Ekzekutohet me kallash 18-vjeçari në Pogradec

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite në qytetin e Pogradecit, ku një 18-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri. Vrasja ka ndodhur në ambientet e një lokali në rrugën “Rinia”, duke shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët që kanë qenë në rrugë. Burimet e policisë bënë të ditur se si pasojë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur i vdekur 18-vjeçari Fabio Hila. Mësohet se viktima është i afërm i deputetit socialist Ilir Xhakolli.
Sipas informacioneve të para, viktima ka debatuar me një person në lokal. Fabio Hila, pas kësaj grindjeje ka vijuar të rrijë i qetë në lokal edhe në shoqërinë e disa bashkëmoshatarëve të tjerë kur autori është rikthyer i armatosur dhe ka qëlluar një herë në ajër duke i detyruar të gjithë personat e pranishëm që të dalin jashtë. Më tej, ai ka qëlluar në drejtim të viktimës dhe është larguar. 18-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa burime zyrtare nga policia e Pogradecit, bëjnë me dije se autori i dyshuar është shtetasi Fabio Musollari, edhe ai 18 vjeç.
Burimet bënë të ditur se, dy të rinjtë me të njëjtin emër kishin debatuar më herët në telefon dhe më pas autori, 18-vjeçari Musollari ka shkuar në lokalin ku ndodhej Hila dhe aty e ekzekutoi me disa plumba kallashnikovi. Burimet pohojnë se dy të rinjtë ishin konfliktuar prej ditësh nëpërmjet komunikimit online në facebook për një vajzë që pëlqenin të dy. Përplasja është thelluar edhe më tej, pasi autori dhe viktima kishin debatuar në telefon. Bëhet e ditur se, Fabio Musollari njihet si person problematik. Ai është nga fshati Vërdop. Ndërkohë që ngjarja shkaktoi panik dhe kaos në zonën përreth. Policia arriti të arrestonte autorin e krimit pak minuta më vonë. Policia tha se po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Pogradecit thuhet se, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Pogradec ka ardhur një telefonatë se te rruga “Rinia” janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. “Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta, në një lokal në rrugën “Rinia” shtetasi F.M, rreth 18 vjeç, ka qëlluar me automatik shtetasin F.H, rreth 18 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Pogradecit. Autori i dyshuar i ngjarjes, është larguar nga vendngjarja, por si rezultat i reagimit të shpejtë të shërbimeve të policisë është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit së bashku me armën e krimit. Policia në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, përfundon njoftimi i policisë.

Krimi rritet frikshëm në të gjithë vendin

Krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, ndërsa policia është e paralizuar. Njerëz të armatosur lëvizin lirshëm pothuajse në të gjitha qytetet dhe vrasin dhe kërcënojnë qytetarët pa  patur asnjë problem nga policia. Para dy ditësh, një i ri u qëllua me armë dhe ka mbetur i plagosur. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga ana e policisë, ndërsa burimet bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Morinë. Të njëjtat burime treguan se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të Tarzan V., 37 vjeç, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, po ditën e djeshme një i ri po ndiqte me armë një person për ta vrarë në mes të Tiranës. Ka qenë një qytetar që ka njoftuar policinë se një person po e ndiqte me armë për ta vrarë.
Para pesë ditësh u ekzekutua në një lokal në Rrëshen ish-drejtori i Tensionit të Lartë për Veriun në OSHEE, Saimir Jaku ndërsa mbeti i plagosur rëndë një person tjetër me të cilin ndodhej në tavolinë. Dëshmitarë okulare në vendin ku u vra Jaku thonë se, ekzekutori ka zbrazur të gjithë karikatorin e armës dhe është treguar i kujdesshëm, që mos prekte klientët e tjerë të lokalit ku ndodhi ngjarja. Grupi hetimor bëri të ditur se, ekzekutimi mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët e kësaj ngjarje të rëndë.

R.POLISI

Exit mobile version