“El Clasico” vendos kampionatin

Mirësevini në El Clasico. Është etiketuar gjerësisht si ndeshja më spektakolare jo vetëm e futbollit, por një etalon në gjithë gamën e sporteve dhe sharmi i padiskutueshëm nuk ndryshon pavarësisht se rivalët e përjetshëm vijnë dikush në ngritje e dikush në ulje. Real-Barcelona këtë herë vendos kampionatin, me Realin që kryeson me 3 pikë diferencë nga ndjekësit katalanas, dhe një ndeshje më shumë në dispozicion, një tjertër fitore e Los Blancos kur mbeten edhe 5 ndeshje për t’u luajtur do ta çonte praktikisht titullin në Madrid pas plot 5 vjetësh kur Los Blancos festonin me Mourinhon.
E dinë mirë këtë te Barcelona që nuk mund të pranojë kursesi një abdikim kaq të shpejtë nga froni i La Ligas pas eliminimit në Champions. Kompeticioni Europian ka ndryshuar ndjeshëm kuotat e forcës, me Realin që eliminoi Bajernin, ndërsa Barçën që nuk arriti t’i bëjë ballë forcës së Juventusit. Një arsye më tepër për motivim te katalanasit që me një sukses synojnë t’ju përgjigjen edhe opinioneve se cikli i mrekullive në “Camp Nou” ka përfunduar. Pavarësisht formës është e vështirë madje e pamundur të parashikosh, në krahun tjetër, te madrilenët motivimi ekstra gjendet edhe te dëshira për revansh për atë poshtërim të vitit të kaluar, herën e fundit që Barça zbarkoi në “Bernabeu” fitoi 4-0.
Ankth për formacionet me Gareth Bale që është gati, por rrezikon vendin e titullarit te Reali, ndërsa ka pothuajse zero shanse që Barça të ketë Neymar, megjithëse ajo që vdes e fundit, shpresa mbetet varur te apelimi i Barçës për të reduktuar pezullimin e brazilianit, me apo pa ata, mbeten dy superskuadra të udhëhequr nga dy yje që ndajnë tanimë prej plot 9 vitesh trofeun më prestigjioz individual, 4 Topa të Artë për Ronaldon, 5 për Lionel Mesin, dhe duke patur parasysh edhe faktin se kjo do të jetë një verë pa Europian e Botëror, ky El Clasico mund të thotë shumë edhe në këtë drejtim, ai rrëzim i pafat i Mesit në “Camp Nou” ndaj Juves, është fotografuar nga shumëkush ndoshta si rënia e një mbretërie, Ronaldo edhe pse është kritikuar shumë për formën e tij këtë sezon, ndaj Bajernit arriti të shënonte 3 herë. Për Mesin dhe Ronaldon ky është akti i fundit që gjenden përballë këtë sezon, ashtu si për Realin dhe Barcelonën, mirësevini në El Clasico, përballjen që vendos kush komandon mes dy superfuqive të futbollit.

Exit mobile version