian me origjinë ganeze, arriti të shënonte 17 gola në Superiore, duke qenë golashënuesi më i mirë i Partizanit dhe i dytë i kampionatit pas Pero Pejiçit të Kukësit.
Forma e shfaqur në futbollin shqiptar e katapultoi në Angli në Championship në radhët e Leeds United, që pranoi t’i paguante Chievos 500 mijë euro për kartonin e tij. Ekuban vijon stërvitjen me skuadrën e tij të re në Austri, nga ku foli për mundësinë që i është dhënë në futbollin anglez. “Do të jetë një eksperiencë e re për mua. Championshipi është një kampionat i fortë, shumë më i fortë se Superliga e Shqipërisë. Për këtë jam i qartë. Mendoj se edhe futbollistët e Serisë A do ta kishin shumë të vështirë përshtatjen në Championship, por unë e di që mund t’ia dal në këtë kampionat”, u shpreh Ekuban.
Ekuban zbulon më tej se nuk kishte ndërmend të qëndronte te Cheivo dhe se nuk ishte menduar gjatë kur i kishte ardhur oferta për të luajtur te Leeds-i. “Kam ëndërruar të luaj në Champinship dhe në Premier League që kur isha fëmijë. Kur më erdhi mundësia për t’u transferuar në Angli thashë me vete: Ky është rasti. Leeds është një klub i madh me ambicie për t’u kthyer një skuadër e madhe. Do të jem pjesë e një lige të fortë, por nëse arrij të kap ritmin, nuk besoj se do të kem probleme fizike”, tha ai.
Largimi i Ekubanit drejt Leedsit ndikoi drejtpërdrejt në paraqitjen e Partizanit në Europa League. Pas futbollistit që formonte i vetëm repartin e avancuar të kuqtë humbën shumë peshë në fazën sulmuese, duke u mposhtur në të dyja ndeshjet me bullgarët e Botev Plovdiv, 1-3 në Tiranë dhe 1-0 në Burgas.