Pronari i një lokali dhe pike karburanti në Tropojë, Guxim Gjyriqi, 47 vjeç, është vrarë me armë zjarri para lokalit të tij që ndodhet në rrugën e spitalit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme.
Nuk dihen ende rrethanat e vrasjes, as autorët, ndërsa policia nuk ka dhënë ende detaje lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Burime bëjnë me dije se policia ka ngritur disa pika kontrolli për zbulimin dhe kapjen e autorëve, po deri tani nuk ka asnjë të shoqëruar.
Pritet të verifikohen kamerat e sigurisë që mund të ndodhen në zonë si dhe dëshmitarë të mundshëm.
Njoftimi zyrtar i policies
Më datë 05.01.2020, në orën 23:32, në afërsi të karburantit të tij, në lagjen “Partizani”, është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, shtetasi G.Gj., 47 vjeç, banues në qytetin e Tropojës.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, shërbimet e DVP Kukës, dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Gjendet makina e djegur e autorëve
Është gjetur makina e djegur e autorit të dyshuar të vrasjes së Guxim Gjuriqit, ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen Partizani në Tropojë.
Burime bëjnë me dije se makina e djegur e tipit “Ford”, e cila ka qenë pa targa, është gjetur në fshatin Golaj të Hasit.
Gjuriqi, i cili kishte në pronësi të tij një lokal dhe një pikë karburanti në Tropojë u ekzekutua me armë mbrëmjen e djeshme në ambientet e biznesit të tij, nga autorë që mbeten ende të paidentifikuar nga ana e policisë.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli për zbulimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Gjyriqit, po deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar.
Pritet të verifikohen kamerat e sigurisë që mund të ndodhen në zonë si dhe dëshmitarë të mundshëm.
Sipas dëshmive të para nga ana e banorëve në zonë, Gjyriqi njihej si një person i qetë dhe nuk kishte konflikte të hapura me persona të tjerë.
Ai ka qenë baba i dy djemve, dhe jeta e tij ishte e përqendruar kryesisht në dy bizneset e tij modeste, me të cilët siguronte dhe jetesën dhe të ardhurat e familjes.